TIPOLOGJIA E INTELEKTUALËVE

Përgjatë dekadave të fundit inteligjenca ka evoluar aq shumë sa, nëse dikur intelektual quhej personi me aftësi për të zgjidhur drejt e qartë probleme, më vonë personi me përgatitje arsimore akademike, pastaj personi i specializuar në një fushë të caktuar, por dhe me njohuri solide nga fushat e tjera profesionale, sot intelektual do të quhet personi i cili di shkrim dhe lexim dhe aftësi komunikative me inteligjencën artificiale, i cili “intelektualin natyral” do ta kursejë nga nevoja për të qenë i arsimuar, i urtë, i mençur, akademik…

Nga Avni HALIMI

Intelektualët shqiptar, institucionet nacionale gjegjëse asnjëherë nuk u morën me analizimin e intelektualëve dhe me tipizimin e tyre. Në një kosh i patëm edhe intelektualin e mirëfilltë, por edhe mediokrin, edhe intelektualin e pushtetit, por edhe atë të katundit edhe intelektualin me taban, por edhe atë të kontrabanduar.

Bota e civilizuar ka kohë që e ka kryer këtë detyrë, duke u bazuar kryesisht në dy kritere! Kriteri i parë bazohet në vlera, në bindje, në besim dhe në mënyrën e veprimit dhe, kriteri i dytë, bazohet në lëndën me të cilën merret intelektuali. Tipologjia, pa dyshim, ka vlera analitike, sepse bën ndarjen e tipave idealë nga ata tipa intelektualë tek të cilët dominon ndonjë aftësi e veçantë. Natyrisht, nuk mund të thuhet se ekziston një intelektual i veçantë, sepse te çdo intelektual mund të gjendet një aftësi që e karakterizon edhe një intelektual tjetër, të cilin afinitetet e tjera që i posedon e kualifikojnë në një grup tjetër intelektualësh!  

Tipet e intelektualëve

Intelektuali i mirëfilltë, ai që ka një dhunti krijuese, gjithnjë interesohet edhe për prodhimin e asaj që e krijon si rezultat i dhuntisë që e posedon dhe, me këtë ai, në fakt, e zhvillon ndërgjegjen e vet, gjegjësisht përkujdeset për normat etike dhe për sjelljen dhe për veprimin moral. Fuqia e njohurive të tij gjithnjë bazohet në kulturën morale. Së këndejmi, duke u bazuar në këtë vlerë si dhe në bindje, në besim dhe në mënyrën e veprimit, mund të konstatojmë se kemi këta tipa të intelektualëve: intelektual kritik, intelektual luftëtar (revolucionar), intelektual partiak, intelektual nacionalist, intelektual konformist, intelektual pragmatik si dhe intelektual të salloneve.

Intelektuali kritik

Intelektuali kritik gjithnjë vë në spikamë dhe shqyrton krijimtarinë e vet, ndikimin e saj në masë, mënyrën dhe efektet e ndikimit, analizon qasjen e vet ndaj botës, analizon bindjen, besimin, si dhe zhvillimet e ndryshmet shoqërore dhe politike. Te ky tip intelektualësh nuk mund të ketë asnjëherë kundërthënie në mes të fuqisë së njohjes dhe fuqisë së ndërdijes. Ky tip i intelektualit gjithmonë përpiqet të ketë qasje mbi problemet reale. Kritikat e tij nuk janë asgjë tjetër përveçse angazhim që të përballet me ndonjë ide, me ndonjë koncept, temë apo problem të shfaqur në momente të caktuara të njerëzimit. Ai analizon vlerën e idesë, mundësinë e aplikimit të saj, nxjerr përfundime mbi dobitë apo dëmet nga ajo ide. Pikënisja e kritikave të tij gjithnjë janë vlerat universale, sidomos kur është në pyetje jeta shoqërore dhe politike, si: e vërteta, të drejtat, prona, liria, solidariteti, dinjiteti njerëzor, barazia etj.

Intelektuali revolucionar

Ky tip i intelektualit është armiku më i madh i pushtetit, i sistemit, i ideologjisë! Ai nuk mund të pajtohet me shoqërinë që i nënshtrohet statusit të robit, dëgjueshmërisë absolute, lojalitetit nënshtrues. Intelektuali revolucionar gjithnjë e ngacmon sistemin politik, por edhe ndërgjegjen e popullit. Ai nuk mund të pajtohet për ndryshime graduale; ai thërret në ndryshime të menjëhershme, në revolucion. Pasojat nga revolucioni për intelektualin revolucionar janë gjithnjë të vogla dhe të pakta në krahasim me përfitimet. Dhunë revolucionare duhet të zbatohet mbi të gjithë ata që e mbrojnë sistemin që u sjell përfitime, ndërsa dëmtojnë qenësinë e shoqërisë. Intelektuali revolucionar është i bindur thellësisht që dhuna revolucionare nuk duhet të ndalet derisa të arrihet çarmatosja totale e mbrojtësve të sistemit diktatorial.

Natyrisht, ekziston edhe një lloj i kritikëve revolucionaristë që nuk e parapëlqejnë dhunën për ndryshime të sistemit politik. Ata mendojnë se ndryshimet revolucionare duhet të arrihen përmes protestave të qeta. Masa më kritike, sipas tyre, duhet të jetë padëgjueshmëria qytetare.

Por, deri në ç’masë dhe në ç’kohë duhet të zhvillohet revolucioni? Intelektualët kritikë mendojnë se kjo lëvizje duhet të vazhdojë derisa nuk do të përmbyllen të gjitha reformat e parapara nga revolucionaristët. Ka nga ata tipa intelektualësh që insistojnë që revolucioni të mos ndërpritet asnjëherë, sepse pushteti që do të instalohet do të duhet vazhdimisht të dridhet nga përpjekjet revolucionare, me qëllim që mos të shndërrohet në pushtet si ai pararendësi. Intelektualët e këtillë me lehtësinë më të madhe tërhiqen nga pushteti dhe, kësisoj, përfundojnë në intelektualë partiakë apo në “intelektualë shtetërorë”!

Intelektuali nacionalist

Ekziston një teori që thotë se nacionalizmi është dashuri e thellë ndaj kombit! Porse, ekziston edhe një teori tjetër që thotë se, nacionalizëm do të thotë urrejtje kundër çdo gjëje që nuk i përket kombit! Aktualisht, në gjithë botën, teoria e dytë merret si më e saktë! Ndaj kombit, nuk je i obliguar të shprehish dashurinë, por ama ndaj kombit ke detyrime, ke obligime të patjetërsueshme!

Intelektuali nacionalist shpesh, madje edhe haptazi, përhap urrejtje kundër të gjithëve që nuk i përkasin kombit të vet. Intelektuali nacionalist shpesh përhap urrejtje edhe kundër atyre që nuk i përkrahin idetë e tij nacionaliste apo edhe kundër atyre që, në kuadër të një lëvizje nacionaliste, ofrojnë alternativa të reja për realizimin e interesave kombëtare. Idetë e intelektualit nacionalist gjithnjë janë luftënxitëse dhe likuiduese kundër mospërkrahësve të zgjidhjeve nacionaliste të tij.

Intelektuali partiak

Partitë do të kenë një imazh të mirë në varësi nga përfshirja sa më e gjerë e intelektualëve në radhët e veta! Sepse, intelektualët e mirëfilltë ndër popull gëzojnë respekt e dashuri më të madhe se çdo subjekt politik! Pa dyshim, ky fakt i “nervozon” partitë, ndaj dhe mundohen t’i përvetësojnë, ndërsa në rast se partia gjendet në pushtet, kurse intelektuali nuk pajtohet të përfshihet në asnjë subjekt politik, atëherë më mirë e ka të heshtë se sa ta ketë “një gijotinë” të përhershme mbi kokë!

Çka ishte intelektuali në kohën e ideologjisë komuniste dhe çka është në kohën e partive tona të sotshme? Asgjë më shumë se një njeri që posedon dituri të gjëra dhe të cilat e ka “obligim kombëtar” që t’i vë në shërbim të pushtetit. Pra, pushtetit i duhen intelektualët për “t’i luluar” ato strategji nacionale që në duart e partive të sotme nuk janë asgjë tjetër përveçse lëvizje taktike! Një intelektual kaq i mirë, sipas parametrave partiake, mund të arrijë të jetë kryetar akademie, drejtor institucionesh, ministër, dekan, rektor, kryetar sindikatash të arsimit, të artistëve…

Çeslav Millosh këtë rol të intelektualit të partive të sotme e përkufizon si shpërfytyrim i intelektualit në aktor. Intelektuali nuk guxon ta thotë atë që e mendon, të vërtetën, objektiven, por duhet ta thotë dhe ta bëjë sa më të kapshme atë që e do, por nuk di si ta thotë pushteti! Ngjashëm si aktori!

Intelektuali partiak, apo ideologjik, apo i pushtetit, sipas Milloshit, është i detyruar që ta ngulfasë të vërtetën, të bukurën, të fuqishmen dhe ta artikulojë “intelektualisht” vetëm atë që ia kërkon pushteti apo partia. Kështu, duke ikur nga intelektualitet i vet, në fakt intelektuali kyçet në aktrim dhe interpreton “konceptin strategjik” të partisë.

Intelektuali konformist

I vetmi qëllim i jetës së intelektualit konformist është që sa më lehtë dhe sa më shumë të vije deri te të mirat materiale. Sipas tyre, njeriut i duhen vetëm të mirat materiale! Kur i ka këto të mira, ka gjithçka: lirinë, të drejtat, lumturinë, jetën!

Intelektuali konformist është jokritik ndaj realitetit, është apolitik, ndërsa për nga aspekti moral pozita e tij nuk është as morale, as jomorale, por thjesht, imorale! Është shumë i përshtatshëm për autoritetet pushtetmbajtëse, për diktatorët, për tiranët, të cilët përgatitjen e tij akademike e përdorin për përforcimin e pushtetit politik. Fatkeqësisht, statistikat dhe faktet historike dëshmojnë se numri më i madh i inteligjentëve dhe i inteligjencies i përkasin intelektualëve dhe inteligjencies konformiste. Kjo është edhe arsyeja që ua mundëson uzurpatorëve të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet!

Intelektuali i salloneve

Dikur intelektualët e salloneve verbalisht angazhoheshin për idetë më përparimtare, por asnjëherë nuk ishin në gjendje të ishin bartës të realizimit të atyre ideve. Gjithçka rreth dhe mbi revolucionin fillonte në sallon dhe aty përfundonte. Prapa ideve dhe mendimeve përparimtare të intelektualëve të salloneve nuk ka ndonjë vepër konkrete.

Natyrisht, duke e ndjerë se po u ikë koha, ky lloj i intelektualëve do të bëjë përpjekje të ekzistojë edhe më tej, ndërsa në fillim të shekullit XIX do të kalojnë nga salloni nëpër kafene. Këta intelektualë që frymën publike do të mundohen tashmë ta shpalosin nëpër kafene, do të quhen “intelektualë të kafeneve”! Pra, ky tip intelektualësh emërtohet varësisht nga hapësira të cilën e zgjedhin për rafal pallavrash “intelektuale”!

Ky tip i intelektualëve vazhdon edhe sot e kësaj dite, por që tashmë kanë ikur nga sallonet, nga kafenetë dhe kanë gjetur hapësirë brenda çajtoreve apo edhe faltoreve-qyrsive! Fatkeqësisht, nëpër këto “sallone” intelektualët e sotëm nuk përcjellin intelektualitet, njohuri të thella, por të lodhin me kopalla e pallavra që i nxënë (krejt gabimisht!) nga televizionet apo rrjetet sociale, apo edhe që u vinë si “mësime” ideologjike nga punëdhënësit e tyre të studiove propagandistike të huaja dhe të dëmshme për interesin kombëtar. Këta intelektualë janë gjallë të interesua për një “paqe mermer” si dhe për hapësirën ku mund të konsumohen pallavrat e tyre; intelektualët e çajtoreve-qyrsive e urrejnë aksionin-revolucionin-reformën, sepse e gjithë kjo do t’i linte pa atë hapësirë, sipas së cilës e marrin emrin dhe pa audiencën e ligjërimeve të thata të formatit të kopallës.

Ndërsa prej tipeve intelektualësh që bazohen kryesisht në lëndën me të cilët merren, dallojmë këta tipa: intelektualë humanistë, intelektual scientistik-teknik.

Intelektuali humanist

Intelektuali humanist udhëhiqet nga vlerat universale! Në botën e intelektualit humanist mund të gjenden disa lloje nga tipologjia e intelektualëve. Në botën e tij mund të gjendet profil intelektuali nacional, por jo shovinist, intelektual kritik, por jo edhe demagog, profil intelektuali revolucionarit, por jo përfitues revolucioni apo mediokër, intelektual kombëtar, por jo dhe partiak etj.

Intelektuali humanist është tepër shumë i ndjeshëm ndaj çdo organizimi të njerëzve, sidomos ndaj organizimit si pushtet, i cili, në emër të njerëzimit shpesh di të veprojë e të shkaktojë dëme të mëdha, padrejtësi të skajshme, anësi të hapët në aspekt të ndarjes së të mirave të përgjithshme. Ndaj dhe, një intelektual i këtillë gjithnjë është i gatshëm që të “kacafytet” me pushtetin, ta kritikojë çdo shmangie të pushtetit nga sundimi i ligjit. Çdo vendim i pushtetit që do ta sillte njeriun në situata t’i nënshtrohet padrejtësisë, pabarazisë dhe nënshtrimit, do të hasë në kritikë të ashpër, në kundërshtim e në rebelim të intelektualit humanist!

Intelektuali humanist, nuk llogaritet vetëm ai me ndjeshmëri të madhe ndaj njerëzimit, ai që organizon aktivitete humanitare, apo ai që vihet në ballë të shpërndarjes së ndihmave humanitare. Mbi të gjitha, intelektuali humanist ofron edhe ide të qarta, si për njeriun ashtu edhe për pushtetin, ofron zgjidhje fatlume sidomos për njerëzimin.

Intelektual scientistik-teknik

Ky tip i intelektualit di të jetë edhe gjeni. Me tërë qenie i përkushtohet shkencës dhe për shkencë e pranon vetëm atë që mund të dëshmohet dhe vërtetohet përmes eksperimentit. Intelektuali scientistik është rob i talentit të vet. Hapësira e tij është laboratori. Mbyllen natë e ditë dhe përmes eksperimenteve hulumtojnë mbi atë që njeriut ia ofron natyra dhe kozmosi. Edhe ky tip intelektualësh janë shumë të dashur për pushtetmbajtësit. Në të shumtën e rasteve intelektuali teknik nuk mendon mbi pasojat e mundshme nga idetë dhe zbulimet e tyre. Nuk u intereson as ajo se në çfarë shoqërie jetojnë dhe me kë jetojnë! Angazhimi i tyre është ekskluzivisht shkencor dhe, përtej kësaj, e rëndësishme është vetëm ajo që përbën interes personal! Një prototip i këtij tipi intelektuali mund të merret shkencëtari i shekullit XX, Albert Ajnshtajni.

Edhe sot, intelektuali scientistik-teknik, mbyllet në laboratorin e vet dhe është në kërkim të armëve më të sofistikuara. Kjo për të paraqet sukses, sepse nga kjo punë varet përmirësimi i kushteve të veta ekzistenciale. Anketat e shumta dëshmojnë se ky tip i intelektualëve asnjëherë nuk lodhet rreth asaj se çka po zbulojnë dhe çka po prodhojnë dhe as për atë se për çfarë do të përdoren prodhimet e tyre. Duke qenë intelektualë-teknicientë të ftohtë nuk e ngarkojnë ndërgjegjen me çështje nëse po veprojnë mirë apo jo, ata vetëm e kryejnë një punë që u është kërkuar, si të gjithë të tjerët!    

Leave a Reply

Your email address will not be published.