Fredi me gjithë peripecitë e jetës, e krijoi universin e tij që peshonte sa vetë liria, të cilën e ëndërronte, e dashuronte, e krijonte dhe i besonte…
Xhahid BUSHATI
Frederiku pati edhe një jetë vetmie. Këndoi për të. E perceptoi si lëvizje e si shtegtim. Si pikëllim… E në këtë pikëllim prej hëne dhe yjesh, Fredi pëshpëriste e meditonte: “Hënë s’ka, yje s’ka. / Ecën vetmia me bijtë e saj”. E jetonte vetminë… Po aq sa pëlqente dhe ardhjen e muzgut… Po aq sa pëlqente të kridhej në ajrin e tij, shpesh trishtues. E jetonte vetminë… Po aq sa pëlqente ardhjen e natës, dhe të tejnatës. Në tejnatë shkruante lirikat e fundit. Aty, pranë dëshmisë së heshtur të qiririt naimjan. Aq sa, nuk ndjente trokitjen e paqtë të ardhjes së agimit. Aq sa… ashtu i bërë gërmuq humbiste në vetminë e tij, vetmi që ia ndriçonte një qiri si një pikëçuditje. Ishte i humbur në drithërimën e shpirtit dhe në mbretërinë e lirika të tij, shpesh të pikëlluara.
I pëlqente të përmendte e të fliste për De Radën, për Mjedën, për Migjenin. Migjenin e pëlqente së tepërmi edhe Skënder Drinin, bashkëqytetarin dhe bashkëkohësin e tij. E çmonte si një prozator me rrezatim sa poetik aq dhe dramatik. Fredit i pëlqente dhe studionte me imtësi Kanunin, doket dhe zakonet… Sikur ndiente mallin e vendlindjes së prindërve… Ndaj, dhe shprehej: “Shkon një re e bardhë mbi epikën e maleve, / Si shpirti i shqetësuar, / Mbi lahutën e muzgut.”
Fredit i pëlqente bota e përrallave… Përrallat që i shkruante mjeshtërisht aq bukur e mahnitëse, sa i pikturonte me dritëza xixëllonjash. Me të drejtë miku i tij i ngushtë, poeti i talentuar e erudit, Moikom Zeqo, thoshte: “Pikërisht finesa e Frederik Rreshpjes, është ajo që të trondit më shumë. “Aventurat e fundit të Gishtos” nuk janë asnjëherë të fundit. Aty ku duket se mbaron gjithçka, aty fillon gjithçka”.
Në të folurën e tij, a në shkëmbim dialogu e batute, ishte i prerë, me një prirje të një natyre filozofike, paçka se në shpirtin e tij si prej fëmije gëlonin lule vjollcat, edhe pse “Çeli vjollca e vogël mbi gurishte, / Si një ylber mbi planet të panjohur. … Vjollcë e vogël, o shpirt.” E kjo ndodhte, se, edhe në të folurin e zakonshëm ai shpallte pa droje e guximshëm gjithnjë ca të vërteta; që sigurisht mërzisnin, irritonin, zemëronin në të shumtën e herës ca njerëz të qarqeve zyrtare. Dhe lufta e betejat e tyre ndaj Fredit dhe botës së shkrimtarisë; do të ishin shpërfillja. Mjerisht, qenë tronditëse e dramatike! Mjerisht arritën deri në tentativat e heshtjes si shkrimtar… Për t’i zbehur forcën dhe ndikimin e magjisë poetike. Por… mbetën në tentativë… Talenti rreshpjan triumfoi guximshëm!.. Dhe do ta gjeni kudo këtë talent, po të lexoni vargjet e tij. Do të përthithni lirizmin e tij. E pastaj do të kuptoni se brenda udhëve të poezisë janë ca kode që flasin për bredhjet e ecjet e tij, herë me një zë mallkues e herë me një zë dëshpërues, herë me një zë lotues e herë me një zë zhgënjyes… Bredhjet e Fredit nëpër ato vargje që i skaliti shpirti i tij ishin hapësirat që krijoi e fali poeti. Shikimi i tij: i dinjitetshëm e njerëzor, ishte shpresë, por edhe i pashpresë… E megjithatë Fredi me gjithë peripecitë e jetës, e krijoi universin e tij që peshonte sa vetë liria, të cilën e ëndërronte, e dashuronte, e krijonte dhe i besonte…”Këndoi bilbili i vetmuar deri në dhembje, / Por askush nuk e dëgjoi zërin e tij, / Sepse i mungonte kafazi. /Mbi një piedestal heshtjeje, / Dergjet profili im që në lindjen e gurit.”