Mirela Papuçiu
ÇFARË DO TË THOTË TË KUPTOSH PAK MË SHUMË
Të marrësh ngjyrën e ujit, formën
e pëllëmbëve ku bie lëngu i shtrydhur prej syve
aromën e asgjësë e të mos zbrazesh.
Mos të të dhembë masa e ajrit që shtrëngon grushtave
Të pranosh erën, ta dish mirë se
para se t’ia ndjesh fshikullimën
do dëgjosh ah-un e gjetheve të kapura fort pas degëve
lëngatën e paparashikuar të së gjelbrës
Të mund t’i mbash sytë ndezur
me atë pluhur yjesh që mbeti se nuk përkiste kund
përveç aty ku lindi
Ta mbash të ngrohtë mbi tokën që ftohet pak nga pak
prej rrezatimit të zbehtë të një hëne çerekëshe
mishin e ç’ka poshtë tij
Pa pezmatim, fundxhepash
duart e tua si gojë memece të rrëfejnë një histori
Ta duash këtë lule nën ngricë
por jo nga delikatesa
Ta shohësh si i merret fryma nga lagështia
dhe të mos nëmësh motin
RRUGËVE ME KALIMTARË TË RRALLË
Qyteti është zgjuar pa lajme të reja
Rrugët me kalimtarë të rrallë
Kanë marrë një zverdhje në ndryshk
Dhe tavolinat me njerëz në kafene
Duken të dala nga një film bardhë e zi
Veshur me ngjyrat e tokës, ndërkallur
Përdhunshëm në këtë pikturë të stisur
Eci e një buzëqeshje dallgësh të fashitura
Më ngjitet deri në vetëdije
Përkrah një imazh që s’më lëshoi kurrë
Pulsi i ditës i ka rrahjet e mpakura, si hapat e mi
Rrugëve që dikur m’ u dukën aq të paana
Mbjellë rishtas pemët s’ janë ende gati për fole
E trumbat e zogjve rrahin krahët pa prà
Si një thirrje a, ndoshta, përgjërim për pak,
për sadopak, mirëkuptim
DÉJÀ VU
Yll deti me lëkurë të rreshkur në breg
Gjakderdhje nuk u pa dhe pse betejë
Sytë ikur të paqtë matanë
Shqisat s’ ti lodh më asnjë dritë
Tanatosi luleve të mollës varur
Ta rrëfeu që të vogël këtë histori
Kaq kufoma përcjellë pa rituale
Midis tyre për bé asnjë njeri
Ca të tjera nëpër duar mbajtur gjatë
Midis tyre për bé asnjë njeri
I përkunde trishtueshëm u dhe frymë
Midis tyre për bé asnjë njeri
Gaia të fali diell disa herë
Nuk luaje me të ti vetëm digjeshe
E një mëngjes a mesditë s’mund ta ndaj
Luginës së paanë shëtisje si mbi re
I njëjti tëhuajësim i njëjti
E po ashtu asnjë padituri e re
TË MBYSIN ME DASHURI
Të vënë thonjtë në fyt
dhe të mbysin ngadalë
Frymën në tjetër rrugë mësosh ta kalosh
e cijatjen tënde të çuditur e presin
( ja që vaj u bëke dhe kur këndon)
Qen që tund bishtin me gëzim je
sa herë të afrohen
Pa e pritur kurrë shqelmin e jetës
dhe pse ajo e përsërit për kujtesë gjithmonë
Po ti ke në sy kërthirin tënd, ferishten
që do bëhej pyll e mbase është bërë
As ia kanë idenë fëmijët
se si t’i vënë thonjtë
e të mbysin me dashuri
GJITHMONË E KAM DITUR
E kam ditur gjithmonë se asgjë s’është imja
e kështu me duar të kujdesshme kam prekur
dhuratat që më erdhën sqepzogjsh
e i mbështolla me mall ende pa ikur
Se gjithmonë, gjithmonë e kam ditur
veç albumet e mia janë plot
E kam ditur gjithmonë se fëmijët
janë dritë që shkulmon prej barkut të tokës
nga mbinë si kallëza gruri kokërrmirë
dhe se bukë do të bëhen në një magje tjetër
Se gjithmonë, gjithmonë e kam ditur
jo çdo natë hëna mbi ara breron
E kam ditur gjithmonë se dashuria
është kalldrëmi që merret më këmbë
për të mbërritur krejt i vetëm tek vetja
nxjerrë prej brinjsh me thonj e me dhëmbë
Se gjithmonë, gjithmonë e kam ditur
u pagëzova të frymoj si udhëtim
E kam ditur, gjithmonë e kam ditur
me fjalë ikjesh shkruhet çdo ardhje
ndaj u bëhem karbon blatimeve të jetës
Tani e di mirë, kaq mirë, se plotësia fshihet
në gjurmë pritjesh, humbjesh e mungesash
E di mirë se asgjë, asgjë nuk është imja…