SHQIPTIM POETIK I SHPIRTIT DHE I BOTËS SË NJERIUT

(Enver Visoka „NË FUND TË VERËS”, poezi, botoi LITERA, Prishtinë, 2023)

Arif MOLLIQI

Epiqendra e poezive të këtij libri të Enver Visokës qëndron në sfidat e njeriut ndaj jetës. Por aty gjen edhe sfidën karshi vdekjes, karshi vjeshtës ose karshi fundit të një stine, të lules kamilje që për autorin simbolizon një dashuri universale, pse jo edhe të një zëri që autorit sikur i vjen nga universi. Por shpeshherë edhe kujtimet i shërbejnë si shembull për ta pasuruar poezinë. Autori nëpërmes atyre rrafsheve kujtimesh, shpreh më shumë kujdes ligjërimin poetik duke e përcjellë më një gjuhë të pasur, më një strukturë të bukur vargëzimi, me shumëllojshmërinë e motiveve, dhe me stil të veçantë… Po e themi pa hamendje, poeti me “goditje” poetike s´bën kompromis për asgjë, fillim e mbarim e mbanë zjarrin ndezur, që nënkupton se mbretëria dhe forca e fjalës është e pa kufij. E jashtmja më të brendshmen ndërlidhen dhe gërshetohen nëpërmjet shpërthimeve, por me një emërues të përbashkët; poeti e urren të shëmtuarën dhe të padrejtën që çdo ditë i kanoset njeriut për t´ia rrënuar shpirtin. Midis poezive, që tashmë është bërë traditë të krijohen ndarje, edhe në këtë dorëshkrim emërtimi, krijimi dhe radhitja e cikleve, është bërë sipas një koncepti të caktuar: niset më poezinë “Rrëfimi I”( që e përsëritë tri herë), që mund të merret si poezi kredo i një fillimi-hyrëse, ose si para fillim, duke na lënë një amanet-një tip porosie për veten, dhe shkojmë gjer të poezia përmbyllëse “Dhoma pa mure”. Fillimi:

“unë thash: jo, jo mua ma shpërndani pluhurin e eshtrave në vargje,

me to kam kaluar pjesën më të dhimbshme të jetës, dhe e tëra nuk ishte kjo…: “

Por jo vetëm kjo, shumica e poezive të Enverit, janë si porosi dhe rrëfime të vetvetes, trajtim i jetës konkrete brenda botës më të cilën ai lufton, e kjo hetohet edhe kur poeti në disa raste thotë “unë isha”, dhe e krahason veten me furtunën, natën, dritën, qiellin, dielli, erën, vullkanin, shiun, oqeanin. Këto fenomene mbinjerëzore sikur do t´i përdorë vetëm për vete, për qëllimet egoiste. Prandaj këto poezi kërkojnë një lexim aktiv, një përqendrim të shtuar. Këtë gjë e kushtëzon struktura e veçantë e vargëzimit, prej se cilës dalin vargje, ose fjalë shumëkuptimshme, që përherë përplasen dhe zgjojnë enigmën për ta zbuluar fshehtësinë që e kanë brenda këto poezi. Kjo gjendje e këtyre poezive nuk mbyllet rastësishëm më poezinë “Dhoma pa mure”, ku gjithçka na del e kushtëzuar dhe e varur nga imazhe meditative herë-herë tronditëse por përsëri të kapshme.

“…Ruana o Zot nga ata që i dinë të gjitha…”

A s´ka lidhshmëri porosia e poetit kur në fillim thotë: “…mua ma shpërndani pluhurin e eshtrave në vargje…” më poezinë përmbyllëse: “që të gjallët ta kenë më lehtë t´i kujtojnë”, që nënkuptojnë: si fillimi i jetës ashtu edhe mbarimi i saj, janë flijim. Sado që të dy variantet kanë trajta simbolike, ato nuk janë të idealizuara.

Midis këtyre dy fillim-mbarimeve, midis poezisë së parë dhe asaj të fundit, gjinden poezitë e tjera, të ndara në cikle: “Nën petalet e lules kamiljes“, “Stina e shpirtit“, “Në fund të verës“, “Pas perdeve të kohës“ dhe “Dhoma pa mure“, që korrespondojnë në mënyrë të pamëdyshtë më qenësinë dhe vlerat e poezive tjera, e që janë të lidhura me botën e brendshme të autorit dhe njeriut në përgjithësi, me një art të madh vargëzimi. Si e tillë, poezia e përfshirë në këtë dorëshkrim dëshmon se Enver Visoka hyn njëmend në radhën e poetëve që poezinë dhe porosinë e saj e shkruan seriozisht. Poezia e Enver Visokës me strukturën e veçantë poetike, me nëntekstin e shumtë dhe të pasur poetik, apriori na jap alternativa të shumta interpretimi, ajo afron mundësi të shumta të imagjinatës për ta njohur para se gjithash, dashurinë (“jetës ia nisim nga fillimi/e bardha e bukura Leonorë”, ose: “më shfaqet kurmi yt i hollë/si t´i shmangemi vdekjes Leonorë!…”), brenda botës individuale dhe universale të njeriut. Mirëpo, fshehtësitë e saj, sidomos ato që gjenden brenda hermetikes, e shpesh të paaftësisë së lexuesit për zbulim, na japin me kuptuar se poeti shumë rëndësi i ka kushtuar botës subjektive. Këtë strategji krijuese ky poet e zbaton shpesh, prandaj lexuesi shpesh ballafaqohet me poezi të tilla. Sidoqoftë, këto poezi janë një shqiptim poetik thelbësor i shpirtit dhe i botës së njeriut, që shpalosin dilemat jetësore: të fatit, të durimit, të vetëdijes që e ka të shtresuar autori nga një përvojë krijuese. Poeti qëmton me ngulm dhe realizon me shkathtësi mënyrën e të shkruarit, duke na dhënë një mesazh poetik të qëndrueshëm. Ç´është e vërteta, në shumë poezi ai bën objekt shqyrtimi vetveten përmes fjalës, si formë e shqiptimit të vetëdijes, të përplasjeve shpirtërore e mendore. Pa e vënë pikën në fund të këtij libri, ne vetëm kemi vënë gurthin e parë për vlerën e këtij mozaiku poetik në mendimin se gama e këtyre poezive është e gjerë, e pasur, por edhe e trishtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.