Poemat e De Radës shquhen për një origjinalitet të tejskajshëm dhe gjithçka që përthithet prej folkut, është shtojcë në shërbim të idesë, temës, përmbajtjes, dëshirës për t’u dhënë jetë trajtave e diskursit zhanror popullor
Majlinda Nana RAMA
Jeronim de Rada, themeluesi i letërsisë dhe kulturës arbëreshe, do të ishte padyshim një nga autorët që hapi shtigje të reja në letërsinë shqiptare, duke kapërcyer nga një letërsi kryesisht të karakterit fetar, në një letërsi artistike. De Rada ka meritën e madhe, pasi i dha krijimtarisë letrare koncepte teorike e metodologjike të një lloji të ri, duke shkrirë edhe elemente të motivit popullor me origjinalitetin e tij krijues poetik.
Veprimtaria poetike e De Radës, siç e dimë, ishte e larmishme. Pas poemës “Këngët e Milosaos”, 1836, vepër që do t’i jepte përmasa letërsisë shqiptare, De Rada do të vijonte me një tjetër poemë me po të njëjtin ritëm, “Serafina Topia”, me të cilën poeti punoi në vitet 1839-1843 e që do ta rimerrte sërish më pas nën titullin “Pasqyra e një jete njerëzore”, më 1898. Nëse u referohemi këtyre dy poemave, vëmë re, mjaftueshëm, elemente folklorike, të cilat vihen në shërbim të idesë së përforcimit lirik. Motivet nga këngët popullore, baladat, elegjitë, besëtytnitë, gjykimet dhe paragjykimet e katundit, janë përvetësuar dhe bërë pjesë e origjinalitetit të poetit. Dhënia e efekteve të tilla parabolike zbërthen gjithë filozofinë e këtyre dy veprave, duke e shkodifikuar atë e duke e bërë më prezent, më dominante, më të dukshme, më transparente. De Rada sintetizon një larmi gjetjesh arkaike me modele zbatuese, duke depërtuar në shfaqje të tradicionales, pjesë e pasurisë së shqiptarëve.
Në universin e krijimeve poetike të De Radës, padyshim që vendin kryesor e zë “Këngët e Milosaos”. Si një vepër romantiko-lirike, autori vë në qendër idilin e dy të rinjve, të cilin e ka tjerrë mbi trajektoren e linjave popullore. Këto të fundit i përçon nëpërmjet trajtave emocionale e këngësore, përshkrimit të ambientit të jashtëm dhe afeksionit të brendshëm të të rinjve Milosao dhe Rina. Detajet vijnë si simbolikë e duajve të folkut të shqiptarëve të Italisë dhe jo vetëm. Por, në poetikën e De Radës, vihen re ndjeshëm edhe ndikime të italianëve të Rilindjes, si: Torquato Tasso, Ludovico Ariosto etj.
Letërsia gojore, krijimet popullore dhe elementet arkaike, zënë vend tek të dyja poemat. Regëtimat e zemrës së të rinjve, si dëshmi e dashurisë së pambaruar, e kanë habitatin në natyrë. Takimet e Milosaos dhe Rinës zhvillohen te kroi, te burimi. Takimet e Serafinës dhe Bozdar Stresit zhvillohen në buzë të detit, ku shpura e Serafinës po lan teshat. Këngët e dashurisë, origjina e motiveve arbëreshe, bëhen pjesë integrale e vargut në poema.
Vëmë re te “Këngët e Milosaos”:
“Vashë më jep një pikë ujë.
Sa të duash ti bir Zoti!”.
Por, edhe ndasitë për shkak të shtresimit klasor e social dhe disnivelit kulturor e të formimit, janë një qasje që përcillen nga njëra fazë trajtuese në tjetrën, shoqëruar me ndonjë detaj të imët të gjurmëve të folklorit. Çdo këngë ka një motiv, çdo motiv ka një detaj dhe e gjithë përmbajtja shkon sërish përkrah këtyre elementeve. Milosaoja, një djalë i shkolluar, poet, nga një shtresë aristokrate, që dashurohet me një vajzë të thjeshtë, të varfër, të paarsimuar, të paqytetëruar, me disnivel kulturor krahasuar me të. Rina është thjesht dhe vetëm e bukur. Kjo është e gjithë pasuria e saj. Ajo nuk mund të diskutojë me Milosaon për çështje të kombit apo probleme të tjera madhore. Edukimi i saj është i cunguar. Por heroi, gjithsesi, dashurohet me të, me shikim të parë, si dashuria e gojëdhënave me gërshetëzat apo sirenat. Po ashtu, në kangjelin I te “Këngët e Milosaos” shohim vargjet:
Bota kish ndërruar lisa
uji i ri në det
kaltëronte n’ditn’ e re;
por lumbardha e Anakreontit
në Temp rronte e moçme…
Lumbardha e Anakreontit vjen si frymëzim poetik i poetit, frymëzim kaq i lashtë, i mbrujtur ndër shekuj dhe De Rada e sjell këtë detaj si një ripërtëritje. Por edhe besëtytnitë janë pjesë e dukshme e përbërjes së poemës. Nëse do të analizojmë qëndrimin e Milosaos në tri raste të ndryshme, vëmë re një “hakmarrje” të mundshme të fuqive tejnjerëzore.
1- I dashuruar me Rinën, por në pamundësi për t’u martuar me të, për shkak të kundërshtimit të nënës dhe paragjykimeve, Milosaoja shkon në luftë. Pas kthimit prej saj, si një bekim, bie tërmeti që shkatërron gjithçka dhe të gjithë bëhen njësoj si shtresë sociale, ekonomike. Në këtë formë, si një zgjidhje artific e De Radës, zhduken të gjitha pengesat klasore dhe dy të rinjtë lidhen në martesë.
2- Atdheu sërish është në rrezik. Bien kambanat e luftës. Por Milosaoja i gëzohet ngrohtësisë familjare dhe gugimave të foshnjëzës së vet. Ai nuk shkon në luftë. Si sprovë e fatit (a mallkim),artific tjetër e De Radës, ai humbet edhe djalin, edhe Rinën e dashur.
3- I mbetur vetëm, mes tragjedisë dhe dhimbjes që i ka pllakosur. Bie briri i luftës. Ai shkon në luftë deri në vdekjen e tij (si një paradigmë aksiomatike që nuk ka lumturi personale, nëse atdheu është në rrezik).
Por duhet theksuar fakti që poemat e De Radës shquhen për një origjinalitet të tejskajshëm dhe, gjithçka që përthithet prej folkut, është shtojcë në shërbim të idesë, temës, përmbajtjes, dëshirës për t’u dhënë jetë trajtave e diskursit zhanror popullor. Këto motive kanë një tipologji lineare dhe ndërfuten organikisht brenda së tërës, pa krijuar kërcitje.Vijmë më tej në ndarjen në mënyrë të beftë nga jeta të personazheve kryesore, Milosaos dhe Serafinës. Edhe pse nuk ka skema deklarative, nënteksti vjen tek ekzistenca e dashurisë në botën e përtejme, një motiv po aq popullor e folklorik, edhe ky. Milosaoja vdes pasi ka humbur Rinën dhe Serafina vdes menjëherë pas Bozdarit. Këto mbyllje tragjike, nuk janë gjë tjetër, veçse një filozofi e De Radës. Kur vdes dashuria shpirtërore, shuhet edhe dashuria biologjike. Ky ligj i pashkruar i kapërcen kufijtë e së zakonshmes dhe ka një tragjicitet më vete.
Madje, te “Serafina”, autori, nëpërmjet personazhit (Serafinës), rrëfen metamorfozën e një çifti të dashuruarish, ku, pas humbjes së dashurisë, vajza përjetësohet në bajame. Megjithëse figurinat apo motivet popullore do të ishin nxitje, tërheqje, grimca frymëzimi, De Rada kish si armë të fortë stilin e veçantë tëgdhendjes e përpunimit artistik si një dëshmi e formimit të tij, hapësirës dhe pasurive të intelektit të jashtëzakonshëm krijues. Poeti nuk tjetërsoi vlerën letraro-artistike, ai e pasuroi atë me gjetje e modele burimore të cilat dëshmonin një autenticitet folkloristik, si pasuri e vendit. Simbioza e lëndës së folklorit dhe jofolklorit, kompozicioni, sjellja e origjinales me lëndën e sendërtuar, krijojnë tipologjinë individuale poetike të De Radës. Ai arrin në majat e ndërtimit si strukturë e përmbajtje të poezisë, për mjeshtërinë që i jep gjithë semantikës së poemave.
** *
Këngët e Serafina Topisë”, si një almanaklirik i vashës shqiptare, Serafinës, princeshës së Artës dhe më vonë Zadrimës, do të sillte një romancë të thekshme, duke plotësuar edhe më tej profilin krijues të De Radës. Tematika e poemës vjen me trajtë tërësisht frymëzuese, ku natyrshëm shkrihet lirikja me epiken. E, për të depërtuar tek elementi lirik i poemës, shohim se ai shfaqet qysh në lindjen e dashurisë së dy të rinjve, kur vajza e mbushur me ëndrra rinore vjen me një botë të pasur shpirtërore, por edhe botë të pasur krijuese. Dashuria eSerafinës me Bozdarin, nga dy familje armike të përbetuara, sikurse Montagët dhe Kapuletët e Shekspirit, ndërthuret me aspiratën e shqiptarëve në luftën ndaj sundimit osman.
Takimi i dy të rinjve zhvillohet buzë detit. Autori, i bindur në rrahjet e sinqerta të zemrës vajzërore të Serafinës, sjell përshkrime harmonike të gjendjes së saj. Ajo arrin sa të shkelë mbi marrëdhënien armiqësore të familjeve, duke dalë mbi to e duke i dhënë hov dashurisë për të riun e Stresajve.
Po të qenë të tillë armiqtë,
i them shqepzës: “Shko me të!”.
Serafina ka ndier regëtimat e dashurisë, e cila nis nga shamiza e djaloshit, për të shpërthyer në dialogun mes tyre. Pas kësaj, ajo ndërmendëson. Gjithandej i vjen erë lirie. Ndihet në paqe. Jeta ka marrë revanshin e të pashpjegueshmes. Kjo gjendje e Serafinës ka një shkak madhor dhe, si në gjendje të tillë, ajo vijon:
Sa e lumtur ajo ditë:
Kudo pa një hije turku!
Ndjesia dhe ngazëllimi i brendshëm i Serafinës, që e kanë një buresë, duket sikur sinkronojnë me një panoramë të paqtë edhe të natyrës, gjendjen përreth me të gjitha elementet përbërëse të saj. Dashuria për vendin vjen e plandosur mbi perceptimin e saj për mikrobotën që e rrethon. Ajo e sheh çdo element natyror si pjesë të pandarë të jetës mbi tokë.
Arat kishin sjell bukën,
lumenjtë rridhnin, murmurinin,
zogjt’ këndonin, edhe cinxujt,
që me verën vijnë e ikin,
sapo m’u shfaqën në jetë,
aq të hapët e të lirë!
Përmes figurës së Serafinës, De Rada nxjerr në pah virtytet e femrës shqiptare, vajzës me ideale, me dashuri për vendin e vet dhe për njerëzit e kësaj toke. Madje, do të jetë kjo dashuri që dominon dhe sfidon ndjenjën e saj të pastër për të dashurin e zemrës, Bozdarin, duke sakrifikuar vetveten për interesa më të mëdha. Ajo martohet me princin Nikollë Dukagjini me qëllimin e bashkimit të principatave. Vetëm kështu do të mund të krijohej bashkimi kombëtar i fuqive për të luftuar pushtuesin. Kjo përgjegjësi dhe detyrë atdhetare e bën Serafinën të vulosë njëherë e përgjithmonë fatin e keq të ndjenjës së pasionit të marrë për të riun Bozdar. Në ndarje, ajo përmend metamorfozën e një vashe të dashuruar dhe kthimin e saj në lule-bajame, pasi priste të dashurin e saj, që u kthye kur ishte shumë vonë.
Vasha e priti aq sa s’ngjante më e re…
një mëngjes brenga që e treste gjithmonë,
e shndërroi atë në bajame të hollë…
Dhimbja e saj e ndarjes do të mbetej brengë e përjetshme. Vetëm ajo e dinte se cili ishte kumti i brendësisë së saj. Një shpirt i zjarrtë do të digjej mot e jetë deri në vdekjen e saj. Ajo do të jetonte kufomë. Pa të. Nuk do të kish më lule përreth. Me largimin e Tij, do të vdisnin gjethet, pemët, fluturat. Gjithçka do të mbetej pa ngjyra, si stinë e fundit… Pas lotit të pakthyeshëm, Bozdari do të nisej…
Dashuria si ndjenjë intime dhe dashuria si ndjenjë për atdheun, ishin dy anët e medaljes. Në kushtet kur zëri i vendit thërriste, ndjenja dhe interesat personale liheshin mënjanë. Madje, sakrificën e dashurisë për interesa të vendit, De Rada e sjell gjer në stadin e sublimes. Pas martesës, në kohën që përkonte me përkujtimoren e Skënderbeut, autori na sjell një përshkrim të shkurtër, por tepër domethënës, teksa i shpalos të dyja ngjarjet: si përgatitjet për përshpirtjen, ashtu edhe përpëlitjet mes jetës dhe vdekjes së heroinës së poemës. Këtu De Rada bën një lidhje logjike me porositë që Gjoni u jep katër bijve para se t’i nisë. Serafina niset vetë për të mos u kthyer më. Ajo, si një grua shqiptare e qenie humane siç shfaqet gjatë gjithë veprës, u jep amanetin e fundit fëmijëve të saj, duke i edukuar me dashurinë për vendin, natyrën, tokës, lulet e me gjithçka që mbante erë arbërore, për të vijuar më tej me:
…ne fjalosemi e përmjet fjale
ç’ndiejmë i shfaqim njëri-tjetrit…
Ky është një tjetër detaj plotësues i vlerave morale e njerëzore të saj, virtyte të cilat ua përcjell bijve, si një thesar që kanë ditur të lënë shqiptarët. Konotacionin pozitiv, personazhi kryesor në poemë e merr, padyshim, në vargjet e mëposhtme:
…Dhe drita që u shkri pa u ndier,
shkoi pa u ndier se vdiq zonja
që na la vetëm shëmbëllesën
mëndje-e-fjalë-shkëlqimtare!
Jeronim De Rada mbetet një ndër figurat më në zë të historisë sonë letrare, me një dialog dhe gjuhë të pasur, subjekt e strukturë komplekse.