SHQIPËRIA, SI NJË PËRRALLË DIMRI?

Ekziston një poemë e bukur e Hajnrih Hajnes që nxënësit në Gjermani e mësojnë përmendësh: quhet “Gjermania-një përrallë dimri”; është një copë e fortë e ngulur në zemër, që nuk u shqitet

Gersa RRUDHA

Rasti humbet lehtësisht; që nga kohët e tragjedive greke ta rrokësh, është njëra nga sfidat njerëzore më të vështira. E kjo për faktin se fshehja, zbukurimi apo imagjinimi i një realiteti tjetër është një tundim i shpeshtë i demokracive të sotme. E në periudhat e fushatave elektorale, në vend që të zvogëlohet, ky tundim shpërhapet kudo. Nuk diskutohet për fakte, por për opinione, që janë petku që i vishet reales dhe joreales për t’i ngatërruar më mirë. Mendjet nuk hapen ndaj realitetit dhe arsyes, por bien pre e gjumit të ideologjive. Në një kohë kur ky nuk është momenti i ëndrrave, por i përgjigjeve konkrete. Nuk është momenti i vijimit të zakonit të shumë fushatave të mëparshme, të afrimit për publikun të një mase të madhe fjalësh, premtimesh që marrin formën e ëndrrave, por që në thelb janë flluska iluzionesh.

Edhe pse ithtarët mund të kërkojnë përdorimin e shpeshtë të kësaj fjale, qëndron pikërisht këtu forca sekrete e një politikani që kërkon të kapërcejë hendekun e një politike të re: të “zhgënjejë” ithtarët e të gjithë ata që i kërkojnë të përdorë nëpër fjalime fjalën “ëndërr”, barabar me premtime të mëdha e të bujshme; sepse është kjo forca e vërtetë e premtimit: të bazohet tek carpe diemi-i i Horacit, që mbërthen realitetin e sotëm e që i përgjigjet pyetjeve të realitetit të sotëm, duke e ditur mirë që ka shpresa që politikanët i krijojnë e i shpërhapin me art, por pa i besuar as vetë, pa pasur as mjetet e financat e atyre qyteteve e të asaj Shqipërie që përshkruajnë, madje pa e ditur edhe se ëndrrat e shpresat janë flakë që ndizen, por edhe që bëhen hi; janë instrumente që përdoren për të ndërtuar, por edhe për të joshur besimtarët. Mirëpo, pas asaj masakre iluzionesh që kemi pas supeve të gjithë këtyre viteve, nuk na lipset asnjë premtim i llojit që mund të na bëjë të besojmë se po “tunden malet”, se po “fluturojmë në horizonte të qetë e të sigurt”. Jo, nuk u lipsen të tilla ëndrra skeptikëve; ata kënaqen edhe me shumë më pak. “Na mjafton të mos ndjejmë përçmim, çdo zgjim në mëngjes!”, thonë deri në cinizëm.

Ekziston një poemë e bukur e Hajnrih Hajnes që nxënësit në Gjermani e mësojnë përmendësh: quhet “Gjermania-një përrallë dimri”; ajo jo vetëm që është e vështirë në përkthim, por e vështirë edhe të transmetohet se çfarë nënkupton vërtet për gjermanët: është një copë e fortë e ngulur në zemër, që nuk u shqitet. Poeti rrëfen se si kthehet një ditë në atdhe, e dëgjon një ninullë të çuditshme të kënduar nga një vajzë, me një ndjenjë të vërtetë, por me zë të gënjeshtërt: ninulla evokon dashurinë dhe mizoritë e dashurisë, sakrificën dhe ritakimin në një botë më të mirë, ku rreshtin të gjitha vuajtjet.

Është një këngë që evokon tokën si një luginë lotësh, që evokon gëzimet që zhduken shpejt në Botën e Përtejme, ku shpirti noton e transfigurohet në ëmbëlsitë e përjetshme. E përpikmërisht në këtë pikë, në këtë atmosferë të magjishme, Hajne e ndryshoi tërësisht tonin, aq sa e këput krejt magjinë. E kjo për faktin se “një këngë e tillë ishte kënga e vjetër e dorëzimit, ninulla e qiellit me të cilën përkundet populli në djep”, siç e përcakton Hajne. Ja, një ton të tillë që të na këpusë magjinë e ëndrrave të parealizueshme, të premtimeve boshe e fjalëve të papërmbajtura do të donim të dëgjonim përgjatë zhvillimit të çdo fushate elektorale. Tek e fundit, është kjo risia që i kërkohet sot politikës: ta reshtë zakonin e premtimeve që aq shumë të zmadhuara e propaganduara ngjajnë me ëndrra a flluska iluzionesh; t’i këpusë krahët ëndrrave që nuk kanë një raport të caktuar me faktet dhe realitetin. I kërkohet të ëndërrojë me seriozitet, le ta zëmë sipas mënyrës së Martin Luter Kingut: për të parathënë një botë që s’është akoma, por që diktohet, dhe jo botën që do t’i shërbente si fron a si një instrument për karrierën. Ja, një ndarje e prerë e këtyre dy ëndrrave kërkohet nga politikani, e jo pse epoka jonë është bërë cinike dhe i përbuz ëndrrat, por ndoshta pse ajo tashmë është më e dëshirueshme për vërtetësinë.

Ajo është e hapur për ëndrrat, vetëm nëse ato arrijnë ta përmirësojnë realitetin, duke i zhvilluar mos-koherencat e duke e prapësuar nëse vetë realiteti është krejtësisht i shuar nga ëndrrat. E kjo, sepse ekzistojnë dy mënyra të ëndërruari, ashtu siç ekzistojnë dy utopi të ndryshme. Ekziston ëndrra që i arratiset realitetit, duke u shqetësuar shumë pak për shtrëngesa të tilla si koha, kostot apo hapësira. E në krahun tjetër ekziston ëndrra profetike, që e vëzhgon realitetin me një mprehtësi të pamëshirshme, për të parë akoma dhe më qartë pas dukjes apo pamjes së tij. Kjo mënyrë e dytë ëndërrimi nuk e injoron realitetin, por e zhvillon duke denoncuar gabimet dhe shtrembërimet.

Kohët dhe fushatat elektorale që kemi lënë pas krahëve, kanë qenë të mbushura plot me ëndrrat e para, e goxha të varfra nga të dytat. Kanë qenë të mbushura me ëndrra që në realitet provuan të jenë masakra shpresash, flluska iluzionesh, vetë-zhgënjime të thekshme. Flluskat e ëndërrimit krijohen kur veprimi i një njeriu, i një banke apo një kombi mbështetet mbi iluzionet në vend të realitetit. Por, ajo çka është më e keqja, është se flluska e ëndërrimit të jep përshtypjen e një fuqie që në të vërtetë nuk e ke, të kursen nga të thënit të vërtetën, të bën të mendosh në mënyrë pozitive, kur përreth nuk ke asgjë pozitive. Kështu, kush jeton në botën e këtyre flluskave, nuk përkujdeset për konsekuencat, deri kur realiteti të arrijë të hakmerret. Kush rron në këtë botë është si i magjepsur. Ja, pse në këtë moment, na nevojitet ai ton magjithyes i Hajnes ndaj këngës së bukur të vajzës ëndërrimtare. Sepse çdo lloj zhgënjimi prej këtyre ëndrrave hap gremina para nesh. Ashtu si të qe bërë prej sapuni, flluska e ëndrrës të mbështjell në një membranë transparente, që të shkëput nga realiteti. Sa më të stërmëdha iluzionet, aq më e zgjatshme është kjo flluskë dhe aq më i frikshëm shpërthimi i saj. Ëndrra të këtij lloji fillojnë me brohoritje e mbarojnë duke shkaktuar në fillim pakënaqësi, pastaj zhgënjim, e në fund cinizëm. Po e njëjta gjë ndodhi edhe me utopitë e shekullit të shkuar: prej ëndrrave nuk mbeti asgjë veçse një pushtet i bazuar tek frika.

Cinizmi nuk e kapërcen këtë tip ëndrre, por është shtrembërimi i saj. “Bëna të ëndërrojmë!”: -thotë ciniku post-utopik, duke fantazuar për fitimin e një posti drejtues a një pozicioni fitimprurës, duke harruar në fakt, në vijimësi, se politika ka detyra të caktuara, të përpikta, kur propozon një ëndërr: duhet të mbajë fjalën, duhet të ketë kurajon të shpjegojë çmimin e gjërave, duhet të mendojë të mirën e përbashkët dhe jo të mirën e një grupi apo një klase (ose segmente të kryqëzuara klasash të caktuara). Politika duhet të çlirohet nga gjumi dogmatik që konsiston në një veprim pa raport me eksperiencën. Duhet të preokupohet në zgjidhjen e problemeve, që nënkupton kapacitetin për të paguar borxhet që ka me publikun.

Mirëpo politika nuk është vetëm e tillë; politika është edhe propozim ëndrrash që vlejnë, që zgjasin, që nuk cakëzohen të fotografojnë realitetin e çastit ose realitetin e djeshëm. Të ndërfutësh parimin e realitetit aty ku mbretëron veçse iluzioni është mënyra për të shpëtuar imagjinatën e pazënë në kurth nga marrëzia, e kësisoj, pikërisht ai horizont që kemi nevojë. Eksperienca tregon se skepticizmi dhe carpe diem nuk janë të vetmet zgjidhje, pasi edhe ato lipset të gjykohen me dyshim kur kalohet nga privatja në politikë. E kjo, sepse skeptiku i zhgënjyer e ka të vështirë të shndërrohet në një ëndërrimtar të vërtetë, d.m.th. të zotërojë një ëndërr profetike që shpjegon të këqijat dhe propozon ilaçet për t’i mjekuar. E ka të vështirë të njohë kapacitetin që herë pas here e zotëron vetëm ëndërrimtari dhe që rrallë është shenjë dalluese e të ashtuquajturit pragmatist: aftësinë për të shikuar larg, për të menduar për gjithë gjeneratën e vet, por edhe për gjeneratat e tjera; para së gjithash, për të parë falsitetin dhe iluzionin që mund të veshë vetë petkun e realitetit.

Ja, një politikë e tillë me një aftësi të tillë ëndërrimtare i nevojitet fushatave të së ardhmes. Aq më tepër që fshehja e realitetit është njëra nga tundimet më të shpeshta në demokracitë e sotme. E për ta shpjeguar sa më mirë, do të qe me vend të citonim këtu një mendim të shkëlqyer të Paskalit në librin e tij “Mendime”, në lidhje me vrapimin tonë të ethshëm drejt humnerave. “Nuk kemi të bëjmë me një vrapim inert, fatalist, individualist, pasi inercia zotëron edhe një trishtim fisnik. Është një përshpejtim i mbushur gjithë aktivizim, gjithë zhurmë. Ne vrapojmë pa u shqetësuar aspak për greminën, pasi kemi vënë diçka përpara nesh për të na penguar ta shohim”, -thotë autori. Në mënyrë të përpiktë kjo është ajo që ndodh me një ëndërrim sy-hapur, e përpikmërisht kjo duhet t’i shmanget edhe çdo ëndrre të propozuar politike. Sepse janë të shumta gjërat që të ethshëm për të premtuar a për të propaganduar mund t’i vëmë si fashë përpara syve për të mos parë realitetin.

Dhe është përsëri Paskali, ai që flet për ata “që besojnë të shohin atë që nuk e shohin aspak”, apo për “imagjinatën e shfrenuar si mjeshtren e gabimit”. Imagjinata pa kurrfarë raporti me realitetin nuk është më pak kanosëse nga frika; e ashtu siç ekziston një politikë shpresë-ngjallëse, po ashtu ekziston edhe një politikë e imagjinatës false, që gënjen e miklon. Ja, pse nuk lipset të shkojmë syfashuar drejt greminës. Përkundrazi, jemi gjithmonë në kohë ta heqim fashën e gënjeshtrës dhe përkundjen me premtime false. Është më e lehtë sigurisht të bësh premtime e sllogane shpresëmëdha, llogarinë e të cilave do ta paguajnë gjeneratat e ardhshme. Ndoshta, edhe mund të fitosh zgjedhjet. Mirëpo, gremina përpara së cilës e çon elektoratin, nuk ndryshon vend, është po aty. Është në natyrën e saj të mbetet po aty! Ja, pse nuk na duhet një ëndërr që të propozojë një realitet të gënjeshtërt, një iluzion e një marrëzi cinizmi. Por, një ëndërr profetike, një ëndërr realiste që ndoshta është edhe utopia unike që ka një raport me realitetin, pikërisht pse lind jo nga një arrati, por nga një prirje për zbulimin e këtij realiteti. Ashtu si përgatitja e një të ardhmeje më të mirë për fëmijët e nipërit tanë është e vetmja utopi realiste, po ashtu edhe braktisja e këtyre lloj ëndrrave nënkupton zhgënjimin, cinizmin e vërtetë, ose e thënë ndryshe, burgosjen në iluzionet e së djeshmes. Ja, pse do të qe një kthesë historike organizimi i një politike jo të determinuar nga premtimet, por të themeluar mbi zhgënjimet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.