RRUGËTIMI SI SAKRIFICË NË SHKALLËZIMIN ARTISTIK

(Elife Podvorica, “Dy botë në unison”, libër biografik për dirigjentin e kompozitorin Baki Jashari)

Sami PIRAJ

Në shumë raste, përfytyrimi për një ngjarje shenjëzohet dhe ka një kuptim determinues, madje pa e privuar asnjëherë semantikën e fjalës dhe kjo është fotografia. Duke shfletuar biografinë e Baki Jasharit, në librin “Dy botë në unison” të zonjës Elife Podvorica, sikur ndjehemi shumë më të përmbushur me fakte të fotografive që flasin me një ndjenjë të sinqertë, dhe krijojmë një imazh për një rrugëtim interesant e me nuanca më të ndryshme. Këto nuanca reflektojnë sakrificën individuale që natyrisht përfshihet tërë familja e deri tek rezultatet që të bëjnë të ndjehesh mirë.

Rrugëtimin e Baki Jasharit në shkallëzimin artistik, autorja e vë në dy shtylla. E para është ndjenja për të përballuar trysninë emocionale, kur një i ri shkëputet nga një ambient patriarkal dhe ballafaqohet me një realitet të logjikës së një ambienti artistik e urban, siç ishte Lubjana përkatësisht Sllovenia. Dhe e dyta, ndjenja për të mos ikur nga fryma autentike me të gjitha dimensionet, qofshin ato emocionale e deri tek ajo kur krijohet dilema: Cilën rrugë ta zgjedhë!? Atë të karrierës nën çatinë e metropoleve, apo tjetrën nën çatinë kur ende vendit i vije era urnë dhe era shkrum! Në rrugët e tilla të ballafaqimeve, artisti ndjenë frymëzimin për të qenë më afër realitetit të hidhur, siç do të thoshte poeti brilant Din Mehmeti me poezinë: “Pakëz në ëndërr e pakëz në zhgandërr”, që më vonë bëhet realitet artistik dydimensional poetiko-muzikorë, në notat e kompozuara për kor e solist e recitator nga Bakiu. Zhgëndrra e Bakiut, brumoset edhe më dendur kur fillon punën në Radio, dhe ballafaqohet me ndjenjën e demolimeve të incizimeve për të shkatërruar memorien kombëtare nga ata që vunë masat e dhunshme dhe përjashtuan frymën shqiptare nga institucionet arsimore, informative, kulturore e të të gjitha fushave të jetës sonë. Por, nga rruga nuk u tërhoq, sepse çdo ndalesë krijonte avari më të madhe se sa që ishte. Radha erdhi tek puna me institucionin më kredibël artistik, siç ishte puna me Filarmoni. Ky ballafaqim ishte edhe sfidë, edhe ndjenjë, edhe frymëzim. Një përvojë e bartur funksionoi, sepse qëllimi ishte më i fortë se sfidat e të gjitha formave. Kuptimi i ngritjes së një institucioni thelbësor të jetës artistike, siç është jeta koncertale, përmes Filarmonisë dhe Korit profesional, erdhi në një kohë, kur vendoseshin themelet e një shteti me të gjitha institucionet e veta. Unë nuk do të flas për detajet e punës së Bakiut, sepse në librin autobiografik “Dy botë në unison”, përshkruhen më së miri.

Është një dimension tjetër që nuk mundesh ta anashkalosh! Bartja e frymës artistike evropiane në Kosovë, përmes ardhjes se eminencës së këtij profile. Po të numërohen këto, janë gjithsesi shumë. Madje, i çuditshëm mbetet fakti, se paraqitjet brilante të tyre shfaqen në ambiente që nuk ofrojnë as për së afërmi nivelin çfarë duhet të jetë. Por, këta artistë kulmorë rikthehen prapë dhe disa herë me radhë. Shtrohet pyetja se cila është arsyeja? Kam bindjen se është shpirti i këtij populli që me sinqeritet e pret mikun, ndonëse kushtet janë modeste. Po të shikohen programet që përshfaqen në këtë libër, ato tregojnë rritën institucionale, ndonëse ngadalë e me vështirësi të shumta. Nga format e Divertimentove që shfaqeshin në fillimin e punës, sot orkestra luan me pasion Malerin, nga veprat vokale dy e tri pjesore, sot Kori luan veprat më bashkëkohore të literaturës korale dhe nga veprat skenike të formës koncertale, sot inskenohen me të gjitha parametrat artistike, operat kombëtare dhe ndërkombëtare, madje nga kuadri ynë. Dhe në fund si një sublimim i tërë këtij formësimi artistik, mbetet recepienti i quajtur publik i cili është edukuar dhe nuk i shqitet koncerteve, duke përcjellë me interesim, madje në numër që është inkurajuese për të ardhmen e ndritshme të jetës muzikore te ne.

Leave a Reply

Your email address will not be published.