VDEKJA VJEN PËRTEJ SË MARTËS

(Mbi romanin “Asnjëherë të martën”, i Bashkim Hoxhës, botim i shtëpisë botuese”Onufri”, Tiranë)

Agim BAJRAMI

Për të nisur leximin e librave të Bashkim Hoxhës, një lexues ka njëmijë e një arsye, por arsyeja më e fortë është, se librat e këtij autori janë si një skenë teatri, ku personazhet luajnë dramën dhe tragjikomedinë e tyre, me një sinqeritet deri në vetëmohim dhe për më tepër, pa kërkuar prej askujt duartrokitje. Në këtë kontekst nuk bën përjashtim as libri i tij i fundit, “Asnjëherë të martën”,roman që e pasuron edhe me shumë opusin e tij letrar me temat e nxehta të bashkëkohësisë. Edhe pse në pamje të parë të krijohet ndjesia se kemi të bëjmë me një histori policeske,me vrasës dhe të vrarë, e vërteta është ndryshe. Është një vepër ku personazhet janë modeluar në bazë të raportit kohë- hapësirë,po ku nocionet formale të kortezisë, ka kohë që janë prishur,ose janë kthyer në të kundërtën e tyre. Është ky realitet që i jep veprës së këtij autori një shpërfaqje përtej të zakonshmes. Është ky shkaku, që kufijtë mes narrativës së jashtme të shkrimtarit dhe narrativës se brendshme të personazheve, të jenë të padukshëm,ose në rastin më të keq krejt formalë,duke dalë kësisoj nga stereotipet dhe formatet tradicionalë të diskursit. Bashkim Hoxha jo pa qëllim zgjedh kohë tranzite,dhe situata gjer në kufijtë e absurdit. Ai e di se prej tyre mund të nxjerrësh krijesa hibride dhe material po aq interesant. Shumica e heronjve të tij sikur kanë dalë nga një album të sëmurësh depresivë. Edhe pse shpesh herë shfaqen para nesh me pamje të zakonshme,ose me kostume të shtrenjtë filozofësh provincialë,brendia e tyre e padukshme le vend për t’u mëshiruar. Shumica e tyre janë të implikuar në vrasje,ose veprimtari kriminale dhe janë të dënuar të ndiqen nga mbrapa nga turma e hijeve të viktimave të tyre. Edhe pse bëjnë gjithçka për të shpëtuar, dalja e tyre nga metafora e fatalitetit është e pamundur. Jo më kot fatthënat që kundrojnë dhe parashikojnë jetët e tyre në këtë vepër,kanë zakonisht fytyra të ngrysura dhe shohin çdo natë ëndrra horror. Nga ana tjetër, Bashkim Hoxha nuk e kundron personazhin e tij vetëm si viktimë rrethanash shoqërore, por edhe një si viktimizues të pamëshirshëm të saj. Në sinkron me këtë, ai pikturon edhe ambientet urbane, ku rriten dhe zhvillohen ata. Ndofta është ky çelësi magjik, me të cilin ai arrin të motivojë ngjitjet e përkohshme dhe rrëzimet e tij. Denis P (alias Vladi )në fillim ishte një njeri i rregullt, gjersa një ditë të bukur kthehet në një vrasës profesionist të rrezikshëm. Mendimi i parë që mundtë vijë në këtë rast, është se brenda tij mund të ketë ngjarë ndonjë shkarje, apo shok i rëndë psikologjik,pasi në jetë ndodhin shpesh trauma të tilla. Por mbasi bëhesh vetëm pak kohë bashkudhëtar i ambienteve te frikshëm,ku është rritur dhe formuar ai, bindesh për të kundërtën. Janë koha dhe aksesorët e saj të përbindshëm shkaktarët kryesore të këtij transformimi. Jo më kot gjatë gjithë aktit të leximit, lexuesi ndjen një mungesë të vazhdueshme ajri dhe një ankth që të vret pak nga pak. Pikërisht ky ka qenë edhe qëllimi parësor i autorit. Depërtimi në substratin e së keqes dhe trajtimi sa më i thellë artistik i saj, “Vdekja si fillim, vdekja si fund”.

Ashtu siç e thamë që në krye, ky roman fillon me një deklaratë të pazakontë për një vrasje të pritshme: “Te martën e kam pushim,nuk bëj vrasje. Të mërkurën po. Pastaj do iki”. Edhe pse ngjan se Denis P, i ka shpëtuar pa dashje kjo gjë, një deklaratë e tillë shërben si një mjet artistik mjaft i gjetur nga ana e autorit, për t’i dhënë veprës së tij që në krye, një fillim intensiv. Detaje të tillë që autori i përdor herë pas herë si pjesë e teknikës së tij narrative,janë të aftë ta gjallërojnë dhe ta bëjnë më të lëvizshëm dhe më dinamik rrjedhën romaneske. Protagonisti dhe hija e tij fizike, ecin krah për krah njëri tjetrit,për një kohë të gjatë,por që nuk e pyesin njeri tjetrin, se ku do mbërrijnë,pasi ata e kanë të qartë destinimin e tyre fatal. Vizatimi i një peizazhi të tillë gri shoqërohet patjetër me një muzikë të trishtë të tipit funebër dhe aq më shumë kur plotësimit të peizazhit i shërben edhe dalja herë pas here në skenë e simbolikës së Shën Kozmait, shenjtit me një kokë të prerë në duar. Si një vepër me pohime të fuqishme, të tillë detaje e përforcojnë më shumë faktin se ne, të gjithë, udhëtojmë gjatë gjithë jetës sonë, me vdekjet dhe kafkat tona në duar,pavarësisht lumturive dhe humba-mendjeve tona të përkohshme. Synimi i autorit për të treguar se ç’pjesë te vyera shpirtërore humb individi,kur bëhet pjesë e së keqes, jepet nëpërmjet kurbave të herëpashershme të një jete njerëzore, gjithnjë e në rënie,çka një lexues i mirë mund t’i ndjekë vazhdimisht hap pas hapi Ajo çka të bie në sy në shumë romane të këtij autori,është autenticiteti i rrëfimit. Shumica e heronjve të tij,kanë një dëshirë të lindur, për ta marrë vetë përsipër narrativën e veprimeve të tyre,duke u rreshtuar kështu në një vijë paralele me autorin e veprës,në një duet interesant. Nëse do të hidhnim një paralele me këngët polifonike të jugut,në këtë roman kemi të bëjmë më dy lloj narratorësh: Narratori A (ose marrësi) që është shkrimtari, dhe Narratori B (ose kthyesi që i takon të jetë Vladi. Zhvillimi i veprës varet natyrisht nga harmonizimi i zërave të tyre, pa interferuar dhe pa i hyrë njëri tjetrit në pjesë. Në kontrast me tonet e buta dhe të qetë të Narratorit A,tonet e larta dhe ndonjëherë të pakontrolluara të Narratorit B, janë kaq të nevojshëm. Së pari i shërbejnë autorit për të prishur linearitetin e narrativës, por më së shumti i shërbejnë Narratorit B që ka një etje të tmerrshme për të rrëfyer historitë e trazuara të jetës së tij të trazuar dhe për t’u lehtësuar disi. Duke i mbledhur në një shumësinë e ngjarjeve dhe historive, pohimi bazë i të dy narratorëve është se: në kohë të çmendura askush s’habitet më me habinë. Duke qenë një autor që e njeh gjer në detaje periudhën e tranzicionit të pamëshirshëm shqiptar,dramat dhe tragjeditë që ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë ai,autori i mëshon fort idesë se kur njerëzit mësohen me të keqen për një kohë të gjatë, shndërrohen padashje edhe vetë në mbrojtës dhe kalcifikues të saj. Personazhi kryesor i romanit ka kohë që vuan nga halucinacionet. Që mbas vrasjes së parë, Vladi nisi të bëhej i verbër si plumbi,sepse historitë e tij të mëparshme ia vodhi mjegulla. “Nuk ka kohë të shohësh qiellin, nëse vret një njeri”, thotë ai me trishtim përpara aktit të vetëvrasjes. Diskordancat e dukshme mes kohës së reflektimit dhe kohës së rrëfimit janë të shpjegueshme. “Me sa duket,kolona zanore e kujtimeve, mund të jetë e trishtuar, thotë ai”.Ose “Në luftë shkohet për të vrarë,nuk shkohet për vallëzim”. Intriga e thyerjes se Vladit kalon nëpër një trajektore të gjatë dhe të ndërlikuar katarsis. Një proces i tillë që ndeshet kaq shpesh edhe në shumë vepra të letërsive të mëdha, në romanin “Asnjëherë të martën”, ka një specifikë të veçantë. Ai u shpall që në momentin kur ai kuptoi kotësinë dhe fatalitetin e qenies së tij, në këtë ambient pa rrugëdalje. Rendja nëpër natë, në kërkim të Marinës, të “dashurës” së tij mbas grindjes për abortin e foshnjës,vrasja e ndërgjegjes dhe dëshira e çuditshme që e pushtoi, për ta pasur atë pranë bashkë me fëmijën,humbja e saj sëbashku me trashëgimtarin e mundshëm dhe më në fund vetëvrasja. Edhe pse mund të ngjajë paksa e çuditshme për dikë veprimi fatal, vlerësoj se autori ka vepruar drejtë. Një individ si Vladi, që hyn aksidentalisht në një rrugë të shtrembër,dikur do kërkonte për të dalë prej andej,duke marrë mbi vete edhe kostot. Shfaqja e herëpashershme e imazhit të nënës birësuese dhe asaj të vërtetë kanë lozur rolin e tyre. Në kuptimin metaforik, Denis D ndihej kaq i vetmuar larg tyre, ndaj dhe shkoi për t’i takuar ato. Bashkimi të intrigon që në titujt e veçantë që u vendos librave të tij. Janë ata që të orientojnë, për të hyrë sa më shpejt nga porta kryesore e veprës dhe jo nga dritarja. Relacionet e këndshme mes elementit publicistik dhe atij romanesk, i kanë sjellë risi dhe veçanti të spikatura veprës së tij. Kjo gjë duhet thënë edhe për mënyrën e thurjes se subjekteve dhe tipologjinë e larmishme të personazheve, njeri më interesant se tjetri, si dhe kurthet e shumta artistike nëpër të cilat ngecin ata. Është ndofta kjo një arsye më shumë që fiksioni të ushqehet nga realiteti dhe dallimet mes tyre të jenë kaq pak të dallueshëm. Në këtë vepër spikat tendenca e autorit për ta shqyrtuar heroin e tij nëpër disa faza vëzhgimi,si dhe një rikthim më këmbëngulës “drejt se brendshmes” së tij ekzistenciale. Ndaj, nuk është rastësi qe mbasi ke kthyer edhe faqen e fundit “Asnjëherë të martën”,të të mbetet në duar skeleti prej kartoni i një individi pa të nesërme dhe pyetja se deri në ç’shkallë mund ta katandisë atë perversiteti dhe imoraliteti i një shoqërie të helmuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.