Shërbimet e posaçme të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë merreshin me “raporte kulturore” për të monitoruar përhapjen e ideve dhe informacionit që mund të ndikonte në stabilitetin politik të regjimit si dhe në njollosjen e vlerave soc-realiste
Nga Avni HALIMI
Janë të shumtë dokumentet arkivorë nga Arkivi Shtetëror Shqiptar që flasin për iniciativat ndërshtetërore për bashkëpunim në mes të Shqipërisë dhe Jugosllavisë në sferën e arsimit dhe të kulturës, të cilat u iniciuan kryesisht në fillim të vitit 1970 e tëhu, deri më vitin 1981 kur pas demonstratave në Kosovë do të ndërpritet çdo komunikim me Shqipërinë. Në shumë nga këto dokumente vërehet angazhimi dhe serioziteti kombëtar i institucioneve shtetërore shqiptare, të inteligjencies shqiptare, të diplomacisë kombëtare që këto marrëveshje të jenë ekskluzivisht në të mirë të shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë e që duhet të zhvillohen në frymë të soc-realizmit!
Natyrisht, qëndrimi i palës shqiptare përcillte mesazhe kryekëput politike, duke ia bërë të qartë palës jugosllave se vetëm Kosova dhe shqiptarët e viseve të Jugosllavisë mund të jenë urë komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve respektive. Kurse pala jugosllave gjithnjë ka këmbëngulur në përpjekjet e tilla për marrëveshje bilaterale që nga bashkëpunimet ndërshtetëror të përfitojnë proporcionalisht sa shqiptarët aq edhe kombet e tjera jugosllave. Meqë pala shqiptare nuk është pajtuar asnjëherë me të tilla propozime jugosllave, Jugosllavia gjithnjë ka refuzuar të nënshkruaj marrëveshje për bashkëpunim kulturor në mes të Shqipërisë dhe Kosovës.
Këmbime të aktiviteteve kulturore në mes të Shqipërisë dhe Kosovës ka pasur falë marrëveshjeve ndërinstitucionale arsimore e kulturore që ishin nënshkruar në mes të katedrave/fakulteteve të gjuhës dhe letërsisë, përmes shoqatave të shkrimtarëve të Tiranës dhe Prishtinës, përmes ansambleve kulturo-artistike, shoqatave arkeologjike etj.
Raporti “sekret” mbi botimet e “RILINDJES”
Në këtë periudhë do të nisë edhe shkëmbimi i parë i botimeve mes Shqipërisë dhe Kosovës, pas arritjes së marrëveshjes në mes të Redaksisë së Botimeve të “Rilindjes” në Prishtinë me Ndërmarrjen e Librit e të Filmit të RPSSH-së në Tiranë. “|Rilindja” do të botojë përtej asaj çfarë i ofrohej nga Tirana zyrtare. Do ta botojë veprën “Nga jeta në jetë – Pse?!”, e cila atëbotë nuk shënohej madje as në bibliografinë e Sterjo Spasses, do të botohet kolona prej 10 vëllimeve të Petro Markos, kolonë kjo që në Tiranë nuk ishte as sa gjysma e asaj që u botua në Prishtinë, botimi luksoz i veprave të Eqrem Çabejt etj.
Në bazë të një dokumenti te deklasifikuar më 28. 07. 2023 në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, vërehet se si përzgjedhësit shqiptarë që propozonin se cilat vepra dhe cilët autorë shqiptarë nga Kosova të botohen në Shqipëri, sugjeronin që këto botime duhet të redaktohen (censurohen) dhe të hiqen ato pjesë të papërshtatshme për sistemin e kohës.
Dokumenti në fjalë, i vitit 13.02.1981, i cili kualifikohet si sekret, është një raport (i autorit Ajet Haxhiut), i cili fillon me nënvizimin e numrit të botimeve nga “Rilindja” për vitin 1980. Sipas raportit në fjalë, në këtë vit ishin botuar 175 tituj nga fusha të ndryshme, ndër të cilët numri më i madh ishte i autorëve nga Shqipëria dhe Kosova. Sipas raportuesit, gati çdo botim arrinte tirazhin prej 5000 ekzemplar. Raportuesi nënvizon kompletin e librave të Ismail Kadaresë, një vepër të Dritëro Agollit, librin e Alfred Uçit “Estetika, Jeta, Arti”, si dhe thekson se gazetat e Kosovës kanë botuar edhe recensione dhe artikuj të ndryshëm mbi këta autorë. Po ashtu, raportuesit flet edhe për botimet e planifikuara për vitin 1981. Do të botohen rreth 150 vepra, prej të cilave 75 vepra do të jenë të autorëve shqiptarë: 50 nga Kosova e 25 nga Shqipëria, si: Eqrem Çabej “Gjuhësia indoevropiane”, Mahir Domi “Vepra të zgjedhura”, Selman Riza “Studime albanistike II-III”, Gjergj Zheji “Vështrime metrike”, Fan Noli “Vepra e plotë”, Ndre Mjeda “Vepra e Plotë”, Dritëro Agolli “Vepra të zgjedhura”, Zija Çea “Tregime të zgjedhura”, Xhavahir Spahiu “Poezi të zgjedhura”, “Petro Marko “Hasta la Vista”, Skënder Drini “Shembja e idhujve” etj.
Autori i dokumentit tërheq vërejtjen se, ndonëse edhe në Shqipëri ka pasur botime e artikuj shkencorë nga autorët kosovarë, megjithatë, nuk është bërë aq sa duhet. “Kuptohet, ata mund të botohen me ndonjë shkurtim e parathënie të nevojshme”, thotë raportuesi në dokumentin katërfaqësh, duke sugjeruar botimin e këtyre autorëve kosovarë: Zekeria Cana “Lëvizja kombëtare shqiptare në Kosovë më 1908-1912”, Zef Mirdita “Dardanët”, Mark Krasniqi “Gjurmë dhe gjurmime” dhe Hivzi Islami “Popullsia e Kosovës”.
Raportuesi e përfundon raportin duke shprehur habinë se si, edhe pse që nga viti 1979 i kishte propozuar SHB “Naim Frashëri” që të botonte ndonjë poet serb, kjo nuk kishte ndodhur akoma!
“Kujdestarët kulturor” si pararojë të regjimit
Jo vetëm ky dokument, por edhe sërë të tjerash të kësaj natyre, flasin për angazhimin e “kujdestarëve kulturorë” që botimi i autorëve në të dy vendet respektive të bëhej vetëm pasi ata të kenë kaluar verifikimin shtetëror të institucioneve gjegjëse të sistemit. Asnjë autor disident, bohem e “rebelues” të Kosovës nuk mund të propozoheshin për botim në Shqipëri. Prandaj, deri në rrënim të sistemit totalitar shqiptar, në Shqipëri lexuesi shqiptar asgjë nuk dinte për Adem Demaçin, për Teki Dervishin, Ibrahim Rugovën, për Mirko Gashin, Sabri Hamitin, Ymer Shkrelin, Anton Pashku, Zejnulla Rrahmani, IdrizAjetit, Rexhep Qosjes, Ali Hadrit etj. Pra, regjimi shqiptar preferonte të botojë autorë shqiptarë që ishin të pranueshëm në sistemin jugosllav për disa arsye strategjike dhe politike, sepse: a) duke promovuar autorë që ishin të njohur dhe të pranueshëm në Jugosllavi, Shqipëria përpiqej të mbante një marrëdhënie më të qëndrueshme me fqinjët e saj jugosllavë, dhe me këtë sadopak të minimizoheshin tensionet politike; b) regjimi shqiptar i shihte këta autorë kosovarë si një mënyrë për të forcuar identitetin shqiptar bazuar në vlerat socialiste si dhe për të promovuar vlera kulturore që ishin të pranuara edhe nga jugosllavët, duke e bërë kështu letërsinë dhe shkencën kulturore si mjet komunikimi “të të njëjtës ideologji”; c) duke zgjedhur autorë “shtetëror”, regjimi shqiptar kishte më shumë mundësi të kontrollonte përmbajtjen dhe mesazhet e publikuara, duke siguruar që ato të ishin në përputhje me ideologjinë zyrtare dhe të mos rrezikonin stabilitetin në rajonin komunist; dhe, d) autorët që ishin të pranuar nga regjimi jugosllav tashmë kishin krijuar lidhje dhe rrjete që mund të ishin të dobishme për Shqipërinë për të promovuar letërsinë shqiptare jashtë kufijve të saj.
Soc-realizmi shqiptar preferonte poetë serb
Raportuesi në këtë dokument ka sugjeruar që të botohet ndonjë poet serb! Sepse, nga Jugosllavia po përhapej propaganda se vetëm serbët janë për ruajtjen e vlerave komuniste, ndërsa sllovenët jo, sepse ata kishin nisur të propagoheshin si “shoqëri perëndimore”, kroatët po sulmoheshin si kolaboracionistë të ustashëve që po angazhoheshin për shpërbërjen e Jugosllavisë, boshnjakët po përbuzeshin si tradicionalistë të prapambetur nga përcaktimi i tyre për t’i takuar me fanatizëm islamit etj.
Pa dyshim, shërbimet e posaçme të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë merreshin me këtë lloj raportimi për të monitoruar përhapjen e ideve dhe informacionit që mund të ndikonte në stabilitetin politik të regjimit. Ato mbikëqyrnin si përmbajtjen e botimeve ashtu edhe ndikimin e mundshëm të këtyre botimeve në opinionin publik, veçanërisht për çështje që lidhen me identitetin kombëtar dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo ishte një mënyrë për të siguruar që narrativa zyrtare e Shqipërisë dhe Kosovës (si njësi përbërëse e Jugosllavisë) të mbetej e kontrolluar dhe e konsoliduar.