William Blake duket sikur i jep një tjetër dimension asaj frazës së famshme latine: homo faber fortunae suae – njeriu ndërton fatin e vet. Pas leximit të Plisit dhe gurit të zallit ndryshon edhe perceptimi ndaj kësaj fraze, që të lë me më tepër dyshime
(Hamdi) Erjon MUÇA
Proza kishte mbi njëmijëvjet që ekzistonte si zhanër, e megjithatë poetika ishte këmbëngulëse në këtë mision që si zanafillë ishte i veti, por që për nga natyra e sajë ( pjellë e sinopseve abstarkte të mendimit njerëzor) nuk mund dhe nuk duhej ta mbante shumë gjatë mbi shpatulla. Mes rrëfimeve prozaike antike, apo edhe pos-antike dhe atyre poetike deri në portat e klasicizmit, kishte një ndryshim të madh; proza e drejtpërdrejtë, hera-herës e vrazhdë, ashtu si etapat realistike të rrëfimit, ndërsa poetika, e ëmbël, e brishtë, e mbushur plot me metafora, krahasime, me nënkuptime, në kërkim të vazhdueshëm të sublimit të gjuhës; me të njëjtin ritëm, konstant, që nga Suplicet e Eskilit apo Bakantet e Euripidit, tek Eneida e Virgjilit apo Lesbia e Catullo-s, duke kaluar tek Komedia hyjnore e Dantes apo Orlnado i furishëm e Ariostos, deri te Parajsa e humbur e Milton-it Apo Endimione i Keats, por me një kryq të rëndë mbi kurriz në këtë udhëtim mijëvjeçarë. Vetëm me William Blake-un do të përballemi me largimin e poezisë nga kalvari i mbartjes së historive. William Blake ishte i pari që poezinë nga universi e ktheu në atë çka me të vërtetë është; në krijuesen e universeve. Ajo shkëndija parësore, që duhet të jetë shfaqur në çastin e bigbang-ut, jo shpërthimi i madh, por xixa që parapriu shpërthimin; sinopset abstrakte të mendjes janë ato forcat e kaosit që përgatitën atmosferën për krijimin e xixës, xixa është poezia, dhe shpërthimi i bigbang-ut janë moria e mendimeve që merr jetë pasi përballesh me një poezi. Pra, nuk duhet të jetë poezia që rrëfen, rrëfimin duhet ta bëjë lexuesi brenda vetes, poezia duhet vetëm të ndezë dritën e fantazisë; dhe sa më tepër rrëfime të ketë brenda një poezie, aq më e fuqishme është xixa që ajo mbart.
Wlliam Blake nuk ishte krijues do si do, ai ishte një krijues poliderik, piktor, poet, filozof, megjithëse kjo e fundit maskohej ndër krijesa poetike të artit të fjalës dhe artit viziv. Mund të themi pa hamendjeqë poetika e tij ishte e mbushur me shumë vizione dhe piktura e tij mbante shumë poetikë dhe të dyja bashkë ishin të veshura me filozofinë e asaj xixës fillestare. Konkretisht kemi zgjedhur këtë poezi nga libri Kangët e pafajësisë dhe kangët e eksperiencës. Që në titull poeti është vizionar dhe ambig: Plisi dhe guri i zallit. Që të dyja janë objekte të këtij rruzulli, që të dyja kanë po të njëjtët përbërës, por njëri është në një gjendje ndryshueshmërie të shpejtë, ndërsa tjetri jo.Njëri, mund të thuhet, se është në një gjendje (për aq sa njohuri kemi mbi zanafillën e gjithçkaje) thuajse primitive, ndërsa e dyta, duke kaluar përmes një sërë faktorëve evolutiv është ngurtësuar, duke u kthyer në një krijesë refraktare.
“Dashuria nuk kërkon vetëm kënaqësinë e vet,
Dhe ndaj vetvetes nuk ka asnjë ngutje,
por të mirën e vet i jep tjetrit, e krijon një pariz
në dëshpërim të ferrit”.
Kjo strofë më tepër të jep përshtypjen e një lloj sentence filozofike thuajse pozitiviste. Mbart frymën e rrëfimit të diçkaje plotësisht dhe qartësisht të drejtpërdrejtë. Vetëm se duhet të lexohet strofa e dytë për të kuptuar ambiguitetin e strofës së parë.
Një plis prej Argjile të shkelur
nga këmbët e bagëtive këndoi këtë,
por një gurë zalli që ndodhej brenda përroit,
në këtë mënyrë vjershën ia ktheu:
Pra ky nuk ishte një rrëfim, por vizioni, se si, ajo krijesa primitive, e shkelur sa e sa herë në jetën e vet nga këmbë bagëtish, që e kanë bërë të ndryshojë formë në vartësi të këmbëve, e tharë nga dielli, por pa arritur të evoluojë në një gur zalli, e lagur nga shiu, si për t’ia bërë gati këmbës së radhës, që do ta shkelë, për t’i dhënë një tjetër formë, është pozitiviste, beson tek e mira, tek shpërblimi i përjetësisë, në dëshpërim të këtij kalvari shkeljesh tokësore, madje as nuk e kujton se sa herë ka ndryshuar formë përgjatë jetës së vet. Mbetet optimiste, shpresuese për të ardhmen dhe as që e mendon se sa këmbë të tjera do ta shkelin; do të shkelet, thahet dhe ngurtësohet, laget dhe qullet për t’u bërë gati për shkelje të reja, përvijimisht. E ndërsa ti si lexues je duke rrëfyer historinë tënde nën diktatin e kësaj xixe, vjen strofa e tretë, për ta plotësuar sfondin e këtij vizioni.
“Dashuria kërkon vetëm kënaqësinë e vet,
e kësaj kënaqësie një tjetër kërkon t’i lidhë,
e lumtur edhe nëse tjetri humb mirësinë,
e për inat të parizit krijon një ferr”.
Shfaqet ajo krijesa e evoluar, por që mesa duket edhe ajo është vetëm një pjesë e diçkaje shumë më të madhe; këtë gur zalli kushtet atmosferike e kanë shkëputur nga një shkëmb më i madh, i cili më parë qe shkëputur nga mali, dhe lumi e ka rrokullisur duke e përplasur me të tjerë gurë zalli, duke e larë dhe lëmuar. Edhe te kjo krijesë mund të bësh ndryshime, por për t’i bërë ato duhet të ushtrosh një forcë më të madhe dhe ato gjurma do të mbeten më gjatë të shënjuara mbi të. Kjo krijesë e “evoluuar” e vështron realitetin pa ambiguitet. Nuk gjen asnjë përfundim të dytë, qoftë edhe tek ajo ndjesi, që ne njerëzit e kemi quajtur dashuri. Tek gjithçka, kjo krijesë ndjen egoizmin, që thënë kështu duket si diçka e ndyrë, ngaqë mijëra vite predikim mbi këtë ndyrësi, na kanë bërë ta ndjejmë të tillë, por që po ta vëzhgosh universalisht nuk është aspak ashtu. Dielli nuk digjet ngaqë duhet të ngrohë tokën që jeta të vijojë; ai duhet të djegë gazrat e veta të ndezura, e as që i bëhet vonë nëse njerëzit kanë ngrohtë apo të ftohtë. Jupiteri që përthith asteroidë, nuk e bën këtë ngaqë falë kësaj shpëton jeta mbi këtë planet, thjeshtë dendësia e tij prej dielli të munguar e bën më magnetik ndaj trupave qiellor. Së fundmi, ai bigbang-u fillestar nuk u krijua që ne, sot, pas miliarda vitesh, sipas llogarive njerëzore, të shkruajnë këto radhë mbi një nga poetët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, u krijua sepse masat kaotike kishin mbërritur në pikën e duhur.
Vetëm se krijesa njerëzore, gjendet në dy zhvillime njëkohësisht; primitivisht e evoluuar, ose një evolucion primitiv perpetum. Ndoshta, sepse ndryshe nuk do të kishte jetë mbi këtë planet, që duhet të ketë më shumë plisa argjile që të ndryshojnë sa herë ia japin mundësinë kushtet atmosferike, se sa gurë zalli, thuajse të pandryshueshëm. Me anë të kësaj xixe poetike, William Blake duket sikur i jep një tjetër dimension asaj frazës së famshme latine: homo faber fortunae suae – njeriu ndërton fatin e vet. Pas leximit të Plisit dhe gurit të zallit ndryshon edhe perceptimi ndaj kësaj fraze, që të lë me më tepër dyshime.Njeriu ndërton fatin e vet?!. Kthehet njëhershëm në pyetje, në konstatim dhe në habi.
PLISI DHE GURI I ZALLIT
“Dashuria nuk kërkon vetëm kënaqësinë e vet,
Dhe ndaj vevetes nuk ka asnjë ngutje,
por të mirën e vet i jep tjetrit, e krijon një pariz
në dëshpërim të ferrit”.
Një plis prej Argjile të shkelur
nga këmbët e bagëtive këndoi këtë,
por një gurë zalli që ndodhej brenda përroit,
në këtë mënyrë vjershën ia ktheu:
” Dashuria kërkon vetëm kënaqësinë e vet,
e kësaj kënaqësie një tjetër kërkon t’i lidhë,
e lumtur edhe nëse tjetri humb mirësinë,
e për inat të parizit krijon një ferr”.