SISTEMI POETIK I DRITËRO AGOLLIT

Relacionet personale të poetit vinin qetë dhe natyrshëm në krijimet e tij, çka e bënte vargun më të pushtetshëm, më të ndjeshëm e më të prekshëm nga masa

Majlinda Nana RAMA

Kultura poetike e Agollit vjen si gradacion shpërthyes falë shenjimit të impulseve tropo-analogjike, që ai zotëron. Në këtë lëndë thelbësore, brenda dhe jashtëletrare, qëndron edhe dikotomia e individualitetit të tij, edhe shfaqja si forcë dhe zhvendosje, si i përveçëm dhe përgjithësues, por edhe si ndryshore e konjuguar që mban brenda saj shtypjen dhe vëllimin, konstaten sistematike dhe entropinë, grimcën e brendshme dhe potencialin e masës. Të lexosh veprën, përkatësisht poetikën e Dritëro Agollit, është njësoj sikur të lexosh brendësinë e tij, të gjesh njeriun e rrallë dhe shpirtin human që zien atje tej, thellë në qenien njerëzore e krijuese agolliane. Fillim e fund, vepra e tij zbulon identitetin e tij, zbulon esencën, thelbin e paqen që atë e karakterizon. Njeri i mirë e poet i mirë. Një simbiozë e rrallëhasur te personalitetet e shquara të këtij kalibri. Çdo poezi e tij, çdo varg mbart me vete frutat e pjekura të mirësisë së autorit dhe aty gjen mesazhin referuar dëshirës së tij të përkorë, për ta parë vendin të begatë dhe njerëzit të lumtur. Agolli është poet i madh i historisë sonë letrare shumëvjeçare, përgjatë dhe pas realizmit socialist; poet që i rezistoi kohës. Qysh në vitet e para të krijimtarisë poetike, ai solli një erë të re në letërsi, me forma krejtësisht origjinale, duke u bërë kështu një ndër zërat kryesor të një brezi të ri krijuesish që u shfaqën në vitet 50-të të shekullit XX.

Poezia e Agollit i zgjeroi frymëmarrjen shtratit poetik të letërsisë shqipe, e cila deri në ato vite kishte njohur një skaletë të endur mes tradicionales, trajtave dhe formave standarde, folkut e retorikës së përsëritur herë pas here, pa harruar brendinë e ideologjizuar, ngushtimin e hapësirës poetike dhe ngjasimeve lehtësisht të dallueshme mes autorëve të ndryshëm. Kështu, ai themeloi një vlerë të re, mes tabanit popullor dhe modernes, ndërtoi një tangente mes tyre dhe u bë derivat i kohës poetike. Agolli e pasuroi poezinë shqipe me fjalor të qëmtuar, me stil e me forma të pahasura më herët ose të prekura sipërfaqshëm. Nuk kërkonte rrugë e shtigje të ndërlikuara e, për të nxjerrë unin krijues, ai lëvroi poezi të formatit “mendim i rëndë me fjalë tërësisht të thjeshta”.I formuar në Rusinë e ftohtë e të largët, Dritëro Agolli provoi se letërsia e një kombi kish si nevojë të parë, përpunimin e lëndës që vrujonte ndër shekuj nga mençuria e popullit dhe, për këtë “histori letrare” shfrytëzoi mirë elementet folkloristike, me domosdoshmërinë e formave të reja të shprehjes së modernitetit.

Letërsia e tij, edhe pse lindi dhe u zhvillua nën trysninë presuese dhe ngurtësisë së socrealizimit, asnjëherë nuk humbi logjikën e poezisë së përbotshme, asaj poezie që lexohej qartë dhe mirë në çdo cep të kontinentit. Mendimi i thellë dhe diskursivja e kapërcenin trungun e realizmit socialist apo ovacionet brohoritëse të kohës. Ai kalonte përtej tyre. Egzistenca e individit zbërthehet në dimensione të pandeshura më parë. Nëpërmjet filozofisë së qartë të përkufizimit karakterial, Agolli ka ditur të sjellë portretin njerëzor tërësisht të gjallë, në gjithë dinamikën e vet. E nis nga vetja, për të mbërritur te vetënjohja e individit, një luftë e hershme dhe e pafund e mbarë njerëzimit. Personazhet dhe tablotë e jetës së përditshme janë rruga e gjatë dhe e gjerë e poetikës së Agollit.

Dritëroi bashkudhëtonte me dhimbjen e çdo indi të kombit të tij, brenda vetes mbante aromën e Devollit, thjeshtësinë e komunikimit, ngjyrën e dheut, nuancat e dashurisë për njeriun dhe me këto shtroi udhën e madhe, duke bërë epokë të cilësuar, në letërsinë shqipe. Relacionet personale të poetit vinin qetë dhe natyrshëm në krijimet e tij, çka e bënte vargun më të pushtetshëm, më të ndjeshëm e më të prekshëm nga masa. Agolli do të rritej në një familje që e edukoi me leximin, duke e bërë atë këngëtarin e madh të këngëve të vendlindjes së tij. Ai e mori këtë këngë dhe e përsosi, duke i ngjitur pranë e pranë çdo pëllëmbë toke që i kish prekur këmba. Ajo koshere e vendit të tij do të kthehej universi në një pikë për poetin e madh.

Leave a Reply

Your email address will not be published.