Shkrimtar me vizion të gjerë shoqëror dhe me aftësi të mëdha vrojtuese, Xoxën e karakterizonte edhe përkushtimi i rrallë ndaj punës krijuese, që manifestohet në tre rrafshe kryesore: në raport me veprën në tërësi, në raport me gjuhën dhe stilin e saj dhe në raport me lexuesin si faktor i rëndësishëm i komunikimit estetik
Agim VINCA
Jakov Xoxa është pa dyshim një nga shkrimtarët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX; krijues që la pas vetes një vepër e cila i ka të rralla shoqet në letërsinë shqipe. Një nga tregimet e hershme të tij, një rrëfim i bukur, gati në kufi të legjendës, për një bari myzeqar që vret beun për nder, titullohet Kapedani. Shëmbëllyeshëm personazhit të tij trim e krenar, Xoxa do të mund të quhej kapedan i Myzeqesë në fushën e letrave dhe veçanërisht të prozës shqipe. Rrëfimin për Myzeqenë dhe myzeqarët e filloi me novelat e tij pak të njohura (Novela I, II) dhe e vazhdoi me romanet e mirënjohura: Lumi i vdekur, Juga e bardhë dhe Lulja e kripës, ndërkohë që nuk arriti ta përfundonte projektin e madh prej pesë romanesh, ku bënin pjesë edhe veprat e mbetura në zanafillë: Ari i zi dhe Dielli lind nga malet, që do ta kompletonin pentalogjinë e tij romanore në formë të “X” (Iksit).
Sëmundja e kobshme, që i solli vdekjen e parakohshme, e gjeti “në vlagën e punës”, siç do t’i thoshte, në spitalin e Tiranës, mikut dhe bashkëvendësit të tij, shokut të penës, Profesor Nasho Jorgaqit, por edhe me aq sa krijoi arriti ta sfidonte vdekjen dhe harrimin. I lindur dhe i rritur në qytetin e Fierit, në zemër të Myzeqesë, prej së cilës nuk u nda kurrë, as kur studioi në Sofje të Bullgarisë dhe as kur krijoi marrëdhënie pune e familje në Tiranë, Jakov Xoxa shkrimtar synonte të bënte sagën e vendlindjes, të Myzeqesë dhe të mbarë fshatarësisë shqiptare, përfshirë edhe atë matanë kufijve politikë të Shqipërisë, Kosovën në radhë të parë. I pajisur me dije e kulturë të gjerë dhe me talent të fuqishëm, Xoxa ishte i vetëdijshëm se shkrimtari duhet të jetë si Anteu, i lidhur me tokën mëmë, por edhe se jetën duhet ta trajtojë gjerësisht dhe me një sens universal, gjithënjerëzor, sepse vetëm në atë mënyrë vepra letrare mund të ketë jetë të gjatë dhe të komunikojë me një rreth më të gjerë njerëzish. Mopasani, një nga gjenitë e artit letrar, që hynte në radhën e krijuesve të preferuar të Xoxës, thoshte se publiku përbëhet nga grupe të ndryshme që i thërrasin shkrimtarit orë e çast: “Më ngushëlloni! Më argëtoni! Më pikëlloni! Më mallëngjeni! Më shtyni të ëndërroj! Më bëni të qesh! Më bëni të qaj! Më shtyni të mendoj!” e kështu me radhë. Jakov Xoxa është nga të paktit shkrimtarë shqiptarë, që arrijnë t’i përmbushin këto kërkesa, duke i bërë lexuesit edhe të qajnë, edhe të qeshin, edhe të pikëllohen, edhe të ngushëllohen, edhe të ëndërrojnë, e edhe të mendojnë. Të mendojnë sidomos. Sepse Xoxa është krijues që e paraqet jetën në plotëninë e saj; me të mirat dhe të këqijat që ofron ajo. E mira dhe e keqja, dashuria dhe urrejtja, e bukura dhe e shëmtuara, jeta dhe vdekja sublimohen fuqishëm në tërë krijimtarinë e tij letrare dhe veçanërisht te Lumi i vdekur e Lulja e kripës. Shkrimtar me vizion të gjerë shoqëror dhe me aftësi të mëdha vrojtuese, Xoxën e karakterizonte edhe përkushtimi i rrallë ndaj punës krijuese, që manifestohet në tre rrafshe kryesore: në raport me veprën në tërësi (duke nisur nga fabula e syzheu e gjer te kompozicioni), në raport me gjuhën dhe stilin e saj (pasurinë e madhe leksikore, frazeologjike, figurative, semantike etj.) dhe në raport me lexuesin si faktor i rëndësishëm i komunikimit estetik.
“Unë kurrë nuk i kam konsideruar lexuesit si fëmijë, të cilëve duhet t’u bësh lloj-lloj pehlivanllëqesh që t’i detyrosh të hanë atë që do ti. Unë i konsideroj lexuesit e mi të rritur, të pjekur, njerëz me mend, të cilët duan ushqim të mirë, të pastër, të shijshëm; duan të mësojnë, të njohin, të emocionohen, të urrejnë, të dashurojnë. Për këtë përpiqem unë. Sa ia dal është punë tjetër”- thoshte me modesti.
I takoj brezit që është rritur e mëkuar me veprën e Xoxës, të Spasses, të Kadaresë, të Agollit, të Sabri Godos, të Petro Markos, ashtu sikundër edhe me atë të Esad Mekulit, të Hivzi Sulejmanit, të Adem Demaçit, të Azem Shkrelit e të Rexhep Qosjes, pak më vonë, sepse falë rrethanave më të favorshme politike e shoqërore, që u krijuan në Kosovë në gjysmën e dytë të viteve ’60, kur unë isha student, arriti të depërtonte edhe andej. “Rilindja” botoi në vitin 1971 veprën e Xoxës në tetë vëllime, sado që kontakti me të pat filluar qysh më parë. Në Prishtinë kjo vepër u lexua shumë dhe u vlerësua lart, posaçërisht Lumi i vdekur, kurse autori i saj u radhit në mesin e shkrimtarëve më të dashur e më të çmuar të lexuesve dhe të kritikës letrare jo vetëm për shkak të përmbajtjes së rëndësishme që trajtonte vepra e tij, por edhe për shkak të gjuhës së pasur dhe stilit të papërsëritshëm nëpërmjet të cilit sendërtohej ajo.
Kam pasur rastin ta njoh Jakov Xoxën edhe si njeri dhe të qëndroj me të gati një ditë të tërë. Një ditë pranvere të vitit 1974, kur unë dhe kolegët e mi të Universitetit të Prishtinës të ardhur në Tiranë për një qëndrim studiues, do të bënim udhëtimin për në jug të vendit, me ne do të udhëtonte, me të njëjtën makinë, edhe shkrimtari Jakov Xoxa. Na erdhi si një sihariq në hotel “Dajti” lajmi se do të udhëtonim bashkë me Jakov Xoxën nga Tirana në Fier e Apolloni, te “selia” e tij, kurse takimi me të mbeti i paharrueshëm për të gjithë ne që e patëm këtë shans, mbase krejt rastësisht. Aty pata dëgjuar për herë të parë për ciklin e tij prej pesë romanesh në formë Iksi, kurse gjatë vizitës në Kombinatin e Tekstilit në Berat, kur ndodhte të këputej filli dhe në makinat e prodhimit kinez ndizej sinjali i kuq, Kovi, si e thërrisnin miqtë e tij, pat thënë: “Eh, sikur edhe ne shkrimtarët të kishim një sinjal të tillë që të ndizej kur nuk e kemi mirë!”. Në rrethanat në të cilat krijonin atëbotë shkrimtarët shqiptarë, në kushtet e sistemit totalitar, kjo ishte një fjali me domethënie të madhe dhe me nëntekst të veçantë. Me t’u vendosur në dhomën e hotelit në Fier, puna e parë që bëra ishte ta shkruaja bisedën me Jakov Xoxën. Kur zbrita në restorant për darkë, kërkova pëlqimin e tij që bisedën ta botoja në Kosovë. Ashtu edhe u bë. Shkrimi Iksi romanesk i Jakov Xoxës doli në plot dy faqe në gazetën “Bota e re” të studentëve, që ishin lexuesit më të mëdhenj të veprës së tij.
Kanë kaluar shumë vjet nga ajo kohë, por ende e ruaj të freskët në kujtesë atë takim. Mbaj mend se bari rreth manastirit kishte gufuar, kurse unë dhe një kolegu im, si më të rinjtë e grupit, patëm improvizuar një “përleshje” si të ishim Adili e Llazi, në sy të krijuesit të tyre, që na vështronte me mall e dashuri… Nuk do ta takoja më Jakov Xoxën, as në ’76-n e as në ’79-n, kur iku nga kjo botë, por pamja dhe portreti i tij, që rrezatonin çiltërsi, mirësi, zemërgjerësi e fisnikëri, do të më ngelin përgjithmonë në kujtesë. Trupi i drejtë, fytyra e rregullt, flokët e bardha borë, buzëqeshja e lehtë dhe qëndrimi korrekt i spikatnin akoma më shumë virtytet e tij. Jakov Xoxa vdiq i ri, 56 vjeç. Për një shkrimtar si ai, që synonte të bënte një vepër të madhe, kapitale, të ngjashme me atë që kishin bërë në letërsitë e mëdha evropiane shkrimtarë si Balzaku, Hygoi, Zola, Stendali, Dikensi, Tolstoji, Tomas Mani a Shollohovi, kjo ishte pak; tepër pak. Xoxa jetonte me veprën e vet, me heronjtë e tij, aq sa, siç dëshmon e shoqja, Dhurata dhe biografi i tij, Kristaq Shtëmbari, ndodhte t’i shihte edhe në ëndërr personazhet e tij, si të ishin njerëz të gjallë. Xoxa krijoi çiftin ndoshta më të bukur të letërsisë shqipe: Vitën dhe Adilin. Ec e gjeje një tjetër më të bukur, më të skalitur, më kuptimplotë! Dashuria mes kosovarit dhe myzeqares, e mishëruar artistikisht me bukuri e plasticitet të rrallë, është pa dyshim një ide gjeniale e Xoxës, i cili si njeri dhe shkrimtar qëndronte përmbi paragjykimet fetare, krahinore e të tjera, të rrënjosura thellë në ndërgjegjen e njerëzve. Nuk harrohen lehtë as protagonisti i Lumit të vdekur, fshatari kompleks Pilo Shpiragu, mbi të cilin rëndon jeta plot halle nën regjimin shtypës e poshtërues të bejlerëve e çifligarëve; as heroi negativ i periudhës së socializmit, Kiu Korroziu i Jugës së bardhë, e aq më pak Gruaja e Mallkimit e Lules së kripës, e mbiquajtur kështu për shkak të kompleksit të saj të mëmësisë, apo edhe Gavroshi shqiptar, Paci simpatik, që bie në luftë kundër fashizmit dhe sa e sa personazhe të tjera nga galeria e gjerë e personazheve të këtij shkrimtari, që krijoi një perandori të tërë letrare. (Kam kënaqësinë t’Ju komunikoj se në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, janë mbrojtur deri tani dy tema doktorate për veprën e Xoxës dhe po përgatitet edhe një e tretë, që do të ketë objekt studimi personazhet e romaneve të tij). Xoxa përfaqëson një shkrimtar model në letërsinë shqipe – krijuesin e prozës së madhe realiste, të cilën nuk e kishte njohur kurrë më parë letërsia shqipe në ato përmasa, me atë gjerësi vrojtimi, me atë thellësi psikologjike, me atë sintezë mendimi dhe me atë bukuri gjuhe e stili. Koha ka dëshmuar se ky lloj i letërsisë, më saktësisht ky lloj i prozës, edhe kur nën trysninë e ndryshimeve në shoqëri, mund të duket i vjetruar, e sfidon kohën, ideologjitë, metodat letrare, sistemet politike, modën, snobizmin. Duke u nisur nga ky fakt, poeti Dritëro Agolli, në veprimtarinë e organizuar për nder të 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit, pat thënë: “Jakov Xoxës pasardhësit e tij do t’i kthehen si në 80-vjetorin dhe në 800-vjetorin e lindjes së tij”. S’do mend se një fat të tillë e kanë vetëm krijuesit e mëdhenj, të cilët me veprën e tyre i mbijetojnë shekujt. Jakov Xoxa është pa dyshim një nga këta krijues, që kanë zënë vend tashmë në panteonin e vlerave të letërsisë sonë kombëtare dhe s’mund t’i heqë kush që andej.