SHKRUAJ PËR LEXUESIT, JO PËR KRITIKËT

Jam bërë më i vetëdijshëm për lexuesin. Them se kur isha më i ri thjesht shkruaja; nëse lexuesit shfaqeshin diku, shumë mirë, nëse jo, s’prishte punë. Kam pasur një lloj qëndrimi shumë më të ashpër

Salman RUSHDIE

S ’mund t’ia lejosh vetes të mendosh për kritikën kur po shkruan librin. Është tepër e vështirë ta shkruash librin dhe në të njëjtën kohë, të rrekesh të hamendësosh si do të jetë reagimi kritik ndaj tij. Por them se i përfytyroj mjaft mirë lexuesit e mi. Ndërsa vitet mbi supe më shtohen, interesohem gjithnjë e më shumë për mënyrën se si lexojnë njerëzit, çfarë ka të ngjarë t’i largojë dhe t’i tërheqë. Jam bërë më i vetëdijshëm për lexuesin. Them se kur isha më i ri thjesht shkruaja; nëse lexuesit shfaqeshin diku, shumë mirë, nëse jo, s’prishte punë. Kam pasur një lloj qëndrimi shumë më të ashpër. Por tani jam vërtet i interesuar të lexohem, për dukurinë e leximit dhe si, nëse informacionin e jep në rendin e saktë, mund të tregosh gjëra shumë të ndërlikuara, të cilat për lexuesin bëhen të rrokshme, kanë lidhje me ta dhe u ngjallin dëshirën për t’i zbuluar. Për shembull, në rastin tim, gjithmonë kam menduar që komedia ndihmon shumë. Mendoj se nëse arrin t’i bësh njerëzit të qeshin, mund t’u thuash gati çdo gjë. Nëse s’i bën dot të qeshin, s’do të duan të të dëgjojnë për një kohë të gjatë. Kjo është e para. Por për kritikët, për një lloj reagimi kritik ndaj asaj që shkruaj, s’mendoj dot. Dua të them se në këtë moshë kupton se ka njerëz që s’do ta pëlqejnë çfarëdo që të shkruash. Kësisoj, e dija që mund të shkruaja librin më të mirë që mund të shkruaj dhe sërish do të kishte disa që thjesht s’do ta pëlqenin, dhe s’ka gjë për t’u çuditur këtu. Kjo është arsyeja pse në librari ka lloje të ndryshme librash, që njerëzit të zgjedhin atë që u pëlqen. Prandaj s’më shqetëson kjo. Përnjëmend s’më shqetëson reagimi i kritikës. Kur ke shkruar disa libra, e ke të qartë drejtimin nga do të shkosh. Këndvështrimi im është: tani për tani do të shkoj në këtë drejtim dhe vërtet shpresoj se dëshironi të vini me mua. Shpresoj ta shijoni udhëtimin dhe kështu me radhë, por nëse, për çfarëdo arsyeje, s’mund të më shoqëroni në këtë udhëtim, unë do të vazhdoj të ndjek rrugën time. Dhe atëherë merr me vete kë të mundesh në këtë arrati. Mendoj se, në përgjithësi, kam pasur goxha shumë shoqërues gjatë arratisjeve të mia. Mund të parashikoj se kur ndodh aksident me kritikën letrare gjatë udhëtimit, sepse e marr me mend, por në njëfarë mënyre kjo s’ka rëndësi. Dua të them, mbaj mend që në një lloj epoke të parainternetit kishte një kohë kur revista të ndryshme letrare përdoreshin për të botuar recensione në mënyrë anonime dhe më e famshmja Times Literary Supplement s’i përmendte kurrë emrat e kritikëve të saj. Ideja ishte që të krijohej përshtypja që ishte Times që po jepte mendimin e saj për veprën tënde dhe jo një individ. Dhe pastaj në kohë tjetër, them se diku në vitet 1980, kjo politikë u ndryshua duke vënë emrat e kritikëve. Menjëherë vlerësimet u bënë shumë më të matura, sepse emri i kritikut i bashkëngjitej kritikës letrare. S’ka dyshim se mënyra si jetojmë me internetin është gjysmë imagjinare. E para, njerëzit përdorin emra të rremë gjatë gjithë kohës, përdorin vazhdimisht pseudonime dhe për këtë arsye, mund të shpikin vetveten për të qenë në internet pa i pyetur se kush janë. Mendoj se kjo mund të jetë e mirë dhe e keqe. E shoh qartë se çfarë ndodh në pjesë të botës që janë shoqëri më pak të hapura, që anonimati i lejon njerëzit të shprehen pa frikë. Dhe mendoj se ka një lloj lojcakërie në këtë. Shpik për veten një emër të çmendur dhe mbase mund të jesh një person pak më ndryshe me atë personalitet sesa të mundesh të jesh si vetvetja. Kështu, ka shumë për të thënë për këtë çështje. Dua të them se më pëlqen shumë lojcakëria dhe një lloj aspekti çlirues i saj. Një lloj shqetësimi që kam për disa përdorues anonimë të internetit është se kjo krijon deri diku dukurinë e karremit. Duke qenë plotësisht i sigurt pas ekranit të emrit imagjinar, ti mund të jesh shumë, shumë i pasjellshëm. Kam frikë ndonjëherë se po bëjmë të mundur të kemi një brez njerëzish shumë të vrazhdë që mund të flasin në internet në një mënyrë që kurrë s’do të flisnin nëse do të ishin në dhomë me ty. Ky është shqetësimi im. Por mendoj se, në përgjithësi, është një hapësirë e gjallë. Është një hapësirë ku njerëzve u pëlqen të jenë shpikës dhe imagjinues për veten e tyre dhe teknologjia u lejon ta bëjnë këtë. (2019)

Leave a Reply

Your email address will not be published.