POLITIKA KULTURORE DHE E DREJTA NË KULTURË

Termin politikë kulturore do ta definonim si angazhim për t’u përfshirë në sendërtim dhe  zhvillim kulturor, e drejtë kjo elementare nga korpusi i të drejtave të njeriut. Në aspektin  politiko – organizativ, politika kulturore është një fushë specifike dhe ndër kryesoret në të cilat  përqendrohen institucionet më të larta shtetërore

Nga Avni HALIMI

Në shtetet ballkanike shumë etnike politikat kulturore kanë qenë parapërgatitje e krijimit të “terrenit kulturor” për jetësimin e koncepteve të shteteve etnike, të cilët do të angazhohen edhe për të drejtat në kulturë të “kombësive”, apo të “pakicave kombëtare”! Natyrisht, e drejta në kulturë, për shembull, tek shqiptarët e viseve etnike, ka kaluar përmes të drejtës për shkollim, nëpër angazhimet për ta shprehur identitetin etnike përmes manifestimeve tradicionale e deri te “lufta ndëretnike” për ta shtrirë sa më gjerë e më thellë përdorimin e gjuhës shqipe.

Shqiptarët e kanë amën e vet kulturore

Pas Luftës së Dytë Botërore, shtetet perëndimore të drejtën në kulturë e ndërlidhnin kryesisht me problemet e thella ekonomike të cilat, shtresave të mesme dhe të varfra ua pamundësonin pjesëmarrjen në jetën kulturore, kurse në shtetet ballkanike e drejta në kulturë dilte si kërkesë për barazi dhe mosdiskriminim kulturor nga shoqëritë, të cilat, në emër të ideologjisë komuniste, insistonin në krijimin e shteteve etnike që lulëzojnë duke “respektuar” lirinë për të marrë pjesë në kulturë, madje në ato kultura që dominoheshin nga “shoqëritë e mëdha”! Fatkeqësisht, kjo politikë, në esencë diskriminuese, e zhvilluar me politesa nga teoritë naziste, zhvillohet edhe sot e kësaj dite, ndonëse herë pas here vërehen “përpjekje” për instrumente më të përshtatshme të politikave kulturore për ruajtjen dhe zhvillimin e pasurisë kulturore që ngritët mbi shumëllojshmërinë kulturore të vendit. Por, patjetër që duhet të ekzistojnë “nëna kulturë” që përkujdeset për të “vegjlit” e vet”! Shqiptarët e kanë amën e vet kulturore, e kanë kulturën e vet etnike dhe nuk kanë nevojë për kurrfarë kulture që do t’i merrte “nën sqetullën” e vet! Por, të shtrënguar nga ideologjitë e mbrapshta të pushteteve, ata u detyruan jo vetëm në përforcimin e autocensurës, si mekanizëm që të mbron nga rreziku”, por edhe u pajtuan me çfarëdo mase ligjore, me çfarëdo politika kulturore vetëm e vetë që ta gëzojnë “përkrahjen” e pushtetit! Libri shqip edhe sot e kësaj dite i  nënshtrohet taksave doganore! Ansambli shtetëror i Kosovës, apo Filharmonia ose Opera e Shqipërisë nuk mund të shkojë te shqiptarët e viseve etnike pa iu nënshtruar kontrolleve të holla doganore, me listë artistësh e mjetesh, veshjesh e grimesh, thuajse bëhet fjalë për futjen e grupeve të kriminalizuara e me “aparaturë” luftarake! Kjo bëhet për më tepër edhe për t’i nënçmuar vlerat kombëtare si “potencial i mundshëm” i kontrabandimit të kriminelëve apo mjeteve të palejueshme! Pra, shqiptarët duhet të jetojnë me kulturën e shumicës dhe të drejtës së tyre për ta kultivuar “kulturën autoktone” e pasuruar përplot me elemente sllave, orientale, me mekam tallava, të krijojnë letërsi duke qen rob i sintaksës së gjuhëve sllave, sepse përmes këtyre elementeve do të ndjehen më afër kulturës vendore, apo ta madhërojnë politikën kulturore që u krijon mundësi për “të drejtën” në kulturë! Megjithatë, çfarë problemi shpërfaqet nga kjo “e drejta në kulturë”? Këtë “të drejtë” duhet ta jetësojnë njerëzit, respektivisht nëpunësit kulturorë! Cila është etika e këtyre nëpunësve kulturorë si përkatës e atij komuniteti që “e gëzon” të drejtën në kulturë? Nuk mund të jesh nëpunës kulturorë nëse nuk pajtohesh me politikat kulturore dhe nëse nuk i zbaton një për një ato politika të pushtetit që drejton (qoftë ai serb, malazez apo maqedonas)! Pra, vullnetarisht shndërrohen në vegla të pushtetit politik ndërsa krijimtarisë artistike ia cungojnë të gjitha të drejtat e zhvillimit normal. Nisur nga dëshira e mjerë për të qenë brenda ekipeve që krijojnë politika kulturore, jo rrallë herë nëpër këto ekipe u përfshinë edhe krijues e artistë “të popullit”, të cilët, fatkeqësisht, menduan se, për t’u ngritur profesionalisht, është e pamundur pa qenë i përfshirë “profesionalisht” në politikë. Të synuarit politik në përfshirjes në mënyrë sa më proporcionale në pushtet, në sektorë e administratë të dikastereve kulturore (sidomos rasti në Maqedoninë e Veriut), ne sot zhvillojmë luftë, kritikojmë e shprehim pakënaqësi kundër zgjidhjeve administrative e burokratike në  kulturë. Pra, nuk na e ka fajin politika kulturore e pushtetit, por fajin na e ka administratori, i cili aty është për të zbatuar çdo politikë të pushtetit dhe çdo strategji nacionale afatmesme, të cilat administratori, subjekti i tij politik, populli që e përfaqëson, as që e kanë lexuar ndonjëherë. E drejta në kulturë nuk mund të aplikohet pa e pasur, paralelisht, të drejtën në luftimin e ideologjizimit dhe shtetëzimit të kulturës në një arenë ku diversiteti kulturor është dominant në krahasim me kulturën shtetërore të popullit “shumicë”!

Pesha e aleancave kulturore

A kanë shqiptarët nëpër shtetet e tyre si dhe në viset etnike bashkësi të asociacioneve, qendrave, lëvizjeve kulturore, që janë autonome e të pavarura në veprim! Fatkeqësisht jo, sepse shqiptari e ka më të rëndësishme të ndjehet “kryetar”, “drejtor”, “menaxher” sesa t’i kenë efektet e veprimit! Asnjë iniciativë për formimin e ndonjë bashkësie në nivel kombëtar të të gjitha shoqatave e cila do ta fuqizonte zërin e të pakënaqurve me zhvillimet kulturore në vendet gjegjëse. Çka u duhet shqiptarëve një asociacion i tillë? Natyrisht, e para, do të kishim një bazë të të dhënave (database) për të gjitha shoqatat kulturore, profilin, tipizimin, portfolion e tyre si dhe të dhënat e tjetra teknike! E dyta, do të bëheshin pjesë e një familje të madhe, fjala e së cilës do të kishte peshë të fuqishme dhe nuk do të tërhiqen mbrapsht aq lehtë. E treta, do të arrinin më lehtë deri te ndonjë objekt i tyre, në të cilën do t’i realizonin të gjitha synimet organizative dhe programore. E katërta, reagimi i tyre do të ishte një “cunami-goditje” mbi politikat kulturore që mundohen ta margjinalizojnë dhe mos ta përfillin fare shoqërinë civile në rrafshin kulturor. E pesta, do të imponoheshin si partner të patjetërsueshëm në hartimin e strategjive nacionale kulturore. Do të mund të numëroheshin edhe një sërë përfitimesh socio-kulturore nga një asociacion i përbashkët, i cili do të vepronte mbi një platformë që pikënisje do ta kishte synimin: “kulturë për të gjithë, të gjithë në kulturë”! Mbi të gjitha, një subjekt i tillë gjithëpërfshirës do të ndikonte në procesin e demokratizimit të politikave në sektorin kulturor dhe më gjerë. Shqiptarët kanë shoqatë botuesish, kanë asociacion të ansambleve të këngëve dhe valleve, kanë shoqatë piktorësh, muzikantësh etj? Janë me dhjetëra të tillë, të cilat shfaqin me dhjetëra pakënaqësi dhe që presin me dhjetëra përgjigje nga dikasteret kulturore të shteteve dhe, kësisoj, gjithnjë janë në një rreth vicioz, si satelitët në orbitë! Asnjë nga këto shoqata e subjekte kulturore të pavarura nuk kanë arritur popullaritet, siç e arriti Lëvizja “Ta mbrojmë Teatrin” në Tiranë, e cila me kauzën e vet arriti që ta sensibilzojë një opinion të gjerë botëror. Kjo edhe për faktin se rreth kësaj Lëvizje u krijua një “aleancë” me shumë personalitete e faktorë (madje, edhe me institucione shtetërore). Një organizatë e tillë gjithëpërfshirëse, një aleancë me një kulm të përbashkët për të gjithë asociacionet dhe organizatat e ndryshme kulturore të pavarura, do të ishin alternativë e fuqishme kulturore nga ajo çfarë ofrojnë politikat kulturore dhe strategjitë nacionale, të cilat kryesisht bazohen në programet politike të partive në pushtet. Natyrisht, një aleancë e segmenteve kulturor të pavarur do ta kishte të vështirë të funksionojë pa një koncept të bazuar në partneritet civil-publik të siguruar nga pushteti lokal, nga ndonjë komunë. Komuna ofron objekt të përshtatshëm dhe adekuat për të gjitha llojet e aktiviteteve kulturore të shoqatave brenda aleancës, ndërsa komuna do të rritej dhe zhvillohej kulturalisht nga aktivitetet e përditshme të parapara në programin vjetor të hartuar bashkërisht nga përfaqësuesit e të gjitha subjektet anëtare të kësaj materie kulturore. Kjo do të ndikonte në rritjen e turizmit vendor, në shtimin e të hyrave në arkën komunale, si nga turizmi, nga tatimet, por edhe nga buxhetet e projekteve kulturore që do të donoheshin nga vendi, nga fondacionet e ndryshme, nga institucionet ndërkombëtare, por edhe nga programi vjetor i ministrisë për kulturë! Për momentin, një “asociacion i madh” i këtillë funksionon në Zagreb dhe, së fundmi, në Shkup, themeluar nga shoqatat e pavarura kulturore maqedonase. Kësisoj, këto dy vende ia kanë dalë që edhe në sektorin civil-privat të jenë të organizuar në sferën kulturore, të dëgjohet seriozisht zëri i tyre gjatë hartimit të politikave kulturore, si dhe qytetet përkatëse të gëlojnë nga aktivitet e  ndryshme kulturore si dhe me këto aktivitete t’i konkurrojnë institucioneve nacionale për kulturë.

Aktivitetet kulturore si “humanitet”

Në bazë të analizave sipërfaqësore (sepse analizat e thella janë tepër dëshpëruese) mbi motivin e shqiptarëve të viseve etnike, me theks të veçantë, të Maqedonisë së Veriut, për të themeluar “vatra kulturore”, mund të arrihet fare lehtë te përfundimi: dy janë motivet që “i ngacmonin” shqiptarët që të merren me “aktivitete kulturore” përgjatë kësaj periudhe të tranzicionit postkomunist! E para, t’i gëzohemi lirisë me kulturë që na e injektonin të tjerët dhe, e dyta, t’i ndihmojmë të tjerët për të ardhur më lehtë te buxheti i konsoliduar për kulturën e tyre! Çka do të kenë sot shqiptarët e këtij vendi pasi të përfundojë decentralizimi i tërësishëm i kulturës, i institucioneve nacionale, i objekteve kulturore? Çka do të përfitojnë nga ky decentralizim zonat shqiptare, komunat, të cilat kryesisht janë rurale dhe pa kurrfarë infrastrukture kulturore! Çka bënë të tjerët? Formuan shoqata të ndryshme, asociacione, zhvilluan industrinë kreative, zhvilluan platforma digjitale kulturore, formuan institucione dhe zinxhirë institucionesh kulturore digjitale (muze, galeri, festivale letrare etj.) Tërë ky angazhim kishte për qëllim ruajtjen e traditës së bashkëpunimit të një “familje më të madhe” të cilën e ndau politika! Me këtë hap, kultura institucionale po sfidohej nga kultura alternative më e organizuar, më e entuziazmuar, më avangarde dhe më e suksesshme si dhe me financa vetanake që po akumuloheshin nga thithja e fondeve të ndryshme vendore e ndërkombëtare. Natyrisht, fondet ndërkombëtare ishin të kushtëzuara me përfshirje të artistëve e krijuesve nga më shumë komunitete etnike në kuadër të komunës, shtetet, ndërkohë që buxhet më të madh sillte bashkëpunimi ndërkombëtar i “komuniteteve kulturore”! Janë të bollshëm ata krijues e “organizma kulturorë” të shqiptarëve vendorë, të cilët shkriheshin nga lezeti, duke marrë pjesë nëpër aktivitetet kulturore maqedonase apo ndërkombëtare, duke fituar ndonjë mëditje, ndërkohë që “aktivizimi” i tyre sillte buxhet të majmë për asociacionet kulturore maqedonase! Janë të shumtë nga ata krijues e artistë që shërbenin si lidhje me artistë, krijues a asociacione kulturore shqiptare nga Kosova e Shqipëria dhe, në të tilla raste, i vetmi “aktivitet kulturor” i tyre ishte përkthimi nga maqedonishtja në shqip dhe anasjelltas. Pati edhe nga ato shoqata kulturore, nga ata krijues e artistë me “dinjitet kombëtar”, të cilët u angazhuan në kulturë vetëm sa për ta marrë atë copë të kekut që u takon shqiptarëve në kulturë! Pa dyshim, ky ishte motivi, duke mos kuptuar asnjëherë se me këtë qasje prej lëmoshëtari, shqiptarët vetëm sa po ndikonin që qeveritë nacionaliste maqedonase të shpërfaqeshin si “etni  humanitare” që ndihmon kulturimin e një pakice tjetër (e cila në Kushtetutë njihet me emrin “20%”) me të cilën bashkëjetojnë! Sot, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë tri teatro kombëtare (në Shkup, Tetovë dhe Gostivar) si dhe një njësi teatrale në kuadër të një shtëpie për kulturë (në Kumanovë) dhe tërë repertori i tyre vjetor është sa i një teatri nacional maqedonas. Është çështje më vete ajo se sa këto teatro shqiptare kanë arritur të krijojnë identitet të tyre kombëtar e kulturor! Shikuar nga ky prizëm, deri më sot askush nuk e tha një fjalë rreth asaj se sa artistët dhe krijuesit shqiptarë, sa shoqata, asociacionet e “aleancat” kulturore, sa manifestimet e festivalet kulturore shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ia dolën që të zhvillohen me identitet e dinjitet, me fuqi të pathyeshme karshi politikave shtetërore për zhvillim kulturor! Kjo fuqi nuk arrihet pa një identitet të fuqishëm kulturor, të cilin e mundëson vetëm jeta institucionale kulturore. Nëse jo shteti, atëherë le të përfundojmë: cila platformë partiake shqiptare e shprehu qartë përcaktimin politik- kombëtar për ta zhvilluar dhe forcuar identitetin kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut? Fatkeqësisht, nuk ka! Ato pak “suksese partiake” që janë arritur në këtë aspekt, më tepër kanë qenë si marrëveshje gojore me “partnerët” qeveritare dhe për këto marrëveshje nuk ka asnjë dokument të shkruar, sepse mungon vizioni konkret në letër, në të cilën do të thirrej për një marrëveshje me shkrim që do të ngelet si dokument i dalë nga platforma politike në sferën e kulturës. Gjithnjë nga shqiptarët në të gjitha sferat është kërkuar pak mirëkuptim, më shumë  qasje humane, sepse në të kundërtën, do të shpërthejë nacionalizmi, në rastin konkret, i artistëve dhe krijuesve maqedonas! Madje, as këtë urrejtje nacionale të segmenteve të gjëra maqedonase kundër kulturës shqiptare, nuk ditëm kurrë ta kapitalizojmë kulturalisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published.