Poezi
Kama Sywor KAMANDA
GJAK NJERIU
Zbutës të brigjeve të Nilit
Bantutë duke shkelur tokat hyjnore,
Ecin drejt përjetësisë,
Përqafojnë dritën e yjeve të larguar
Dhe nga thellësia e greminës gulfim
Sollën gjak jete njeriut t’hyjnizuar.
Kur erdhi ai që e pritnin të gjallët,
Rrethuar gjithandej me meteorë,
Dielli u struk në thellësinë e shikimit t’largët,
Profetët kthyen kokat mënjanë
Ndërsa mbretërit e bënë poet zemre
Priftërinjtë u tallën
Plot porosi për popujt.
Fjalëshumë të pashtershëm t’fjalës së shenjtë
Atij i bënë pritje hata:
Fundi i predikimeve.
GJAK KOZMIK
O gjak kozmik, rrënojë agimi origjinal!
Koha ma ka zbutur frymën në thellësi shpirti.
Çastet e mia ndeshen n’erë përjetësie.
O Muntu, mishërim i diellit !
Në ijët tua kam matur qëndrimin e vdekjes.
Njeri i zbritur nga yjet e largëta,
I ndjej dënesjet e flladit të mbrëmjes.
Rojtar nuskash e shpjegues enigmash,
Ja ku më ke edhe ndërtimtar me gurë
Në tokë shtegtimi.
GJAK TOKE
O racizëm!brengë shqetësuese
Për bastardët mosmirënjohës
Kush e urren zezakun
Turpëron origjinën e vetë!
Rrënjën e para-ligjërimit
Imagjinarja zgjohet
Nga thellësitë e trupit të zi.
Shpirt Perëndish infiltruar
Në materie ngjyrosur argjilë
Që del n’horizont qenësi kozmike,
Zezaku u metamorfozua
U integrua në çdo intimitet.
O nur poetik,
Për legjendat e përjetësisë mendoj
Mëdyshjet e pafundësisë
Zbulimet e absolutes,
Mbrojtësit rrenacakë
T’orakujve dhe të profetëve!
O gjak toke !
Univers fjalësh të harxhuara,
Tani jam vetë rrënja
E kronikave tua të shenjta.
Yjet m’i ushqejnë brigjet
Dhe lërojnë prani në mua.
GJAKU ARGJILOR
Ah! Shpirt origjine,
Ëndrra në shekuj
Shtrinë jetën tej n’Përjetësi.
Roja hap dyert
Në sfond bote të padukshme
Aty ku argjila i artit
Përzihet me fjalët e sanataditës.
Zezak, o Paraardhës i njeriut,
Perënditë të mbajnë Profet!
O ti që do krijosh njerëzimin shumësi,
Ngjyrash lloj-lloj
Rërat shtegtare lakmojnë
Tempujt, legjendat
Dhe vendet e shenjta t’namit tënd.
O Zezak! Ti je vetë fillimi,
Por edhe fund ëndrre i Perëndisë.
Ti u përvodhe në matricën e tokës
Kur puhia edhe e pakrijuar n’erë
Trandi malet.
Qielli i hapur n’agime ditësh
Sërish u mbyll në filigran t’gjakut tënd.
DUART HYJNORE
E pashë rrufenë
Të pëlcet me mija shkreptima
Aty ku dashuria në natën e vakët
Fshihej nga rrebeshi.
Përrenjtë me revoltë
Trandnin pasione,
Pendime dhe emocione
Me rrënoja të çuditshme.
I pashë duart e Isisës
T’i udhëheq fëmijët e humbur
Larg fatit të keq
Vdekjes dhe terri nave.
O përbetim amshimi i hijes time të vdekshme!
Dënesja m’i përzien harbimet
Me gjatësitë e bredhjeve.
O himn njerëzor i Shpirtit të pavdekshëm,
E kam zgjatur veshin drejt rënkimeve tona
Robëresha të vijëzimeve t’mija!
Befas, qetësia e njeriut
E burgosur jehone provash
Më ka shkundulluar në zgjim vullkanesh
Me dridhmat e kozmosit.
NILI
O Nil, burim hyjnish!
Ne i kërkuam frutat e epshit
Aty ku flautet dhe këngët,
Në dëgjim zemrash,
Krijonin qiellin e ri
Për tënden dashuri. Një gjuhë mike
Na dhuroi një frymë shprese.
Hëna e strukur pas reve,
Na i vijëzonte hijet
Me filigran agu
Në mes palmash.
Larg vullkanit sqimë,
E thithëm aromën e erës,
Duke soditur brigjet e shkreta
Fjalën e harruar. O mall,
Dyshimi sjell provën
Nga zhgënjimi i fjalëve!
RRUGA E PROFETËVE
Varret dhe piramidat e Mbretërve tanë
U vodhën, u përdhosën e u shkatërruan
Ndërsa erërat dhe grabitqarët
I shkulët obeliskët.
Ne s’pari e nisëm erën e syrgjynit
Nga përndjekja jonë luanët,
Leopardët, deshët dhe zhuzhingat
E ndoqën rrugën gjatë me vegulli magjepsur
Plot hidhërim, e gërryer vrer.
Bantu! O populli im! Kush na i di rrënjët?
Disave do t’ju thonë:
“Ata vijnë nga burimi i Nilit!
Të tjerëve, që ëndërrojnë për tokën begati,
Një erë shajnim i profetëve t’padukshëm vete,
Me fëshfëri valëve përmes pulëbardhave:
“Dëshmitarë t’orës parë t’njerëzimit,
Krijues të Nybisë dhe t’Egjiptit,
Gjatë sprovës kur thahej Saharaja,
Qofshin të mallkuar”.
XIXA
Obelisk i qytetit të Diellit,
Përjetim i fuqishëm qëndrimi vertikal,
Që tërheq vëzhgimin e dritës hyjnore,
Hajmali që nga tempujt përzë
Forcat e errëta
Ti je në vijën tonë.
Kështu, je lidhje njeriu
Me forca kozmike.
Shpirti i origjinës rri te ti
Që shpirtrat na i çon n’amshim.
Shiu në tokat tona
Grurin e mugullon me dashuri
Po aq të dhembshur sa kujtesa jonë.
O gjak Perëndish!
O gjak Faraonësh!
Po vigjiloj përmbi xixë
Të rilindjes bantu.
(Nga frëngjishtja Xhevat Halili)