Mungesa e informacionit tek të rinjtë për vlera të tilla kaq përfaqësuese të kulturës sonë popullore, shpërfillja e tyre në tekstet shkollore, është gabimi që shumë shpejt do ta paguajmë me harresën e pakorrigjueshme
Nga Dr. Skënder KARRIQI
Kur Prof Ramadan Sokoli shkruante në vitin 1965 për polifoninë shqiptare në studimin me titull “Folklori muzikor shqiptar”, dhe me këtë rast ai shënjonte si bartëse të saj edhe Luginën e Shkumbinit, kjo dukuri e lashtë muzikore ishte një realitet i gjallë në këto treva. Po kështu edhe kur Dr. Beniamin Kruta shkruante në vitin 1989 për të njëjtën dukuri, studimin me titull “Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë jugore” dhe me këtë rast edhe ky e shënjonte Luginën e Shkumbinit dhe veçanërisht Rajcën, qartësisht si bartëse të kësaj dukurie (të detajuar me emrat përkatës të fshatrave bartës, me emra interpretuesesh dhe moshën e tyre, me të dhëna hapësinore, nuanca, variante e invariante dhe me tituj e shembuj këngësh), ende polifonia, gjategjerë kësaj hapësire luginore, vazhdonte të ishte një dukuri e gjallë
Nëpër odat e shtëpive fshatare të mobiluara me shije të spikatur popullore ku përftohej ndjesia e butësisë, me aroma lulemali, por edhe me erëza kopshtesh e frutash vjeshtore, sidomos në dasma dhe fejesa, këndohej polifonia dyzërëshe e grave. Nuset dhe vashat këngëtare përfshiheshin në një garë të brendshme që i motivonte të interpretonin aq thjeshtë dhe bukur këngën polifonike dyzërëshe para “jurisë” së më të moshuarave, të cilat, duke dhënë me shenja pëlqimin për interpretueset më të mira, nuk i kursenin lëvdatat edhe për të tjerat. Shumë prej këtyre interpretueseve njiheshin ndër krahina si marrëse dhe pritëse me famë të këngës, madje përfaqësonin edhe fshatin apo krahinën në aktivitete lokale, prej nga përzgjidheshin më të mirat, të cilat më tej përfaqësonin rrethin në festivale kombëtare e mbarëkombëtare.
Për fat të keq, të paktën që nga vitet 2000 dhe deri sot, periudhë kohore kjo kur polifonia shqiptare u shpall kryevepër e njerëzimit dhe si e tillë u mor në mbrojtje nga UNESCO, e gjithashtu Prof. Dr.Vasil Tole, (një ndër përgatitësit e dosjes për konkurrim pranë UNESCO-s), ka shkruar libra të shumtë rreth kësaj dukurie të rrallë muzikore, siç mund të përmendim “Folklori muzikor,(Isopolifonia e Monodia)”, “ Pse qanë kuajt e Akilit”, etj, polifonia dyzërëshe e grave në Luginën e Shkumbinit s’është më veçse pothuajse një dëshmi shkrimore në vepra profesorësh dhe akademikësh. Po kështu në kujtesën e bartëseve të moshuara, kënga polifonike dyzërëshe që këndohej dasmave, sot s’është veçse, pothuajse, një kujtim i largët, (20-30 vjet më parë), i cili do të shuhet bashkë me to për shkak të vdekjes natyrale të tyre. Me shuarjen e tyre Luginës do t’i mungojë jo vetëm zeri polifonik i shpirtit të saj, por edhe kujtimi i këtij zëri. Dhe në këtë rast humbja do të jetë shumë e madhe.
Kjo gjendje rreziku, jo vetëm për polifoninë dyzërëshe në hapësirën që në Rrajcë e gjategjerë Luginës së Shkumbinit, por edhe në gjithë Toskërinë, padyshim lidhet me ndryshimet që ndodhën në jetën shqiptare, kryesisht në zonat rurale, pas viteve ’90-të. Në këtë periudhë rituali i dasmës zhvendoset nga shtëpitë fshatare, në lokalet rurale të shërbimit, përgjatë rrugëve kryesore dhe dytësore apo në qendra fshatrash.. Para viteve ’90-të rituali i dasmës rregullohej prej kodit përkatës, nëpër odat fshatare (konakët), ku gjindja sistemohej në bazë gjinie (oda e burrave, oda e grave) dhe në intimitetin e farefisit apo më gjerë, miqësisë, këndonin këngë polifonike, në përputhje me momentet e ritualit (nisja e krushqve, ardhja e nuses, mbyllja e dhëndërrit, etj). Rituali i dasmës si i tillë, i mbante gjallë këto këngë. Në situatën e këtij rituali ato jo vetëm krijoheshin, por edhe përsoseshin, shfaqeshin, funksiononin si pështjelluese të emocioneve të dasmës, ngjarjes më të bukur në jetën e njeriut,
Për shkak të zhvendosjes në lokalet rurale rituali i dasmës thjeshtohet gati-gati në një drekë apo darkë të madhe farefisnore ku pjesëmarrësit janë të çliruar prej kodit sipas të cilit duhet të këndonin dhe të kërcenin në raste të tilla. Rëndom në këto dasma me ritual të reduktuar, shërbime të tilla përmbushen nga DJ me “programe” klishe, më së shpeshti tallavaje dhe turbofolku, të cilat i dëgjon pothuaj në çdo dasmë. Klishe të tilla, për fat të keq mediokre, kanë bërë që polifonia e gjallë popullore, kënga e dasmës, sidomos polifonia dyzërëshe e grave, në Rrajcë dhe gjeregjatë Luginës së Shkumbinit, por edhe më gjerë akoma, (në tërë Toskërinë), të harrohet. Rrjedhimisht, shpejt apo vonë, po nuk u morën masa, me shuarjen e brezit të parë apo të dytë, që janë ende bartës të saj, edhe ky variant polifonie do të shuhet.
Sot, në biseda me nxënës e studentë, kur bie fjala për polifoninë shqiptare, vihet re se rreth kësaj teme ka mungesë të patolerueshme informacioni, gjë që duket sidomos në konceptin e ngushtë për llojshmërinë dhe shtrirjen hapsinore të saj. Ndërsa nuk bëhet fjalë fare për shprehi sado të thjeshta interpretuese të saj prej të rinjve! Për paradoks, kjo gjendje vihet re sot, kur polifonia shqipatre ka afërsisht 12 vjet nën mbrojtjen e UNESCO-s, e shpallur si kryevepër e njerëzimit. Për të rinjtë shqiptarë (dhe jo vetëm për të rinjtë), polifonia është vetëm labe dhe i përket vetëm Labërisë, më saktë, rreteve të Vlorës, Gjirokastrës, dhe Tepelenës. Ndërsa në tekstet e lëndës “Historia e artit” për shkollat e mesme, por edhe për studentët e Akademisë së Arteve, nuk gjen të shkruar as edhe dy rreshta, qoftë sa për ta përmendur polifoninë shqiptare si kryevepër të njerëzimit dhe pjesë të trashëgimisë botërore te mbrojtur nga UNESCO, që nga 25 nëntori i vitit 2005.
Mungesa e informacionit tek të rinjtë për vlera të tilla kaq përfaqësuese të kulturës sonë popullore, shpërfillja e tyre në tekstet shkollore, është gabimi që shumë shpejt do ta paguajmë me harresën e pakorrigjueshme, me shuarjen e traditave më të mira kulturore të popullit tonë. Prandaj lipset sensibilizimi për ta kuptuar rëndësinë e problemit. Në Republikën e Shqipërisë, sigurisht, ka një ligj për kulturën dhe trashëgiminë kulturore të popullit tonë dhe këtij ligji janë të detyruar t’i përmbahen si Ministria e Kulturës, edhe pushteti lokal. Ky i fundit, pas reformës administrative, duhet të këtë më shumë kompetenca dhe të planifikojë më shumë fonde në fushën e kulturës dhe veçanërisht të kulturës popullore, sidomos në aspektin e mbrojtes dhe promovimit të saj, në mënyrë që në Luginën e Shkumbinit, edhe në trevat e tjera bartëse, të rikthehet, tradita aq e vyer e polifonisë dyzërëshe të grave, por edhe vlera të tjera të rrezikuara.
Rikthimi tek traditat e aktiviteteve kulturore popullore në nivele lokale do të ishte hapi i parë për mbrojtjen e pasurive të tillla, siç është polifonia. Në rrethin e Librazhdit, por edhe në rrethe të tjera, është ringjallur tradita e festave zonale. Pikërisht ky impuls duhet të stimulohet, projektohet dhe menaxhohet, ndër të tjera , edhe si një ditë festivali për traditat më të mira të këngës, valles, lojërave popullore, riteve të punës dhe të festave familjare, duhet të projektohet pra si një ditë manifestimi për mbarë kulturën popullore zonale.
Padyshim, rol të pazëvendësueshëm në këtë ndërmarrje të gjerë kulturore, do të këtë edhe shkolla, e cila me anë të projekteve lëndorë e ndërlëndore, ku theksi do të vihet edhe në anën praktike interpretative të varianteve polifonike, do t’i kontaktojë nxënësit me një botë tingujsh, zërash dhe ritmesh, e cila, edhe pse në shuarje e sipër, ende pulson. Kur në atë botë vlerash që u përket, ata, nxënësit dhe në përgjithësi të rinjtë, do të rigjejnë virtualisht vetveten , pikërisht kjo do të jetë or ae shpëtimit që e duam të gjithë…!