“TOBI”, “KAPITENIA ROZALI” dhe “CELESTE, PLANETI IM”

Në njohjen e mëtejshme të shkrimtarit Timothée de Fombelle dhe krijimtarisë së tij, Sh. B. Mediaprint, në vitin 2022, na ka sjellë në shqip një gur të çmuar me emrin “Kapitenia Rozali”, përkthyer plot finesë dhe dashuri nga Adriana Koxha

Xhahid BUSHATI

U lind në vitin 1973, në Paris. Babain e kishte arkitekt. Shpesh e merrte me vete në Afrikë. Një pjesë të fëmijërisë e kaloi në Marok dhe në Bregun e Fildishtë. Çdo verë, familja e Timothée-s pushonte në një fshat që gjendej në Francën perëndimore. Në pyllin më të afërt të fshatit, ai së bashku me motrat e vëllezërit e tij luanin në pyll, interpretonin pjesë të ndryshme për prindërit e tyre, si dhe frekuentonin bibliotekën e fshatit. Në moshën 17-vjeçare themeloi grupin teatror “La Troupe des Bords de Scéne”, për të cilin shkroi dhe vuri disa pjesë në skenë. Dashurinë për dramaturgjinë nuk e la kurrë. Timothée, në fillim ishte mësues letërsie, pastaj dha mësim në Paris e Vietnam. Është i martuar me Laetitia, e cila është aktore dhe boksiere amatore. Çifti ka një vajzë që quhet Jeanne Elisha. Ajo ka lindur në vitin 2004.

Timothée shquhet si dramaturg. Në dramën e tij “Unë gjithmonë kërcej” trajton problemet dhe raportin mes humbjes dhe brishtësisë; me komedinë e titulluar “Macet e trëndafilit” fitoi emër. Dramat e tij janë përkthyer në disa gjuhë, si: gjermanisht, italisht dhe greqisht.Në vitin 2006, ai bëri debutimin e tij si autor me “Toby Alone”, një roman për të rinj, botuar nga Sh. B. Gallimard Jeunesse. Romani pati sukses të madh, dhe njohu një përkthim në 30 gjuhë. Autori për veprat e tij është nderuar me 20 çmime, duke përfshirë çmimin “English Marsh”, çmimin italian “Andersen”, dhe shumicën e çmimeve franceze për letërsinë për fëmijë. “Toby Alone” dhe vazhdimi i tij “Tobi dhe sekretet e pemës” (roman, 2007) tregojnë historinë e një djali të gjatë një milimetër e gjysmë, i cili jeton në një pemë lisi dhe duhet ta shpëtojë atë nga shkatërrimi. “Për mua, pemët janë planete të gjelbra, dhe si këto pemë planeti im TOKË është, gjithashtu, i rrezikuar, …” – thotë në një intervistë shkrimtari francez. Më pas, romanet për fëmijë kanë ndjekur njëri-tjetrin duke çuar lexuesit e të gjitha moshave në aventura të mëdha, duke i dhënë vend krenarisë, imagjinatës, emocionit dhe poezisë, duke shprehur gjithëfuqinë e fëmijërisë. Timothée e zgjeron krijimtarinë e tij letrare, duke e pasuruar me zhanre të ndryshme dhe i shumëfishon bashkëpunimet duke krijuar albume, përralla muzikore… etj., pasuria dhe hiri e së cilës veç e veç dhe e marrë së bashku e kanë vendosur atë si një nga shkrimtarët më të shquar të brezit të tij. Midis viteve 2016 dhe 2020, Timothée u zgjodh 5-vjet radhazi për çmimin prestigjioz suedez “Astrit Lindgren” për të rinjtë.

Po përmendim disa vepra të tjera të autorit: – “Celeste, planeti im” (roman, 2009), – “Midis qiellit dhe tokës” (roman, 2010), – “Një princ pa mbretëri” (roman, 2011), … etj. . – Nga ky autor, Sh. B. Mediaprint për lexuesin shqiptar ka sjellë dy romanet e tij të suksesshme: “Tobi – një milimetër e gjysmë guxim” dhe “Tobi – sekretet e pemës”. Nga leximi im mbresëlënës i këtyre dy veprave të shquara, po hedh këto shënime që i gjeta në bllokun tim e, që do t’i zgjeroj në të ardhmen drejt një optike më të gjerë. Shënimi është ky: “Një aventurë e ngarkuar me çmime heroizmi, miqësie dhe mbijetese – me një mesazh të fuqishëm ekologjik – vendosur në një botë magjepsëse në miniaturë. Tobi, ndonëse është vetëm një milimetër e gjysmë i gjatë, është personazhi më i kërkuar në botën e tij, i cili është Liai i Madh. Kur babai i Tobit bën një zbulim novator, duke prekur thelbin e energjisë së Pemës, ai, gjithashtu, kupton se shfrytëzimi i saj mund të dëmtojë përgjithmonë botën e tyre. Duke refuzuar t’i zbulojë sekretin e shpikjes së tij në mjedisin e një komuniteti të tërbuar, familja e Tobit internohet. Nga ana tjetër është një njeri, i cili është i vendosur për të kapur njohuritë e ndaluara…, dhe plani i tij famëkeq e ogurzi është të shkatërrojë Pemën. Por, tani, prindërit e Tobit janë të burgosur dhe të dënuar me vdekje. Vetëm Tobi ka arritur të shpëtojë, po për sa kohë?..”

Në njohjen e mëtejshme të shkrimtarit Timothée de Fombelle dhe krijimtarisë së tij, Sh. B. Mediaprint, në vitin 2022, na ka sjellë në shqip një gur të çmuar me emrin “Kapitenia Rozali”, përkthyer plot finesë dhe dashuri nga Adriana Koxha. Ky libër është një ndër tre librat e përzgjedhur në vitin 2018 nga “Le Figaro” për t’ua rrëfyer  fëmijëve kujtimin e Luftës së Parë botërore me delikatesë dhe filozofi. Në tekstin shoqërues të librit thuhen këto fjalë: “Libri “Kapitenia Rozali” rrëfen historinë e një vajze të vogël të mbërthyer në trazirat e luftës. Ajo përfaqëson përvojat e mijëra fëmijëve, baballarëve e të cilëve kanë shkuar në front, ndërsa nënat detyrohen të punojnë, shpesh në fabrika, për të plotësuar nevojat e tyre. Megjithëse e vogël, Rozalia është plot imagjinatë, për shkak edhe të peshës së luftës dhe mungesës së babait. Nëna e saj ia lexon letrat që ai dërgon, por Rozalia dalëngadalë dyshon në përmbajtjen e tyre të vërtetë. Ajo nis të kërkojë të vërtetën. Ky mision do t’i japë asaj një medalje!”

Leave a Reply

Your email address will not be published.