Profile: ANNIE BANNISTER SPENCER

Ditën e gjashtë të shkurtit 1882 lindi një grua e zezë në Amerikë, Annie (Bannister) Spencer, që me kalimin e kohës u shndërrua në simbol të luleve shumëngjyrëshe. Shtëpia private që trashëguan prej saj pasardhësit e familjes në Lynchburg është bërë sot kombëtare, vend pelegrinazhi i admiruesve të së bukurës dhe quhet “Kopshti Muze i Anne Spencer”. Përpara kësaj kishte arritur të depërtonte muret e ftohtë të racizmit, për të shënuar emrin e saj në histori, si e para grua e zezë, që u përfshi tek “Norton Anthology of Modern Poetry” (1973).

Njohu burrin e saj të ardhshëm, Eduard Spencer, kur ishin të dy studentë të Seminarit Teologjik të Virxhinies, në Lu. U martuan më 1901 dhe Anne filloi punë si bibliotekare. Çifti Spencer u trashëgua me tre djem, njeri prej tyre, Chauncy, shkëlqeu si pilot në Flotën Ajrore Amerikane.

Ndërsa vazhdonte punën e saj si “kujdestare librash” në Lynchburg, u përfshi thellë dhe me pasion në “Rilindjen e Harlemit”, si aktiviste e njohur e “Grupit të Negërve të Rinj”. Salloni i shtëpisë së Spencërve mikë-priti njerëz të njohur të jetës shoqërore amerikane të njohur, intelektualë, shkrimtarë dhe veprimtarë të të drejtave të njeriut.

Anne Spencer nisi e vonuar përfaqësimin tek Letrat Amerikane. Ishte 40 vjeç kur nxori në dritë krijimin e parë. Arriti të botojë një numër të vogël poezish në jetën e saj, rreth 30, por mjaftuan ta ngrinin në piedestalin e poeteve më të njohura të SHBA. Anne Spencer dashuronte gjithashtu lulet, kishte një kopsht të mrekullueshëm pas shtëpisë së saj të “vikendeve”familjare, të quajtur Edrankal, të cilën i shoqi ia ndërtoi si “studio të posaçme krijimi”. Aty mbolli mrekullitë e veta poetike, aroma e të cilave u përhap në të gjithë Amerikën.

Kur filloi të botonte poezi, një redaktor, James Weldon Johnson, tjetër personalitet i “Rilindjes së Harlemit”, e këshilloi t’i nënshkruante krijimet e saj me pseudonimin e shkurtër “Anne Spencer”. Me këtë emër u bë e njohur në Amerikë dhe mbeti e pavdekshme. Ashtu si lulet e kopshtit të saj të “vikendeve” krijuese, që u bë Muze Kombëtar.

Përveçse poete dhe botaniste e pasionuar, Anne Spencer ishte edhe “furnizuese” e shtypit amerikan me “të papriturat e çuditshme”, herë-herë “skandaloze” të karakterit të saj, që shpesh “nuk i përshtatej” një “personaliteti të botës afroamerikane të gjysmëshekullit”, siç qe ajo. Preferencat e saj në veshje, siç qenë pantallonat, tendencat për të ndryshuar sistemin konservator të arsimit, kundërshtimet e shpeshta ndaj supremacisë së të bardhëve, e vunë shpesh në shënjestër. Në një veprim spektakolar, Spencer ofroi shtëpinë e saj si strehë për veprimtarin kongolez të të drejtave të njeriut, Ota Benga, i cili u rrëmbye, u mbajt zinxhir=lidhur në një kluvë të hekurt dhe u nxor më 1904 për t’u shitur në skllavopazarin e Luizianës. Ku gjest i saj tronditi gjithë vendin.

U amshua 93 vjeçare, pasi humbi betejën me kancerin, më 27 korrik 1975 dhe u preh pranë të shoqit, i cili ishte ndarë prej saj njëmbëdhjetë vjet më parë.

Më 2016, Biblioteka e Virxhinias nderoi bashkëshortët Spencer, si çiftin me ndikim të jashtëzakonshëm në historinë e vendit. Më 2019, Shërbimi Postar i SHBA-së njoftoi se Spencerët do të shfaqen në serinë kartpostale “Forever”, në nderim të personaliteteve të Harlemit, në një kuartet me Alain Locke, Nella Larsen dhe Arturo Alfonso Schomburg.

Përgatiti dhe shqipëroi: GRIGOR JOVANI, Athinë, shkurt 2023

—–

SI KENDOJNË DHE VDESIN POETËT!

Ah, si këndojnë dhe vdesin poetët!

Bën një këngë dhe ta merr Parajsa.

Ke një zemër dhe Bukuria ta plasarit.

Chatterton, Shelley, Keats dhe unë…

Ah, si këndojnë dhe vdesin poetët!”

(Nga The Book of Smerikan Negro Poetry)

Leave a Reply

Your email address will not be published.