QËLLIMI I ARTIT ËSHTË TA PËRGATISË NJERIUN PËR VDEKJEN

Kinematografia përgjithësisht mund të përkufizohet si lloj arti origjinal që ngërthen në vete shkallë të lartë tensioni krijues dhe që vështirë arrihet të kuptohet

Andrei TARKOVSKY

Kinematografia përgjithësisht mund të përkufizohet si lloj arti origjinal që ngërthen në vete shkallë të lartë tensioni krijues dhe që vështirë arrihet të kuptohet. Me ketë s’dua të them që unë s’arrij të përçoj kuptim, por që thjesht nuk bëj filma për masa sikurse bën Spielbergu, po ta zbuloja se mund të bëjë, do të ndjeja dhembje.

Nëse doni t’i flisni një mase të gjerë, jeni të obliguar të bëni filma pa kurrfarë lidhjesh me artin si Star Wars apo Supermeni. Nuk po them se populli është budalla, porse në asnjë mënyrë nuk do t’i hyja një mundimi të tillë, vetëm për të kënaqur masat. Kinematografia nuk i mëson asgjë njerëzimit, sepse ky i fundit të paktën në 4000 vjetët e fundit e ka dëshmuar mjaftueshëm, se s’mund të mësojë gjë. Imazhi është fotografia e së vërtetës, fotografia e një shkëndije të vogël të asaj që arrijmë të kapim teksa shkëputemi nga verbëria.

Thonë se koha s’mund të kthehet prapa. Është e vërtetë. E çka të thotë e shkuara përballë realitetit të kohës së tashme, çastet e së cilës rrjedhin lumë? E shkuara, është një e vërtetë më e madhe se sa banimi në çast. Së paku më e qëndrueshme dhe më e vazhdueshme. E tashmja humbet ndërmjet gishtërinjve. Brenda së tashmes ngërthehen pakalueshëm të gjitha parakushtet e sheshimit të një të ardhme shkatërrimtare.

Formësimi dhe zhvillimi i mendimeve përcjell disa vite/mosha të caktuara. Dhe për ta pohuar këtë gjë i duhet ta dëshmoj diferencën që ka me strukturat spekulative dhe logjike. Sipas meje logjika poetike është shumë më afër strukturave të zhvillimit mendësor dhe përgjithësisht ligjeve të jetës së sa ligjet e dramaturgjisë klasike. E megjithatë drama klasike me vite është paraqitur si shembulli i vetëm i shprehjes së përplasjeve dramatike. Një mendim kompleks dhe një botëvështrim poetik, kurrë dhe për asnjë çmim s’mund të krahasohen dhe as të ngujohen në të njëjtat kontura me gjërat tejmase publike dhe botërisht të ditura. Kujtimet, përgjithësisht janë shumë të vlefshme. Për rrjedhojë njeriu për nga natyra e tij gjithmonë i zbukuron me ngjyrime poetike.

Përgjithësisht ritakimi i kujtimeve me burimin e tyre, pra ritakimi i kujtimit me burimoren, shkund cilësitë poetike të këtyre kujtimeve. Unë mendoj se nga kjo mund të derviohet një parim shumë origjinal për ndonjë film skajshmërish interesant. Logjika e ndodhive, shprishet në trajtën e veprimeve dhe sjelljeve të heroit, më pas nga këto nxirret një tregim në lidhje për kujtimet, përsiatjet dhe mendimet e heroit. E kjo na mundëson që heroin ta shohim nëpërmjet një dioptrie që s’haset tek llojet e dramaturgjisë, duke mundësuar një efektivitet të madh, zhvillim sa më origjinal të karakterit, shpalosjen e botës së brendshme të këtij heroi. Heroi në fakt s’shihet vërdallë. Por na e mundëson një mendim të rafinuar mbi atë të se çka dhe si mendon- “Pasqyra” do të veprojë nisur nga kjo premisë.

Jeta e njeriut ka aso dimensionesh, e që të tilla siç janë, mund të shpërfaqen vetëm përmes poetikës. Përkundër kësaj, regjisorët e filmave, me kokëfortësi insistojnë se kjo mund të arrihet nëpërmjet taktizimeve me metoda teknike. E në këta filma, një fenomen konkret si ëndrrat humbet nëpër hilet e filmave demode.

E bukura e fsheh veten nga ata që s’vrapojnë pas saj. E të veniturit shpirtërisht, ata që s’mendojnë mbi kuptimin dhe arsyen e ekzistencës së artit, e megjithatë denjojnë ta vlerësojnë, fatkeqësisht i dëgjon teksa reduktojnë e flasin ngurtë: “Kjo s’më pëlqeu aspak”, “S’është aspak interesante!”. Këto janë gjykime ambicioze, por që fatkeqësisht s’dallojnë nga përpjekja për ta shpjeguar ylberin nga dikush që ka lindur i verbër. Ky i verbër është krejt i pandjeshëm ndaj të vërtetës së lindur nga përvoja, dhembjet dhe përkushtimi i artistit për ta përçuar mesazhin tek të tjerët. Jeta s’është gjë tjetër pos se një kohë që i është dhuruar njeriut për t’u zhvilluar shpirtërisht përgjatë synimeve të tij në ekzistencë.

“Tregimi shpirtëror”, pra ajo që shëmbëllehet skenikisht duhet të jetë e brumosur nga nënllojet e natyrshme dhe të dukshme të jetës. Por, me këtë po sabotohet nganjëherë, bëhen kapje të rënda vizuele (fotografike dhe të kamerës), mjegullohet pamja, aplikohen metoda të dalura mode, ose një zhurmë e përshtatur.

Dhe shikuesi i edukuar në këtë frymë, reagon siç edhe pritet: “Shiko tani, nisi t’i kujtohet”. Duket se gruaja po e ëndërron”. Por, çka do kur me këso përshkrimesh pamore misterioze nuk mund të krijosh efekt filmik të ëndrrës apo kujtimit. Arsyeja përse e refuzoj kinemanë e trillit, lidhet me pamundësinë e kësaj të fundit, ta bëj kapërcimin dhe zgjerimin e perdes së bardhë, d.m.th me arsyen e moslejimit të gërshetimit të asaj që jepet në skenë me përvojat e shikuesit. Kinemaja e trillit, e vë shikuesin përballë enigmave, zgjidh nyejt e simbolizmave, pret që shikuesi të kënaqet me alegoritë, i flet përvojës së tij intelektuale. Por, për krejt këtë ndërtesë enigmash, ekziston zëvendësimi (shumë më ekonomik, vërejtja e imja), e që është fuqia e fjalës. Për këtë arsye unë në detyrën time profesionale prirem kah një lloj krijimtarie që shëmbëllen në mënyrë origjinale rrëkenë time të kohës, ndjesinë time kohore, që pulson që nga ritmet e kapura e të diktuara nga ëndrrat e entuziazmi, deri tek ritmet e lëvizjes.

Është sfilitëse për mua që njerëzve që e kanë shikuar pasqyrën t’u them se prapa saj s’qëndron asnjë qëllim i fshehtë, asgjë e koduar. Teksa mundohesha t’u them se filmi s’ngërthen asnjë qëllim tjetër pos të vërtetës, gjithmonë ballafaqohesha me një pasiguri e zhgënjim. Për disa shikues këto shpjegime të mijat s’ishin mjaftueshëm bindëse. Nuk reshtën së rëni pas gjurmëve të mistereve, simboleve e intencave, kjo sepse s’ishin të mësuar me film që vizuelizon poezinë, e që mua më zhgënjeu shumë. Meqë bota është e mbushur me enigma, atëherë dhe dukja e saj duhet të jetë e tillë, ngase mendohet, qëllim i artit s’është të zgjojë mendim, të përcjell mendim apo të shërbejë si ndonjë shembull, jo, qëllimi i artit më shumë se sa nga këto është ta përgatisë njeriun për vdekjen, ta godasë atë në skajin më të fshehur.

(Përktheu: Fatlum Sadiku)

Leave a Reply

Your email address will not be published.