POEZIA SHQIPE ME ALFABET ARAB

Poezia për bejtexhinjtë ishte nostalgji, kujtesë, ëndërr, mall, etje, varfëri, dashuri, harmoni, përsosje shpirtërore

Sulejman MEHAZI



Do ta fillojmë me poezinë “Tirana jonë si mësoi” shkruar nga Zenel Bastari:
“Ymrin (jetën) na e kanë shkurtue,
po na shtrydhin porsi rrush
Bytym kalbi(krejt zemra) na u coptua,
me vner shpirti u mbush.
Buke pa bukë po rrojnë fakirat,
(të varfërit, të shkretët).
Pa opinga, zbathë e zhveshë;
vetë janë mbulue me gjithë të mirat,
si katilat rrinë tue qesh.” (Zenel Bastari)
Këto vargje poetike të Zenel Bastarit na japin imazhin e kohës së veprimit poetik të poezisë shqipe me alfabet arab. Zenel Bastari, i lindur në fshatin Bastar të Tiranës, me këto vargje, jep një tablo të trishtuar të popullatës së Tiranës thuajse njëqind vjet më parë, sesa Migjeni me “Poemën e mjerimit”. Bastari me nota të ashpra realiste vë në dukje jetën e vështirë e plot vuajtje të masave të varfra të qytetarëve tiranas, pasigurinë dhe pakënaqësinë e tyre në kushtet e sundimit feudal, ne shthurje të sipër. Në Shqipëri, në shekullin XVIII, lindi dhe u zhvillua një rrymë letrare tepër origjinale, rryma e bejtexhinjve, nga fjala turko-arabe, bejte-vjershë.
Kjo rrymë letrare pati përhapje shumë të gjerë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, të Kosovë e më gjerë, por edhe në qendra më të vogla fetare, e më pak nëpër fshatra. Edhe pse krijimtaria poetike e bejtexhinjve ruan ndikimin e poezisë së kulturës orientale, megjithatë është pjesë përbërëse dhe e pandarë e kulturës së popullit tonë. Kjo letërsi me alfabet arab ndahet në dy faza zhvillimore: Faza e parë laike që shkon deri në fund të shekullit XVIII dhe faza e dytë fetare mistike, nis që nga çereku i fundit i shekullit XVIII, kapërcen shekullin XIX dhe vazhdon në shekullin XX, deri në Luftën e Dytë Botërore, sidomos në Kosovë.
Dëshmia më e hershme e shkrimit të poezive me alfabet arab është me titull: “Imzot, mos më lerë pa kave” nga Muçi Zade, më 1725, kurse më e vonshmja poezia “Ni e përmenje n’gjuhë shqipe” nga Hysni Statovci, më 1947. Sipas kësaj vërehet se kjo poezi u shkrua në kontinuitet për dy shekuj me radhë. Studiuesi Hajdar Salihu, në librin e tij mjaftë serioz “Poezia e bejtexhinjve”, Rilindja, Prishtinë, 1987. fq. 14), thotë se: “Poezia shqipe me alfabet arab u shkrua në shekullin 18; vazhdoi të shkruhet prej shumë autorëve në shekullin 19, atëherë kur letërsia e romantizmit dominonte si formacion historiko-letrar; dhe u shkrua edhe në pjesën e parë të shekullit 20″.
Sipas historisë së letërsisë shqiptare, shekulli XVIII është fundi i letërsisë së vjetër shqipe dhe etapa e parë e poezisë shqipe me alfabet arab. Përfaqësuesit e parë të kësaj letërsie janë: Ibrahim Nezimi apo siç njihet ndryshe Nezim Frakulla dhe Hasan Zyko Kamberi, e më pas një numër mjaft i madh i poetëve: Muçi Zade (Jug), Sylejman Naibi (Berat), Dervish Hasani (Krushë e Vogël), Anonimi i Gjirokastrës, Molla Hysejn Dobraci i Shkodrës, në dekadat e fundit të shekullit XVIII do të shkruajnë poezi edhe Ismail pashë Velebishti, Hysen Efendi Shkodra, Molla Sali Pata që ishte poet satirik i oborrit të Bushatllinjve, Sylejman pashë Elbasani, Ibrahim Elbasani, Sylejman Temani nga Berati, Omer Sadedin Efendiu nga jugu i Shqipërisë, Haxhi Ymer Kashari nga Tirana etj. Kjo poezi do të shkruhet edhe gjatë tërë shekullit XIX dhe numri i autorëve në këtë shekull do të jetë shumë më i madh. Veprimtaria letrare e këtyre autorëve do të jetë më e begatshme dhe më e pasur. Vlen të përmendim autorin më kryesor te këtij shekulli, Muhamet Kyçykun, me poemat me motive islame “Erveheja” dhe “Jusufi dhe Zulejha”, pastaj Tahir Efendi Boshnjakun nga Gjakova, Dervish Salihun nga Lubizhdi i Hasit, Dalip Frashërin, Sheh Jonuzin nga Suhadolli i Mitrovicës, Baba Meleq Shemberdhenjin nga Skrapari dhe shumë poetë të tjerë. Poezia me alfabet arab e shekullit XX është shkruar vetëm në Kosovë. Krijues më të shquar të kësaj periudhe janë: Sheh Mala – Rahovec, Vesel Guta – Zaskok, Ferizaj, Hysni Statovci – Batllavë, Llap, Dervish Veseli – Rahovec, Hafiz Imer Shemsiu – Prishtinë, Faik Efendiu – Prishtinë, Dervish Idrizi – Gjakovë. Sheh Osmani – Junik, Shaip Zurnaxhiu – Rahovec etj.

FUQIA E ARTIT POETIK

Dihet se letërsia shqipe me alfabet arab, apo letërsia e bejtexhinjve, siç emërtohet zakonisht në terminologjinë e ngulitur teorike e historike letrare, u shkrua në shekujt XVIII e XIX; në qendrat më të zhvilluara ekonomike e kulturore, edhe pse u shkrua sipas modelit të letërsisë së Lindjes dhe se e përdori alfabetin arab, por dukshëm e pasuroi jo vetëm formën, por edhe përmbajtjen poetike. Poezia për këta shkrimtarë edhe pse ishte produkt njerëzor, por i një bote tjetër nga realja, natyrorja, ata shprehnin kumtimet, shpresat për botën që nuk i përkisnin. Poezia për bejtexhinjtë ishte nostalgji, kujtesë, ëndërr, mall, etje, varfëri, dashuri, harmoni, përsosje shpirtërore. Për të gjitha këto bejtexhinjtë na bëjnë me dije se poezia i takon intuitës, imagjinatës, frymëzimit, zemrës, shpirtit, dashurisë, dritës, përjetësisë që i takojnë të njëjtit lloj gjenealogjik të esencës së krijimit.
Poezia për bejtexhinjtë, për dervishët dhe shejlerët është dërgimtare mjaft e duruar që e pranojnë shpirtrat e fuqishëm prometheik, të cilët nga zemrat e tyre nxjerrin zjarr, nga zjarri dritë dhe nga drita nxjerrin përjetësi. Pra, arti poetik në kuptimin e plotë të fjalës është cilësi, vlerë dhe dhuratë natyrore e shpirtërore. Këta poetë para poezisë, melodisë, pikturës gjenden ballë për ballë me fshehtësitë e quajtura cilësi, vlerë, me kuptime e pamje metafizike të fjalës; sepse kjo pamje, ky komunikim bëhet njohuri mbi botën e brendshme shpirtërore, sikurse shkenca që ka njohuri mbi natyrën fizike të jashtme.
Definicioni i artit dhe i bukurisë artistike për bejtexhinjtë është ligj shpirtëror e hyjnor i cili përcaktohet nga frymëzimi që i dedikohet lumturisë së vërtetë njerëzore. ”…Prandaj misioni i artit është të na japë kënaqësi estetike që qëndron përmbi të gjitha këtyre mizorive të jetës. Këndojmë një poezi, shikojmë një pikturë, dëgjojmë një simfoni dhe kënaqemi! Jeta na ëmbëlsohet, na bëhet e dashur, e bukur…” (Lasgush Poradeci) Kjo kënaqje e poetëve bejtexhinj, apo e poetëve dervishë nuk krijohet me anë të qasjes së intelektit, analizës, vëzhgimit, eksperimentit dhe përvojës së jashtme që është një shumë e sendeve të dukura me sy të rëndomtë, por tjetër lloj, është kredhje në brendi të poetëve, në skutat dhe fshehtësitë më të thella shpirtërore. Këto fshehtësi intuitive, imagjinative poetike bejtexhinjtë i parandiejnë, por nëpërmjet shqisave shpirtërore, siç janë: shqetësimet, përjetimet, dashuritë, vuajtjet dhe aspak s’kanë të bëjnë me njohjen racionale.
Krijimet poetike të bejtexhinjve janë përplot me shenja dhe simbole që i vërejnë vetëm poetët mistik, sepse këta me kënaqësi të madhe flasin për totemin bimë, kafshë, shpezë, yje, qiej, njeri, shpirt, fe, Zot dhe dukuri të ndryshme të cilët i detyrojnë të bëjnë rite dhe vallëzime magjike e mistike. Poezitë e bejtexhinjve që këndoheshin nëpër teqetë e ndryshme ishin ndërmjetësuese e përjetësisë, duke ngadhënjyer fatin e njeriut me ndihmën e fjalës së bukur poetike. Në themel të poezive të bejtexhinjve qëndron uniteti i stërlashtë, sepse dramat poetike dhe tragjeditë e vogla të bejtexhinjve për nga origjina janë bashkë me krijimin e njeriut të parë. Origjina e valleve dhe pikturave poetike, e ritualeve metrike e ritmike, e yjeve kozmike fetare, na duken se janë të lashta më shumë se vet njeriu. Poetët e teqeve, edhe pse e përdornin shkrimin arab, vlerat e tyre poetike-artistike ishin të jashtëzakonshme, në konstelacionin estetik, botën fizike, materiale, të jashtme e shprehnin dhe e përkujtonin me anë të botës metafizike të zemrës.

SFERA FIZIKE DHE METAFIZIKE POETIKE

Vetëdija kryesore e shkrimtarëve që shkruanin me alfabet arab ka qenë ajo fetare. Të shkolluar kryesisht nëpër medrese, ndaj dhe është e natyrshme që edhe misioni i tyre ka qenë mësimi fetar. Prandaj, edhe hedhja e hapit në fusha të tjera të dijes, si patriotike, shoqërore, iluministe, kulturore apo thjeshtë praktike jetësore, këtë e kanë bërë sipas derës së hapur të vetëdijes fetare. Koncepti kryesor i poezive të bejtexhinjve është dashuria ndaj ZOTIT, që përbën kulmin ndërlidhëse shpirtërore të sferës fizike dhe metafizike poetike. Si shembull do ta marrim poezinë e Baba Meleq Shembërdhenjit, vjershëtor shqiptar, lindur në krahinën e Skraparit në shekullin XIX, me titull “DASHURIA, DASHURIA” (Poezia e bejtexhinjve, Rilindja, Prishtinë,1987. fq. 354,355.) “Ku e ngrehu këtë jetë/ Zot i Math e i Vërtete,/Me Madhëri të Tij Vetë/ Dashuria, dashuria. /Si bëri dhenë dhe qjellë/ pa vuri hën’ e djellë,/shumë farësh që ka mbjellë/ dashuria, dashuria. Kush bëri yjtë dhe renë?/ shtiu shinë njomi dhenë?/nxori mbi të gjithë ç’qenë/ Dashuria, dashuria. Bëri lumenjtë dhe detnë/ pa nxori Hava, Ademnë, /i mësoi emrat sa qenë/dashuria dashuria. Në pleqëri Zeqirjai/kërkoj djalë nga Perëndia,/Kush ia dha Jahjanë atija? Dashuria, dashuria. Merjemes ashtu ia dhanë/ pa burrë e bëri Isanë,/ Pun`t e Zotit ashtu janë/ Dashuria, dashuria”
Dashuria te këta poetë konsiderohet si një qenie reale e përqendruar në epiqendrën e fizikes reales dhe metafizikës, ideales. Për këta poetë dashuria është thelbi kryesor i botës fizike trupore dhe botës metafizike shpirtërore. Para se të themi se ekziston dashuria, ne duhet të kemi parasysh konceptin e dashurisë nga poeti i shquar modern, Lasgush Poradeci, i cili thotë: “Unë besoj në dashurinë. Më shumë më ka tronditur në jetë dashuria, më shumë më ka gëzuar dashuria.” Dashuria për poetin Dervish Baba Meleq Shemberdhenjin është koncept bazë dhe tek ai ekziston që prej Zotit e më poshtë, por jo si koncept racional, sepse ai mund të kapet edhe me syrin e përbashkët të arsyes dhe zemrës. Këta sy ekzistencën e dashurisë e shohin si të vërtetë të pamohueshme, dashuria për Baba Meleqin është vet Zoti, Allahu, është bashkë me gjërat tjera, njëlloj si drita apo nuri, sepse është kudo dhe nuk mund t’i përshkruhet vendi, është mbi çdo gjë.
Pra të gjitha këto shprehje poetike: Zot i madh e i Vërtetë, jetë, dhenë, qjellë, hënë e djellë, yjet e retë, shiu e dhenë, lumenjt e detërat, Ademi e Hava, Zeqirjai e Jahja, Merjemja e Isai në thelb prezantojnë njohje intuitive të dashurisë, njohje e thelbit të gjërave, gjegjësisht thelbet tokësore, qiellore, yjore. Poeti i cili ka arritur njohjen intuitive të dashurisë, zhvishet nga ekzistenca e tij dhe pastrohet nga uni i tij fizik. Por ky nivel mendor dhe shpirtëror i njohjes intuitive të dashurisë nuk është i mjaftueshëm, sepse për të arritur përsosmëria më e lartë e dashurisë duhet të vendoset relacioni me pasqyrimin e cilësive qiellore, yjore, universale e fetare. Kjo shkallë lidhshmërie e dashurisë intuitive mund të emërohet ndritje e dashurisë. Kjo ndritje e dashurisë, krijohet me anë të përkujtimit dhe mallit ndaj bukurisë së Zotit, xhemalit. Si shembull, e kemi poezinë e Shej Malës nga Rahoveci, “Zemra daim vaj po ka”, “Zemra daim vaj po ka,/ për ty Allah ka sevda,/nuk do qetër në dynja/ lyp xhematin tënd me pa. /Aman Allah hak mevla/ qyrma zemrën ça po ka,/hiç prej ashkit s’mund m’u da /Lyp xhemalin tënd me pa”(Poezia e bejtexhinjve, Rilindja, Prishtinë, fq.400.)
Poeti Shej Mala dashurinë dhe bukurinë e zbulon me anë të intuitës, në botën e shqisave dhe prej kësaj ngritët në botën shpirtërore, ose prej botës fizike në botën e ideve apo shqisave shpirtërore (Xhemalit), atëherë është e arsyeshme që ky potencial do të kthehet në pozicionin prej ku ka ardhur. Dashuria është trajtë shpirtërore, në të cilën poeti si qenie shpirtërore, ndjek rrugën e njohjes së Xhemalit (Bukurisë) dhe nëpërmjet kësaj përpiqet të kapërcejë kufijtë e bukurisë fizike dhe të ngrihet në piedestalin e ngritjes shpirtërore. Dashuria ndaj Xhemalit paraqet përpjekjen shpirtërore të poetit, që ekzistencën e saj ta shpëtojë nga thundrat e egra dhe të ulëta njerëzor, për ta prezantuar në lartësitë e ndritura makrokosmike, gjegjësisht në botën e ndritur. Zemra e përvuajtur e Sheh Malës, është vendbanimi i dashurisë, zemra e tij prej ashkut nuk mund me u nda, është vend ku buron fshehtësia e dashurisë, ajo është qendër e njohjes së dashurisë.

KONCEPTET ESTETIKE NË POEZITË E BEJTEXHINJVE

Poezia për bejtexhinjtë llogaritet si brumë ku gjendet Zoti, ku gatuhet bukuria e kulturës islame, e artit, meditimit dhe dashurisë së fesë, gjuhës, popullit, por edhe të popujve në mes vete. Me shumë të drejtë kanë konstatuar estetët dhe kritika letrare, se definicioni i poezisë dhe artit në përgjithësi është ligj shpirtëror e hyjnor, i cili përcaktohet nga frymëzimi, që i dedikohet lumturisë dhe kënaqësisë së vërtetë njerëzore. Aristoteli poezinë e krahasonte me anë të karaktereve të veçanta të autorëve: autorët që kishin karakter të dobët, krijonin vepra të dobëta, kurse ata që kishin karakter të lartë krijonin vepra të bukura. E për karakterin, moralin dhe etikën e njerëzve më së mirë flasin poezitë e bejtexhinjve. Thuajse të gjithë këta poetë janë brumosur me virtyte të moralit shoqëror e fetar.
Studiuesi Mahmut Hysa në librin e tij: Alamiada shqiptare I, Logos-A, Shkup, 2000, fq. 149.) thotë se: “Muhamet Kyçyku është autori që moralin shoqëror e sintetizon me moralin fetar, është autor që mendon se të këqijat njerëzore mund t’i luftojnë edhe më me sukses njeriu që e ka të formuar vetëdijen fetare, njeriu që ka dituri nga dituria islame, njeriu që udhëhiqet nga konceptet morale-etike islame. ”Arti është për një pakicë njerëzish, për një elitë të zgjedhur shpirtrash të lartë”. Ndjenjat e bukura fetare, bashkë me dëshirat e thella shpirtërore ekzistojnë në njeriun që nga lindja, kurse njerëzit me botëkuptime të ulëta materiale dhe kolektive nuk kanë mundësi assesi të kuptojnë idealin e vërtetë të artit poetik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.