SHKRIMTARI PAULIN SELIMI DHE PUSHTETI I TIJ I HUMORIT

 Shënime për librin “Ars Longa, Vita Brevis” (Në kujtim të shkrimtarit të humorit Paulin Selimi – Shkodër, 19.11.1947 – Shkodër, 23.01.2013), përgatitën: Donika Selimi, Jani Malo; e botoi Sh. B. “Nereida”, Tiranë 2022.

Xhahid BUSHATI

1.

Si lindi libri “Ars Longa, Vita Brevis”, në kujtim të shkrimtarit të humorit Paulin Selimi? Një grup miqsh, sigurisht duke filluar nga familja, të cilët e kanë njohur Paulinin në vite e periudha të ndryshme të jetës, u mblodhën së toku dhe përmes shkrimeve të tyre rrëfyen kujtimet për Artistin që u nda nga jeta në një moshë kur talenti i tij në fushën e humorit e të satirës ishte ende në lulëzim për të na dhënë krijime të reja. Në ato kujtime shëtit dhe nuk ikën: malli, loti, dhimbja, mirënjohja, pengu, dëshpërimi, mos-harresa, buzëqeshja, ëndrra, e qeshura, miqësia, batutat, bëmat, ndodhitë, befasitë, situatat humoristike për shkrimtarin-brilant të humorit shqiptar Paulin Selimi. Po ç’të kujtojnë më parë: Donika Selimi (e shoqja), Primo Shllaku, Zhuljana Jorganxhi, Ylli Pepo, Ahmet Shqarri, Zija Vukaj, Ndue Lazri, Rita Gjeka, Jetmir Shpuza, Vladimir Myrtezai, Ilir Seci, Gac Begu, David Boseta, Zhaneta Shqepa, Zef Gjeta, Pëllumb Kulla, Agim Doçi, Elton Selimi (i biri), Vanda Selimi (e bija), Jani Malo, Stefan Çapaliku?.. Një gjë kanë dhe është e përbashkët: – I përqafon “PUSHTETI” i fuqishëm i HUMORIT, befasues, i mrekullueshëm, i magjishëm i Paulinit, një Mjeshtër i rrallë i humorit shkodran, ku tradita e këtij rrugëtimi ndërthurej me dukuritë e reja të realiteteve që ishin dhe i realiteteve që do vinin. Janë nga ato pushtete që jetojnë gjatë, edhe pas vdekjes së atyre që i krijojnë e i manifestojnë dhe, nuk i humbasin karriget. E karriget presin lexuesit për të lexuar librat “Gati orkestra”, “Një skeç për veten”, “Banori i “Shkallës së Lartë””, “Nuk shihet fytyra vetëm te pasqyra”, “E drejta e natës së parë”, “Duel gjelash”, “Vizita e ujkut plak”, etj.; dhe spektatorët për të parë në skenë: “Kunati i shokut Xhemal”, “Kola i dritave”, “Privatizimi i trotuarit”, “Mbas mullarit”, “Kushëriri nga Amerika”, “Jepi mami!”, etj. Mënyra e të shkruarit, batutat që të falnin humor, situatat që krijonte, stili elegant, kultura intelektuale që shprehej plot finesë…, ishin disa veçori të materialeve që herë shfaqeshin në libër e herë shfaqeshin në skenë. Ndonëse libri u botua në vitin 2022, nga Sh. B. “Nereida”, ende edhe sot e kësaj dite, kushdo që e shfleton do të ndjejë zërin gazmor të Paulinit që të falë të qeshurën përmes batutave e krijimeve të tij. Përmes buzëqeshjes rri edhe pavdekësia e shkrimtarit. Me të drejtë, një koleg i tij, i shquar në fushën e humorit e të satirës, i mrekullueshmi Pëllumb Kulla, do të thoshte kështu: “Paulin Selimi në fushën e humorit publik vinte me të gjithë pajën e mjeshtërve të humorit, me traditën e batutës qit-e-prit, me emancipimin, kulturën, syrin vëzhgues dhe me aftësinë për ta qëlluar pa vonesë figurshmërinë e duhur, që humori të bëhej i pëlqyeshëm dhe të merrte jetë.”; apo siç shprehej në filozofinë e tij shkrimtari, përkthyesi dhe studiuesi Primo Shllaku: “Por unë e di se Paulini ishte njeri mendues, që për rrethana lehtësisht të imagjinueshme kthehej gjithnjë në gjysmën e rrugës dhe e braktiste horizontin e tij, për të cilin kishte lindë me mision të dyfishtë. Paulini ishte ndër njerëzit mendues… .”

2.

E njoha Paulinin. Ashtu siç njoha bashkautorët e kësaj përmbledhjeje që rrëfyen kujtimet, edhe unë nëpër vite kam jo pak kujtime. Shpesh e bënim rrugën së bashku, ai për në shtëpi e unë te dajat e mi. Shkoja, përveç të tjerave të kujtoja edhe mirësitë e gjyshes sime. Një të tillë mirësi dhe përkujdesje edhe Paulini e kishte pasur nga gjyshja. Nga leximet e mia, më rezulton që shumë shkrimtarë janë rritur në prehrin e mrekullueshëm të gjysheve. E kjo rrugë që bënin së bashku me Paulinin, unë e dëshiroja të mos mbaronte kurrë… Batutat e Paulinit ishin të tilla sa e qeshura pasonte të qeshurën… Në fakt, një bashkudhëtar të tillë, me një tipologji humori fin, është pak si rrallë të gjesh. Unë isha fatlum dhe e përjetoja me kënaqësi këtë mbretëri humori. Tani është kthyer në kujtim… Moment tjetër takimi ishte dhe Radio Shkodra. Atëherë unë punoja në Radio si gazetar kulture. Paulini vinte zakonisht me Fred Shvarcin, edhe ai kishte një humor të hollë, falë përkthimeve nga autorët botërorë që lëvronin letërsinë humoristike. Nën moderimin e gazetarit Lekë Plani, Paulini dhe Fredi ishin autorët e materialeve të emisionit “Një mijë fjalë për një pare”, i cili audienca shkodrane që e donte humorin, e dëgjonte me dëshirë, dhe, sigurisht e qeshura ishte bashkudhëtare e jetonte, pastaj në të përditshmen e mjediseve shkodrane, ku përsëriteshin papushim batutatat, dialogjet, personazhet… I dinin përmendsh dhe i ruanin si relike.

3.

Për shumë vite, repertori i shfaqjeve të Estradës së Shkodrës në të shumtën e rasteve përbëhej nga materialet plot ngjyra humori, të një humori të rrallë e të papërsëritshëm, ku merrte jetë nga interpretimet e mrekullueshme të Tanos, Paulinit, Zylit, Jolandës, Zefit, Katrinës, Mondit, Besës, Drandes, Gëzimit, Antonit, … etj. Një polifoto-rolesh që kanë mbetur në fondin e humorit shqiptar si arritje të tilla që nuk mund të përsëriten shpesh…

Leave a Reply

Your email address will not be published.