SFIDA PËR T’U PËRBALLUR ME TË BUKURËN

“O bukuri, shpëto botën…” Dostojevski

Yzedin HIMA

E bukura, sikurse dhe e shëmtuara kanë qenë dhe janë bashkudhëtare të njeriut që nga zanafilla. Në një nga mitet e njohur të antikitetit grek rrëfehet për Lekë Pardin, djalin e Priamit dhe të Hekubës, i cili u caktua nga Zeusi për të zgjedhur më të bukurën midis hyjneshave Hera, Atena dhe Afërdita. Ato ishin të tria mjaft të bukura, por duhej zgjedhur perëndesha e bukurisë. Që në krye të herës, ndoshta në konkursin e parë botëror të bukurisë, pati përpjekje për manipulim. Hera i ofroi Paridit pushtetin mbi tërë Azinë, Atena i ofroi famën dhe fitoren në çdo luftë, ndërsa Afërdita i ofroi gruan më të bukur në botë në këmbim të kurorës, që në atë rast kishte trajtën e një molle. Bariu me origjinë mbretërore, princi i braktisur trojan, hezitoi me mollën në dorë, por nuk vonoi të zgjidhte. Më në fund mollën ia zgjati Afërditës, hyjneshës së dashurisë duke lënë në zhgënjim të thellë dy hyjneshat e tjera.

Po pse Paridi zgjodhi pikërisht Afërditën, ndërkohë që të tria hyjneshat ishin mjaft të bukura? Ndoshta u nis nga ofertat e secilës. Hera i ofroi pushtetin, Atena famën dhe fitoren në çdo betejë, ndërsa Afërdita gruan më të bukur në botë. Nisur nga logjika, gjithkush ofron atë që ka dhe atë që e çmon më shumë, Paridi mund të ketë menduar se më e bukura është ajo që ofron bukuri, ndaj dhe zgjodhi Afërditën. Ajo që të bën përshtypje është se Paridin nuk e joshi as pushteti, as pasuria, as fama, por e magjepsi bukuria. Sipas hyjnive, Helena qe gruaja më e bukur në atë botë, gruaja me bukuri fatale, që do të bëhej molla e sherrit midis akejve dhe trojanëve. Që në zanafillë, njeriu, për fat, zgjodhi të bukurën dhe ky fat qe bekim për njerëzimin, të cilit sa herë që binte në baltë, forca që e ngrinte në këmbë do të ishte e bukura.

Cikli mitologjik trojan nga lindi epi i madh i Europës, “Iliada”, sërish na rrëfen për një sherr me përmasa të mëdha: dy fise, grekët dhe trojanët, luftojnë për të bukurën. Trojanët për ta mbajtur në trojet e tyre, ndërsa grekët për ta kthyer andej nga “u grabit” me ndihmën e një force ende të panjohur mirë në atë kohë, forcë që ia kalonte çdo arti lufte, çdo force të muskujve, çdo frike prej dhunës, çdo joshje prej ari: magjisë së dashurisë, magji që e shkëputi Helenën nga krahët muskuloz të Menelaut për ta dërguar në krahët e brishtë të Lekë Paridit.Udha për tek e bukura që në zanafillë ka qenë e mundimshme, plot peripeci e të papritura, plot sakrifica e vuajtje. Janë disa udhëtime të shënjuara në veprat letrare klasike të frymëzuara nga e bukura. Sfida e sfidave në këto tekste është përballja me të bukurën.

Busulla që i drejtonte fiset e akejve drejt Trojës qenë hiret e magjishme të Helenës. Aq e ethshme qe dëshira për t’u përballur me Helenën e bukur, sa që Agamemnoni flijoi bijën e tij Ifigjeninë për të mbërritur sa më parë në Trojë. Ka një përqasje flijimi i Ifigjenisë me flijimin në një këngë folklorike që këndohet edhe sot e gjithë ditën në Jug të Shqipërisë: /Do marr sharrën të sharroj selvinë/ të të bëj sehir…/. Simboli selvia, si pemë mjaft e bukur, sakrifikohet për të mbërritur te një bukuri edhe më tronditëse. Selvia mund të ketë qenë një tjetër brengë për një vajzë të bukur, e cila e kishte hijezuar unin lirik. Rruga për te më e bukura lipsej të hapej nëpërmjet një flijimi.

Në letërsinë europiane nis udhëtimi i parë si sfidë për t’u përballur me të bukurën. Fiset helene të bashkuar nisen drejt Trojës. Për shkak të erës së kundërt u flijua Ifigjenia, vajza e Klitemnestrës dhe Agamemnonit. Pas flijimit era fryu drejt Trojës dhe anijet u nisën. Fataliteti në rrugën drejt së bukurës nis që në zanafillë. Duhej paguar çmimi i lartë si sfidë për të takuar të bukurën, si sfidë për t’u përballur me të.E bukura do të shoqëronte dhunën, trimërinë, pushtetin, famën edhe gjatë përplasjes midis trojanëve dhe akejve. Brenda një lufte të madhe për të bukurën midis trojanëve dhe akejve, kishte edhe beteja të vogla për të. Akil hyjnori largohet nga lufta për shkak se Agamemnon kreshniku i mori forcërisht të bukurën, Brisidë faqetrëndafilen: /“Shkoni në çadër te Akil Pelidit,/ m’sillni për dore Brisidë faqebukurën.”

  Mërinë e Akilit mundi ta shuante vetëm Athina sykaltra: “Prej qiellit zbrita të zbut mërinë tënde…” Për hir të bukurisë së rrëmbyer me forcën e pushtetit nga Agamemnoni, u sakrifikuan turma të tëra akejsh të vrarë nga Hektor zemërtrimi. Epi “Iliada” gjatë tetëmbëdhjetë këngëve flet për mërinë e Akilit ndaj Agamemnonit për shkak të Brisidës së bukur. Vetëm gjashtë janë këngët e tjera të poemës, që nuk flasin për këtë çështje.Në botën e vogël të asaj kohe u shfaq një vektor force ende i panjohur mirë, ende i paperceptuar në të gjitha përmasat, forca e dashurisë. Njerëzimi tani do të kishte në duart e tij një armë të paparë, e cila do të ndërtonte botën, do ta bënte atë më të bukur, dashurinë.

Orvatja e parë drejt së bukurës së “grabitur” ishte tejet e dhunshme nga akejtë dhe po aq e dhunshme dhe dëshpëruese mbrojtja e saj nga trojanët. Nëse do të njihej mirë dhe do të vlerësohej ajo ndjenjë e madhe me të cilën do të ngjizej e nyjëtohej bota më pas, konflikti midis akejve dhe trojanëve do të zgjidhej në çast: Priami dhe Agamemnoni do të vendosnin përballë njeri-tjetrit Menelaun dhe  Paridin. Pastaj do të thërrisnin Helenën  dhe do ta pyesnin: Do udhëtosh për në Spartë apo do qëndrosh në Trojë? Vetëm një lëvizje koke në një drejtim do të fashiste luftën dhe do të kursente jetët njerëzore, do të kursente edhe një qytetërim nga groposja. Natyrisht, kjo nuk mund të ndodhte sepse jemi në mug të njerëzimit kur ende gruaja dhe për rrjedhojë edhe bukuria e saj, shihej thjesht si pronë e burrit.

Udhëtimi i dytë në letërsinë europiane nuk është më pak epik se i pari. Nëse tek i pari shtysa qe bukuria, tani krahas saj, kemi edhe një arsye tjetër sipërane, dashurinë. Uliksi (Odiseu) niset drejt Penelopës së bukur, pjekur e tharë nga malli. Pengesat, tundimet, mundimet, të panjohurat, rreziqet dhe të papriturat e udhëtimit të gjatë nuk e lodhën sepse kishte si yll polar Penelopën e bukur, atje në Itakën e shenjtëruar, në Jonin blu. Krejt ndryshe nga udhëtimi i parë, udhëtimi i dytë është plot aventura dhe rebuse, që nuk do të zgjidhen me forcën e muskujve, por me forcën e mendjes.

Nga mugu i njerëzimit i përcillet qytetërimit një mesazh domethënës nga Homeri: ka një forcë më efikase se forca e muskujve për të ndryshuar botën, është forca e mendjes. Udhëtimi zgjati plot dhjetë vjet, po aq sa edhe lufta, por nuk e zbehu, nuk e theu dëshirën e Uliksit për të shkuar drejt Penelopës. Shumëkush shkroi se magneti që e tërhiqte Uliksin drejt ishullit të vogël në Jon ishin shkëmbinjtë e Itakës, dheu i pakët i atit. Në fakt, do të qe më e besueshme se forca tërheqëse që e shkëputi Uliksin nga kthetrat e detit ishte bukuria dhe dashuria për Penelopën e virtytshme. Shkëmbinjtë e Itakës qenë thjesht dekori pas gruas së madhërishme. Pas krimit të kryer në Trojë, Uliksi do të vihej përballë provave mjaft të vështira. Si dënim apo si katarsis për t’u shfaqur i denjë në përballjen me Penelopën e bukur?

E gjithë aventura e tij e kthimit qe njohje e thellë e botës dhe e vetes. Qe reflektim i thellë për atë çka kishte ngjarë rreth mureve të Trojës. Qe pastrim i shpirtit dhe mendjes si sfidë për t’u përballur me të bukurën. Udhëtimi i Uliksit ka shumë meditim, ndryshe nga “Iliada” që ka shumë veprim. Është një reflektim i thellë për atë që ngjau dhe u la pas.Udhëtimi gjatë një dekade ishte një udhëtim paralel, udhëtim në kohën që la pas, atë dekadë lufte rreth mureve të Trojës si meditim dhe reflektim për atë mizori që ndodhi, kujtimet e së cilës e ndjekin pas gjatë endjeve dhe udhëtim në hapësirë për të njohur botën, për të përjetuar atë në të gjitha përmasat e saj, për të krijuar një përvojë me vlera për të gjithë udhëtarët e mëvonshëm.

Ati i njerëzimit, Kronidi e ndiqte nga lart indiferent, ndërsa Atena syqiellorja i lutej: “/…Po mua më ther zemra sa më s’bëhet/ për të shkretin Uliks, t’urtë, po fatzi, që ka sa kohë, i ndarë nga miqtë, vuan / në një ishull që n’çdo anë e rrahin dallgët/ në mes të oqeanit pa kufi./

Pasi u end detrave dhe ishujve, pasi kaloi sprova të rrezikshme e të mundimshme, Uliksi arriti dhe u shfaq i denjë para Penelopës, që ndriste nga bukuria dhe virtyti: /“Kështu veç Penelopa u përmallua/ sa njohu burrin; s’ish prandaj e zonja / nga përqafimi i ëmbël të shkëputej…/

Uliksi udhëtoi, sikurse shumë udhëtarë të sotëm, për t’u larguar nga vetja, ose për të zbuluar, gjetur a formuar një identitet tjetër pas atij rrënimi që la pas, rrënim që e polli mendja e tij. Në fakt, ai vazhdon të udhëtojë ende. Tek çdo udhëtar  i sotëm gjendet nga pak Uliks.

Udhëtimi i tretë në letërsinë europiane vjen në veprën e një autori të shquar, siç është poeti i antikitetit romak, Virgjili, i cili në ndryshim nga Homeri, nuk e këndoi, por e shkroi veprën e tij, falë epokës në të cilën jetoi. Edhe tek poema e njohur e Virgjilit udhëtimi nis nga lindja dhe vijon drejt perëndimit:/“ Unë armët po këndoj dhe atë burrin,/i cili mu prej viseve të Trojës /mori arratinë, se ashtu, pra, deshi fati…/

Nëse Uliksi udhëton drejt Penelopës, zemrës së Atdheut të tij, Itakës, fitimtar, Enea ka humbur gjithçka. La pas Trojën e rrënuar dhe u nis për udhë me imazhin e saj  të shenjtë. Mbi shpinë ka “at(dheun)”, ( babanë e tij plak) dhe për dore mban birin e tij. Te “buka” e gatuar me mjeshtëri nga Virgjili, ndihet aroma e miellit homerik, sidomos në gjysmën e parë të veprës. Enea është në kërkim të së bukurës që e ka në mendjen e tij dhe në genin e tij. Ai është djali i hyjneshës Afërditë. Edhe ai është në kërkim të një atdheu tjetër po aq të bukur sa Troja. Nëse gjatë udhëtimit nuk do ta ndeshë një Trojë tjetër, lipse ta krijojë atë. Enea arrin në Epir dhe ndalet në qytetin e Butrintit ku takon Andromakën, gruan e Hektorit: /…kalojmë në fund brigjeve të Epirit/dhe hyjmë pastaj në portin e Kaonisë/dhe jemi pranë qytetit të lartë Butrint.

Më tej, në udhëtimin e tij, magjepset nga një grua e bukur sikurse ishte Didona e Kartagjenës. I goditur nga bukuria dhe për rrjedhojë edhe nga dashuria për gruan e bukur, Enea zgjedh për atdhe pikërisht Didonën dhe një shpellë si strehë. Me ç’duket që në zanafillë e bukura është atdheu i preferuar të gjithëve. Fatin e tij e ndërron, sikurse edhe në epet homerikë një hyjneshë, e ëma e tij Afërdita, e cila e detyron të niset sërish në udhëtim, duke i kujtuar se nuk është ky fati i tij. E gjen fatin e tij te Lavinja e bukur, vajza e mbretit Latin. Edhe Enea përballet me një sakrificë të madhe. Për ta merituar bukurinë ka para sfidën e ndeshjes me Turnin, mbretin e rutulëve, i cili dëshiron të njëjtën bukuroshe. Beteja, siç dihet, përfundon në duelin midis Eneas dhe Turnit, i cili mposhtet nga trimi trojan. Enea e pranon sfidën për t’u përballur me të bukurën dhe e fiton atë. Trashëgimia e tij, sikurse origjina e tij, do të jetë një nga bukuritë e ardhshme të botës, Roma. 

Udhëtimi i katërt në letërsinë europiane është nga më të ndritshmit. Tani ky udhëtim imagjinar nuk ndiqet nga lart nga çeta e zotave të Olimpit, por nga një Zot i vetëm. Nuk dihet se cili ka qenë mendimi i Dantes për Homerin, gjeniun analfabet, mësuesin e të gjithë poetëve ndër kohëra, por ndikimi i tij te poeti i Komedisë Hyjnore është i prekshëm. Udhëtimet homerike nisin nga Perëndimi drejt Lindjes dhe sërish nga Lindja drejt Perëndimit, ndërsa udhëtimi dantesk nis nga kjo botë dhe vazhdon në botën e amshuar. E përbashkëta është përpjekja mbinjerëzore për t’u përsosur në të dy përmasat: në përmasën shpirtërore dhe në atë mendore për të qenë i denjë për t’u përballur me të bukurën. Helena, Penelopa, Beatriçja janë gratë rrezatuese që ndritin udhëtimin e subjekteve poetike, frymëzuar nga bukuria e tyre. Udhëtimet homerike zgjasin secili nga dhjetë vjet, ndërsa udhëtimi dantesk zgjat vetëm shtatë ditë. Dante, personazh e autor njëkohësisht, e nis udhëtimin pikërisht i lodhur dhe i zvenitur nga jeta e njëmendët e kësaj bote: /Në mes të shtegëtisë së kësaj jete/ u gjeta në një pyll krejt errësi,/ se kishe humbë unë rrugën e vërtetë./Në udhëtimin e tij Dante ka zgjedhur si mësues poetin e antikitetit romak, Virgjilin, ndërsa si mësuese shpirtërore ka zgjedhur Beatriçen, me bukuri e hire hyjnore. E kishte dashur Beatriçen në rininë e tij, kur bëri premtimin e famshëm se për nder të saj do të thurte një vepër të lartë dhe do t’i këndonte siç nuk qe kënduar më parë për një grua.

Vdekja e Beatriçes e përcaktoi udhëtimin imagjinar dantesk nga kjo botë për te bota e amshuar. Nuk e marrim dot me mend se në cilën formë do të nyjëtohej Komedia Hyjnore, nëse Beatriçja nuk do largohej aq shpejt nga kjo jetë, ndonëse Dantja që betuar për veprën e tij në gjallje të saj. Ndoshta nuk do të qe shkruar fare dhe njerëzimit do t’i mungonte një mrekulli si Komedia Hyjnore.

Për t’iu afruar Beatriçes, për t’u ngjitur në Parajsë, aty ku rri Zoti, Dantja lipsej të ishte i denjë në të dy përmasat njerëzore: në mendje dhe shpirt. Sfida për t’u përballuar me Beatriçen  e detyroi Danten të kërkonte mësuesin më të mirë që kishte njohur dhe njihte. Ky mësues që do t’i ndritte mendjen ishte Virgjili, me të cilin kishin një largësi kohore prej trembëdhjetë shekujsh. Po pse zgjodhi pikërisht Virgjilin dhe nuk zgjodhi një mjeshtër bashkëkohor?! Ndoshta ka qënë i vetëdijshëm se më i dijshi i kohës së tij ishte ai vetë. Kjo pyetje është pa vend nëse kemi parasysh: Shekspiri a nuk i zgjodhi mësuesit e tij te tragjikët e famshëm grekë? Po njerëzit e sotëm a nuk i kërkojnë dhe i zgjedhim mësuesit e tyre më të mirë në thellësi të kohrave?! Cili nga ne nuk do të preferonte para mësuesve të kohës sonë një mësues si Platoni, Shekspiri apo Dostojevski?! Virgjili pati durimin pët t’i shpjeguar e ftilluar të gjitha enigmat e asaj bote, por edhe Dante pati durimin dhe këmbënguljen për të mësuar: “/thashë: “O mësues, çfarë peshe heqë do të jetë / nga trupi im, i randë deri tani,/ që po më bahet si me pasë vu fletë?”Dantja, me ç’duket, ndihet një copë shkëmbi i palatuar, para se të takohej me Virgjilin. Padija i rëndon. Dante e sheh padijen si rëndesë që e pengon njeriun të ecë shpejt. Duke ndriçuar mendjen e flak tej rëndesën dhe ndihet me flatra. Mësimet e Virgjilit e gdhendin, duke i hequr pjesët e tepërta, për t’u shfaqur më pas fytyra e tij njerëzore. Nuk thuhet kot që mësuesit e vërtetë lënë pas vepra njerëzore.

Poeti i famshëm i Eneidës do ta përsoste Danten në përmasën mendore. Ai ishte i dijshëm dhe kurrë nuk u lodh së shpjeguari nxënësit të tij Ferrin dhe Purgatorin: /“Një hap mos e ço bosh” – më tha prisi i ndritun../  Ky varg duhet shkruar në vetdijen e çdo njeriu, që në çastet kur ai nis të hedhë hapat e parë. Dhe kur përmasa njerëzore e dijes u plotësua, lipsej të plotësohej përmasa shpirtërore. Beatriçja me dritën e hireve të saj i formon Dantes një shpirt të lartë, larg mëkateve e ndotjeve të përkohshmërisë tokësore. Ka një raport interesant në veprën danteske: sa më shumë përsoset subjekti poetik në të dy përmasat, aq më e bukur i shfaqet Beatriçja. Është magjia e dijes dhe përjetimit, e edukimit të shijeve të holla estetike, që e pajis subjektin mendues me ato “shqisa” tepër, të cilat mungojnë te njeriu i pakultivuar, te njeriu i pailuminuar. Udhëtimi i Dante Aligerit përfundon me përballjen e tij me Beatriçen. Sfida e përballjes me të bukurën qe realizuar mrekullisht: Dantja i denjë takohet me Beartiçen, ndërsa njerëzimi do të kishte në duar një vepër të paarritshme për nga forma e nyjëtimit dhe forca e frymëzimit për të qënë vërtetë njeri.

Udhëtimi i pestë është ndoshta ndër udhëtimet më tragjike dhe njëherësh më komike që mund të ndeshim në letërsi. Romani i Servantesit “Don Kishoti i Mançës” na rrëfen për udhëtimin e një personazhi të papërsëritshëm në letërsinë botërore. Don Kishoti, pasi e “përsos” mendjen dhe shpirtin e tij me letërsi kalorsiake, ndihet gati për të kryer vepra të mëdha, sikurse sivëllezërit e tij të një kohe të perënduar. Ai do të ndryshojë botën, ta bëjë atë më të mirë, më të drejtë, më njerëzore. Qëllimi i tij është tejet fisnik, pavarësisht mjeteve qesharake. E nis këtë udhëtim me synimin për të ndrequr botën, por duket se qëllimi i tij kryesor është të sfidojë të gjithë kalorësit që vërtiten në mendjen e tij dhe të ndeshet me ta për të merituar vëmendjen e bukuroshes eterike Dylqinjës së Tobozës. Pikërisht, Dylqinja e bukur, e projektuar veç në mendjen e tij, është shtysa e këtij udhëtimi. Për të qenë i denjë para saj, Don Kishoti i Mançës është gati të përballet me të gjitha sakrificat, të ndeshet me të gjithë kalorësit sivëllezër të tij, të cilët vraponin jo në botën e njëmendët, por në fantazinë e tij. Vrapimi i tij, krahas marrëzive, jermit të pandreqshëm, ka dhe një dukuri fisnike, shenjtërimin e bukurisë, së cilës i blatohen të gjitha bëmat dhe përpjekjen për ta bërë botën më të bukur, të denjë për një zonjë si Dylqinja e Tobozës. Në romanin e Servantesit, ndryshe nga veprat e përmendura më lart, personazhi kryesor i kalon kufijtë e të mundshmes në sfidën e përballjes me të bukurën. Madje, Don Kishoti, ndryshe nga personazhet e lartpërmendur, i duhet ta krijojë të bukurën me fantazinë e tij pjellore.

Udhëtimi i gjashtë është tragjik. Shtysa e këtij udhëtimi ka përmasa të tjera. Tani e bukura nuk mishërohet te femra, por te bota, që lipset të përsoset me hiret e nje femre të bukur, plot virtyte, larg vesit, krimit, hipokrizisë, mashtrimit, ligësisë, etjes për pushtet, mosmirënjohjes, etj. Hamleti, personazhi i famshëm i Shekspirit, i dashuruar me këtë lloj bote, takuar në libra dhe projektuar në fantazinë e tij, e shikon Ofelinë si një krijesë tepër të brishtë, një botë e bukur në miniaturë për të realizuar kredon e tij estetike, ndaj e shmang nga rruga e tij për ta ndrequr botën. Fantazia e tij ia kalon fantazisë së Don Kishotit, i cili kishte për kufij të fantazisë së tij këtë botë, ndërsa Hamleti me forcën e fantazisë së tij depërton edhe në botë të tjera. Fantazia e Hamletit merr përmasa kozmike, kur ai “e shalon” atë dhe udhëton në kohërat që do të vijnë, duke i caktuar kufij të qartë të mirës dhe të keqes, të bukurës dhe të shëmtuarës, të vërtetës dhe gënjeshtrës, jo vetëm në një kohë, por për të gjitha kohërat. Gjeniu Shekspir zbulon se ç’është mirë e ç’është keq, jo vetëm në epokën e tij, por edhe në epokat që do të vijnë. Dhe të mendosh se raporti midis të mirës dhe të keqes, në rrjedhën e kohës përmbyset, herë- herë edhe brenda një dekade e jo gjatë shekujve. Udhëtimi i Hamletit i ngjet mjaft udhëtimit të Don Kishotit. Të dy duan të ndreqin botën, ta bëjnë atë më të bukur. Don Kishoti për aventurë, ndërsa Hamleti për mision. Hamleti ka rënë në dashuri me botën, por me atë botën e tij të ëndërrt. Të dy janë të marrë. Edhe kufijtë e marrëzisë së tyre shtrihen edhe në kohë edhe në hapësirë. Të dy dështojnë në kohën e tashme, por të dy triumfojnë në kohën e ardhme. Projektimi i botës së bukur nga Hamleti ka  dimensionet universale në kohë dhe hapësirë. Edhe sot thirrja e tij për ndreqjen e botës është mision i çdo njeriu të iluminuar që ndihet pakëz hamlet. Ndryshe nga udhëtimet parendëse, udhëtimi i Hamletit përfundon tragjikisht. Ëndrra e tij për ta ndrequr botën, për ta bërë atë më të denjë për të jetuar u përcoll brezave të kohrave që do të vijnë. Bota nuk ishte e denjë për Hamletin apo Hamleti nuk ishte i denjë për botën?! Mos vallë ai i përkiste një tjetër bote që do vinte shumë kohë më pas? Edhe bota u përpoq për ta ndryshuar Hamletin, për ta bërë atë më realist, më pragmatist. Nga Hamleti lipsej një kompromis i tillë: të bënte sikur nuk kuptonte, sikur nuk meditonte, sikur nuk dyshonte dhe gjithçka do të rridhte në hullitë e kohës së patrazuar. Hamleti do të realizonte përshpirtjen për të atin, do të përkulej me nderim para mbretit, ungjit të tij, do përqafonte nënën e tij dhe do të nisej për në Vytemberg bashkë me mikun e tij, Horatin. Koha sërish do të punonte për të. Më pas ai do të trashëgonte fronin dhe bota nuk do të dridhej nga disa të vërteta që rrallë herë dalin në dritë të diellit. Hamleti zgjodhi të përballej. Nuk besoj se ka ndonjë që  të mendojë se në përsosjen e botës vit pas viti, dekadë pas dekade, shekull pas shekulli, nuk ka ndikuar edhe mendja dhe shpirti i trazuar i Hamletit, dilemat e tij, neveria e tij për të shëmtuarën, shfaqur nëpër skenat e teatrove të botës. Në çdo teatër të botës gjendet një qyngje e padukshme që lidh platenë me qyngjet e ujërave të zeza. Aty, gjatë dhe menjëherë pas çdo shfaqjeje teatrore, rrjedh zgjyra e ndotjes shpirtërore dhe zgjyra e ndotjes mendore të qytetarëve të pranishëm, pas katarsisit të shkaktuar nga arti, doemos ai shekspirian. E natyrisht, gjatë viteve, gjatë shekujve ky proces nuk u ndal dhe bota u bë më pastër, bota u bë me e mirë, bota u bë më e bukur, bota u bë më e jetueshme. Aty u nyjëtua qytetërimi, Europa moderne.

Udhëtimi i shtatë është një nga më interesantët në letërsinë botërore dhe vjen përmes një vepre të mrekullueshme siç është “Fausti” i J. V. Gëtes. Në dallim nga udhëtimet pararendëse, udhëtimi i personazhit të tragjedisë “Fausti”, krahasuar me udhëtimet e personazheve të Homerit, Virgjilit, Dantes, Servantesit, Shekspirit, zgjat gjatë më shumë se një jetë njerëzore. Fausti udhëtoi në shtratin e lumit të dijes dhe në fund të jetës vuri re se nuk kishte depërtuar në misteret e natyrës as me dijet shkencore, as me magjitë. Ndërkohë që kishte ndriçuar mendjen, kishte lënë pas dore shpirtin. I zhgënjyer nga jeta e njëanshme vendosi t’i japë fund jetës. Në atë të ditë të lume të Pashkës e shpëtuan nga vetëvrasja tingujt e kambanave që lajmëronin ringjalljen e Jezu Krishtit. Më tej jeta e tij do të vazhdojë në kurbën midis baltës dhe qiellit, midis djallit dhe Zotit, si bast i tyre se kush do ta fitojë shpirtin e Faustit. Fausti, me udhëtimin e tij, shënoi gjurmët njerëzore në kohë, gjurmë të pashlyeshme, si shenja të rrugëve që lipset të ndjekë njeriu i ardhshëm për të arritur sublimen në fund të jetës së tij. I vetëdijshëm që ishte gjeni, Gëtja e gjeti për detyrë që me një vepër të përkryer artistike t’i jepte qytetërimit botëror “guidën” që duhet të ndiqte për t’u realizuar në të gjitha përmasat njerëzore. Vetë vepra dhe jeta e Gëtes janë shembull i shkëlqyer i mundësive njerëzore, punës së mundimshme dhe arritjes në lartësi të tilla, ku njeriu ndihet njeri dhe prek lumturinë. Jeta e Faustit dhe jeta e Gëtes ngjajnë si dy pika uji. Te ky udhëtim nuk mungon edhe gruaja që bëhet ylli polar në rrugën e heroit drejt përsosjes. Ajo grua-dritë është tepër lart dhe tepër larg, ndaj personazhi do të përballet  me sfidida të njëpasnjëshme për t’u ngritur lart dhe për t’u përballur me të. A ka ngjashmëri midis udhëtimit të Faustit dhe udhëtimit të Dantes? Ngjashmëria është domethënëse. Edhe Fausti si Dantja e shikon udhëtimin jetësor si sfidë për t’u përballur me të bukurën. Të dy personazhet kujdesen për t’u përsosur në të dy përmasat, shpirtërore dhe intelektuale. Ka një përgjasim midis Beatriçes së Dantes dhe Margaritës së Gëtes. Janë të dyja burim i pashtershëm energjie shpirtërore dhe virtyti. Edhe udhëtimi i Faustit i ngjet udhëtimit të Dantes. Të përbashkët kanë edhe çastin e rilindjes, ditën e Pashkës kur nis udhëtimi dantesk dhe në këtë ditë rilind në një dritë të re Fausti. Shoqëruesit e tyre ndryshojnë. Virgjili plot dritë dije dhe Mefistofeli plot drithma terri. Dante shkon te Ferri, ndërsa Ferri (Mefistofeli) vjen te Fausti. Nëse Virgjili e merr për dore Danten dhe i tregon të fshehtat e përtejbotës, Mefistofeli nuk e lë të prehet asnjë çast Faustin, duke e nxitur drejt sfidave të reja. Ai është nata që e shtyn Faustin drejt dritës: …unë nuk jam veçse një copë nga ajo copë, / e cila në fillim qe e gjitha./ Një copë e errësirës që ka pjellë dritën…/ 

Janë fjalët e prezantimit të Mefistofelit te Fausti. Nëse Virgjili hedh dritë te skutat e errta të padijes së Dantes, Mefistofeli nxit pa ndalim energjitë krijuese dhe vepruese që flenë te Fausti. Në fakt, të dy personazhet janë vetja e dytë e Dantes dhe Faustit. Virgjili, poeti i madhërishëm, me veprën e tij poetike, është vetëdija e Dantes, frymëzuesi i tij për zbulim, njohje, dije dhe përsosje mendore, ndërsa Mefistofeli është vetja djallëzore e Faustit, e keqja e domosdoshme për t’u ndeshur dhe për t’u ngjitur drejt sublimes në luftë më të ultën, vulgaren, limontinë. Kur shfaqet Helena, ikona e përjetshme  e bukurisë femërore, Fausti gurëzohet nga bukuria: Kam ende sy? Në shpirtin tim a s’derdhet / më i pasuri burim i Bukurisë? / Udhëtimi i frikshëm më pru lumturinë, / përpara bota s’ish për mua asgjë / … Ty t’i kushtoj fuqitë e shpirtit tim, / ngjalljen e ndjenjave të zjarrta / dhe dashurinë, lutjet, adhurimin. / ( Fausti, fq. 371 ) Nata e Valpurgës klasike e përgatit Faustin për t’u përballur me Helenën e Spartës. Ndërsa prek truallin klasik, Fausti fiton energji të pazakonta: … Ky ësht’ ajri që thithte zën’ e saj / këtu jam, si për çudi, në tokën greke! ( Fausti, fq. 403 ) Takimi me Hironin, mësuesin e Akilit, Jazonit, Herakliut dhe Asklepit i jep përvojën e artit që nga lashtësia e largët deri te periudha e ndritshme klasike greke. Në dialogun me Hironin për Helenën, Fausti thotë: Vajzë  – e rrëmbejnë; plakë – e dashurojnë. / Poetin nuk e lidh askurrë koha! /… E pe qëmoti ti, sot e pashë unë. E bukur sa hirplotë, sa joshëse aq e bukur. Bukuria, me ç’duket, është materiali më i qëndrueshëm. Nuk e zbehin shekujt. Ajo është pikturë e mrekullueshme në kanavacën e kohës. Doktor Fausti e ndërton, e materializon shtatin e saj me mallin dhe adhurimin e tij për të bukurën. Natyrisht, Nata klasike e Valpurgës e ka pajisur mendjen dhe shpirtin e tij me të gjitha instrumentet e perceptimit dhe krijimit të së bukurës: Si s’mundem unë me mallin tim të zjarrtë / ta sjell në jetë shtatin e pashoqtë? / Atë krijesë hyjnore, të amshuar. /( Fausti, fq. 421) Udhëtimi i Faustit është udhëtim progresiv dhe digresiv. Ai shkon nga mesjeta në antikitet, me lehtësinë e “vrapit” të  mendjes së njeriut, pa asnjë pengesë. Ai e fiton sfidën për t’u përballur me të bukurën, falë eksperiencës së tij intelektuale dhe shpirtërore: Oh, mos e përçmo, o zonjë e madhërishme, / dhuntinë tëndë aq të rrallë, / se vetëm ti ke fatin më të ndritur, / lavdinë e Bukurisë që sundon gjithçka./ … Por edhe më kryeneçi burrë përkulet / para gjithmonë ngjadhnjyeses Bukuri. / (Fausti, fq. 473)./

Shigjetat e dashurisë që shpërndan Helena e kanë plagosur rëndë shpirtin e Faustit. Ato shigjeta kanë udhëtuar në kohë, apo Helena jeton te çdo grua e bukur, në cilëndo kohë?! Helena është aq e bukur, sa i shiton njerëzit që janë në rrezen e saj të bukurisë. Linkeu, symprehti, i goditur nga bukuria, harron të lajmërojë ardhjen e Helenës. Njihet te folklori ynë magjepsja nga bukuria e zanës. Përballja me të bukurën kërkon energji të madhe. Faustit, në përballjen me Helenën, i ikën fryma, i ikën zëri, humb vetëdijen, çorientohet deri në atë masë sa humb përmasën hapësinore dhe atë kohore: Mezi marr frymë, fuqi të flas nuk kam; / si në endërr, s’di në ç’vend e kohë jam. ( Fausti, fq. 511). Nga fundi i tragjedisë shfaqet edhe një mesazh i drejtpërdrejtë i Gëtes: …Veç ai e meriton hirin e grave / i cili di t’i mbrojë trimërisht. /

Po atë dritë bukurie zjarrmuese të Helenës e hijezon vetëm një grua për syrin e mprehtë të Faustit, Margarita. Po cila është “arma” e saj? Energjia e bukurisë së Helenës e ka burimin te pamja, ndërsa energjia e bukurisë së Margaritës është shumë më e thellë dhe shumë më e qëndrueshme dhe depërtuese. Ajo buron nga shpirti i saj. Drita vjen së brendshmi dhe depërton jo vetëm te syri, por pushton mendjen dhe zemrën e burrit. Bukuria e jashtme e lë zemrën të ftohtë, ndaj Fausti, i cili nuk ia shiti shpirtin djallit, pra Mefistofelit, i denjë për t’u përballur me bukuri shpirti, ngjitet lart në parajsë dhe bashkohet me Margaritën, sikurse Dantja me Beatriçen. Kur i shfaqet Margarita, zbehet bukuria drithëruese e Helenës: …Ajo lëshonte dritë më fort se çdo thesar… (Fausti, fq, 541.) Bukuria e Margaritës nuk është thjesht bukuri, por mbart edhe vlera virtyti, ndaj Fausti e shikon dritën e saj si dritë thesari. Pas punës në dobi të njerëzve, Fausti njohu lumturinë që sjell altruizmi te mendjet dhe shpirtrat e kultivuar. Kjo lumturi kurorëzihet pikërisht me bashkimin e shpirtit faustian me Margaritën: Ajo që s’arrihet / Veç këtu  gjen plotesi. / Gjithçka e pashpjegueshme / këtu është krejt e qartë: / e amshueshmja femërore / na tërheq gjithnjë lart. / (Fausti, fq. 635)     

Personazhet e autorëve posthomerikë Virgjit, Dantes, Shekspirit, Servantesit, Gëtes në udhëtimin e tyre nuk mund të shmangnin gjurmët e dy udhëtimeve të para në letërsinë botërore: të akejve drejt Trojës dhe të Odisesë nga Troja drejt Itakës. Të gjitha udhët e tyre do të kryqëzoheshin në një udhëkryq, në antikitetin grek, aty ku nisin të gjitha udhët e endjes së personazheve të letërsisë botërore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.