Vetëm 19 vjeçar. Pas kësaj moshe, ai nuk do të shkruante asnjë varg. E imagjinoni dot se ç’do të kishte bërë Rembo me veten dhe me talentin e tij, nëse do të kish vazhduar të shkruante?
Majlinda NANA
Art i vështirë dhe forma e përsosur – ja se çfarë ishte epiqendër e simbolistëve, të cilët nuk shihnin asnjë pikë takimi me realizmin, sikurse ishin dhe anti prozës. Ishte domosdoshmërisht e vlefshme ajo që Malarmeja do ta shpërshfaqte si manifest në një nga artikulimet e tij, që tregonte ashiqare pikërisht orientimin poetik të simbolistëve: “Poezia është shprehja nëpërmjet ligjërimit njerëzor të kthyer në ritmin e vet esencial, e kuptimit të mistershëm të aspekteve të ekzistencës; ajo i jep kështu autencitetin jetës sonë dhe përbën një detyrë shpirtërore”. (Stefan Malarme, “Letër e qershorit”, 1884). Në të vërtetë, simbolizmi tentoi qysh në fillesat e veta për një kundërvënie të theksuar ndaj realizmit, parë kjo sidomos në nivelin e këndvështrimit dhe të ndërtimit formëshprehës. Asnjë lidhje me realitetin dhe larg prozaizmit. Poezia jo përshkruese, por evokuese e ritmeve, e figuracionit, e përjetimeve emotive plot lëvizje e gjallim, e ndjesive, imazheve, e një perceptimi te realiteteve të tërthorta, ana intuitive, kahu drejt autoanalizës psikologjike, emblemizimi i sendeve dhe objekteve me mister dhe synimi i shndërrimit të tyre drejt simbolit, drejt universalizimit të qenies – të gjitha këto kanë krijuar paradigmën e simbolizmit, duke shkaguar gjithçka të realizmit.
Vetëm 19 vjeçar. Pas kësaj moshe, ai nuk do të shkruante asnjë varg. E imagjinoni dot se ç’do të kishte bërë Rembo me veten dhe me talentin e tij, nëse do të kish vazhduar të shkruante? Dhe do të kishte një ngasje poetike që vinte si buresë thuajse imitative e poezisë së Hygoit e disi të parnasianëve në fillimet e veta, për t’u bërë më vonë ai që njohim të gjithë. Ishte ai, Artur Rembo, që do të zbulonte elemente të veçanta dhe tepër harmonizuese midis ngjyrave dhe tingujve më të thukët të mundshëm, pa shkuar në zgjatime të rrokjezuara. Poezia e Rembosë sugjeron, lëviz lirshëm drejt figurimit ideor, asociacionet e fantazisë së poetit bashkëshkrihen në tingujt e muzikës dhe penelatave fine të pikturës.
Le të ndalemi te soneti me titullin “Zanore” i Artur Rembos, i njohur dhe si soneti i ngjyrave. Tingulli ngjyrë. A është tingulli ngjyrë? A është ngjyra tingull? A pikturohet tingulli? (Mjeshtri “gdhend” dirigjueshëm pikturën më të madhe të poezisë muzikore). Rembo nuk e dinte mbase se po e ngiste rrymën që do të identifikohej me emrin e tij, drejt hapësirave të reja, duke konturuar harmonizimin efektual dhe lidhjen koherente poezi – muzikë – pikturë. Dhe, pikërisht soneti “Zanore”, do të bëhej pika nistore e vëzhgimit të simbolistëve në ekzistencën e trekëndëshit poezi – muzikë – pikturë, alias: fonemëzanorësi – tingull – ngjyrë. Rembo dhe “Zanore” përbëjnë presedan për simbolizmin dhe mëtejësinë poetike botërore. Hyjmë në detajet e poetimit të Rembos:
A është e zeza, E e bardha, I e kuqja, U e gjelbra,
Kurse O është bluja:
të fshehtat e tyre do të shpjegoj tani,
A është parzmorja në trupin e insekteve të lehta’
që gumëzhijnë e vërtiten mbi plehrat në periferi.
Ç’ka vëzhguar Rembo? Nuk duhet harruar fakti që ai vjen nga provinca Charleville dhe është “zbulim” i Verlenit, pasi ftesa për t’u bashkuar me poetët parnasianë, provincialit Rembo do t’i vinte pikërisht prej Pol Verlenit.
A është e zeza…
A është parzmorja në trupin e insekteve të lehta’
që gumëzhijnë e vërtiten mbi plehrat në periferi.
A – e zezë. Është zanore “e mbyllur” nga ana “arkitektonike”. Nis nga “toka” dhe përfundon “në tokë”. Shihni dy skajet e saj, dy pikat e mbështetjes. Nisin dhe mbarojnë në të njëjtin drejtim, ndërsa viza mesore midis dy shtyllëzimeve të zanores A është ai “parzmi” mburojë në trupin e “insekteve të lehta”. Vini re: ka hapësirë edhe përpara vijës ndarëse – bashkuese të A – së, edhe përpas saj, ndaj janë “insekte të lehta që gumëzhijnë mbi plehrat në periferi”. E, pra, Rembo e njihte mirë provincën, periferinë. E çfarë ngjyre tjetër mund të kishte periferia? Dhe dita e një qyteti, zgjimi i një qyteti, A – ja, nistojnë pikërisht nga pagjumësia e periferisë. Asociacion!
E e bardha….
E është e bardha e çarçafëve, spitaleve e mjegullave
e ajzbergëve madhështorë dhe miniaturave të fildishta…
Kontrast! Ndryshim “akordi”. “E e bardha…”. Le të vëmë re me kujdes: zanorja E ka një shtrirje horizontale dhe është hapësinore, shënjuar simbolikisht me anë të mjegullës. A – e zezë, E – e bardhë, por kontrastimi shkon dhe nga bardhësia e çarçafëve te bardhësia e “ajzbergëve madhështorë”; nga madhështia e ajzbergëve te “miniaturat e fildishta”. I e kuqe dhe “gjaku i gjallë i plagëve dhe dhembjeve”. Ka një tingull të gjaktë, vertikal, përfytyruar në një gjatëçarje buze, për të cilat Rembo ngjyros si “të skuqura nga sharjet apo elozhet e trishta”, një e çarë ku, nuk është primare thellësia, por plaga dhe dhembja. Epiteti “e trishta” që metaforizohet për emrin “elozhet”, shpreh dhe një pjesë të mirë të karakterit të poetit, i cili nuk u bë dhe nuk u shfaq kurrë konformist, në asnjë moment. U – krijon përqasjen e duhur, duke relevuar me simplicitet ondulacionin e dallgës, me pikëkulmin e kreshtës së saj dhe platitjen e tejfirjen e dallgës në brendësi të kaltërsisë së gjelbër të hapësirës së krijuar. U dhe ∩ – është kjo forma që jep ondulimin midis hovjes, majëngjitjes së dallgës dhe kthimit të saj sërish në det. Dhe aty shfaqet një koncentrim e zbërthim më subtil. Blu është edhe qielli që synon lartësia e kreshtës së dallgës. Dualiteti det – qiell, por edhe më tepër se kaq, pasi aty ka një depërtim më të thellë e më të gjerë, në qartësinë e pastërholluar të natyrës, në tejësinë e luginave.
O është klithma e zogut, tronditëse, e pakuptueshme,
Fluturimi i engjëjve në infinitet e amëshueshme,
O është rrezatimi i syve të tu të ndritur.
Kështu mbyllet ky sonet. O – trëndafili qiellor, por këtu me një rreth jo të mbyllur, O – një klithmë dëshpërimtare pasthirrmore e zogut, një “tronditje e pakuptimtë” dhe pastaj O – “rrezatimi i syve të tu të ndritur”. Ja, këtu kemi një rreth të mbyllur në stacionin “nga sytë e tu – te sytë e tu”, një ovalitet që i vendos pikën gjithë poezisë muzikore piktografike të Rembosë me titullin “Zanore”. Është një lidhje onomatopeike, jo thjesht konvencionale e deduktive, sepse, edhe po të ndalesh në tingulliminzanorësor A, E, I, U, O, secila ka veçantinë e vet. Mendoj se Rembo nuk ka bërë trajtesë thjesht fonostilematike, por arti i tij, zanoret, tingulli komportohen në një ndijim të konceptuar përmes shqisave: prek, sheh, nuhat, frymon, aromon, pezullon…pastaj lëshon një tingull, një zanore. Edhe një fjali thirrmore: “O, sa e bukur!” ka një fillim zanorues: “O”. A ka një kod? Çfarë kërkonte të përcillte poezia simbolike? Ku qëndron e veçanta e saj? Këto janë pyetje që do të na grishin gjithherë, pavarësisht bindjes se Rembo e revolucionoi dhe e çoi në kulme të tjera retorikën dhe gjithë këtë lloj poezie e letërsie në tërësi. Ai (Rembo), një pikë apo shenjëz grafike që kërkon një anije që s’lodhet në det; Ai, krijimi i një lëvizjeje që sjell konfiguresën e shpërndarjes së patrajtë të reve në qiell. Artur Rembo do të mbyllte sytë një muaj e 10 ditë përpara se të mbushte 37 vjeç dhe gazetari Raymond Sokolov do të shkruante në “Neësday”: “…Artur Rembo kishte një emër të keq në jetën privatësore, do të thotë një emër pervers, të urryeshëm, qyqar…Por ai ishte gjithashtu një nga poetët më të mëdhenj që ka jetuar ndonjëherë”… Për Rembonë, për poezinë e tij, për shpërthimin e beftë dhe nuancor të talentit të tij, për kontributin dhe ndikimin e Rembosë në gjithë letërsinë franceze, do të përzgjidhja për ta mbyllur shprehjen antologjike të Malarmes: “Një meteor që na ndriçoi ne dhe u zhduk”.